Marrëdhënie

August 19, 2016 | 8:49

A është e mundur të duash dy fëmijë njësoj?

Është më se normale t’i duash fëmijët në mënyra të ndryshme. Por është e rëndësishme të ngresh disa pikëpyetje kur tërheqja ndaj njërit prej tyre, ose “kompliciteti”, është shumë i fortë: Kur nuk je vetëm i prekur emocionalisht, por i mrekulluar pas tij, kur “ngjitja” pas tij është shumë e fortë. Pse të jemi të shqetësuar për këtë situatë? E para, kjo lojë-marrëdhënie merr në shumicën e rasteve një karakter të pavetëdijshëm incestuos. Më pas, sepse u shkakton dëmtime emocionale vëllezërve të tjerë, të cilët vihen përballë “pasionit” të treguar nga prindërit për vëllanë ose motrën e tyre, në kohën kur ata duhen në një mënyrë thjesht të ngrohtë. Por, mbi të gjitha, sepse është një padrejtësi. Fëmija nuk ndihet i dashur për atë që është, por për atë që prindërit gjejnë në të: një kujtim të largët ose një pjesë nga vetja. Një projektim të ëndërruar për atë që do të donte të ishte. Kjo dashuri narciziste nuk e ndihmon aspak fëmijën të rritet. Madje mund të jetë mjaft e rrezikshme për të, sepse duke ndjerë çfarë përfaqëson ai për prindërit, rrezikon të largohet nga vetja për të qenë ai që duan ata të jetë. Do t’i nënshtrohet vullnetit të tyre. Por do të zbulojë më vonë, gjatë një vizite te psikanalisti, se jo dashuria për muzikën e ka bërë muzikant, por kënaqësia që ky hobi i jep babait të tij.

Nuk mund të duash njëlloj

“Mund të pohojmë se i duam fëmijët tanë në mënyrë të ndryshme”, shpjegon psikologia klinike Sandra Lepoiev. Aq më mirë! Sepse çdo fëmijë është unik, dhe të duash ndryshe nuk do të thotë të duash më pak. Me pak fjalë, “nuk i duam njësoj, por i duam pafundësisht”, pohon ajo. Por, ti kë preferon? Mamanë apo babanë? Fëmijët e harrojnë me vështirësi ankthin dhe ndjenjën e fajit që shkaktojnë këto pyetje, në dukje të pafajshme, me të cilat të maturit “hetojnë” në mënyrë pothuajse brutale dhe pa asnjë respekt për veten e tyre. “Duhet të pranoj se kjo është një nga pyetjet ‘kurth’ nga më të shpeshtat, dhe në çastin kur ata e ngrenë, nuk mendojnë aspak për fëmijën e tyre, për atë që ai ndjen ose për atë që është në gjendje të shpjegojë me fjalë”, mendon psikologia Lepoiev. “Kjo është nga ato pyetje, me anë të së cilës çifti provon veten, dhe partnerët komunikojnë me njëritjetrin në mënyrë indirekte nëpërmjet fëmijës. Përtej fjalëve, pyetja mbulon një regjistër të gjerë ndjenjash. Nga ngacmimi i butë, hakmarrja e heshtur, deri te kërkesa për të përkëdhelur sedrën ose provokimin e tipit agresiv”, vazhdon ajo. Pse peshojnë aq rëndë këto pyetje mbi supet e disa prindërve? Përgjigjen ata do ta kërkojnë pikërisht në jetën e tyre. Kur ishin fëmijë, prindërit e sotëm i kanë parë prindërit e tyre duke “luajtur” me diferencat dhe preferencat mu përpara fëmijëve. Tashmë në maturi, ky prind nuk është në gjendje të përballet qetësisht me problemin e dashurisë që u ofron fëmijëve të tij. Është edhe rasti kur gjatë fëmijërisë ka adhuruar apo urryer veçanërisht një nga prindërit. Sandra Lepoiev argumenton: “Secili prej nesh është fëmija i prindërve të vet. Kur vjen radha jonë për të qenë prindër, atëherë ndodh një takim i gjatë me sjelljet dhe mendimet që kemi në mendjen tonë për prindërimin. Atmosfera e shtëpisë sonë të dikurshme, dhe vjen çasti kur na duhet të bëjmë zgjedhjen tonë: ose i përsërisim këto sjellje, ose i refuzojmë dhe përpiqemi të veprojmë ndryshe, duke u munduar të jemi prindër më të mirë për fëmijët tanë. Por këto përpjekje të mundimshme na bëjnë të pranojmë me vështirësi se nuk jemi të përkryer dhe që kemi defekte me të cilat duhet të bashkëjetojmë”. Historia jonë personale nuk është e vetmja përgjegjëse për mënyrën si ndërtojmë marrëdhënien tonë me fëmijën. Prindërit të cilët e përdorin, janë, pa vetëdijen e tyre, skllevër të vizionit të shoqërisë sonë për sa i përket lidhjes midis prindit dhe fëmijës.

Një lidhje komplekse

Nëse përpiqemi të flasim në mënyrë të detajuar për këtë marrëdhënie, duke përdorur, për ta karakterizuar, veçse fjalën mjaft evazive “dashuri”, arrijmë t’i mohojmë kompleksitetin. Por lidhja jote me fëmijën është një nga marrëdhëniet më komplekse që një adult mund të ketë. Për dy arsye: E para, sepse për të është lidhja me të gjitha “projektimet”, përsëritjet, aq më të vështira për t’i identifikuar kur ato i adresohen një periudhe mjaft të largët në jetën e prindit. Në marrëdhënien me fëmijën, i rrituri rigjen, pa e ditur, esencën e lidhjeve të tij më të rëndësishme, më intime dhe më të fshehura nga fëmijëria, “gjurmët” e personave të parë në jetën e tij, të cilat i kanë modeluar shpirtin, ndjeshmërinë dhe trupin. Por kompleksiteti i kësaj marrëdhënieje ka një lidhje të fortë me realitetin. T’i duash fëmijët e tu do të thotë të provosh një ndjenjë të veçantë dhe të fortë, por jo vetëm për një “objekt” – si në rastin e një të dashuri/e, mamasë ose babait, por për më shumë, të cilët janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Është e vërtetë. Asnjë fëmijë nuk i ngjason vëllait ose motrës. Prindërit i vënë shumë shpesh pasardhësit e tyre nën emërtimin përjetësues “fëmijët e mi”, gjë që e lejojnë t’i fusin të gjithë tek e njëjta kategori! “Çdo mundim i prindërve për t’i trajtuar fëmijët në mënyrë të barabartë është e kotë. Ata kanë pozicione të veçuara në familje, role të privilegjuara dhe marrëdhënie të ndryshme me prindërit. Mund t’i ndihmojmë atëherë kur ankohen se nuk kanë vëmendjen tonë. T’i dëgjojmë është sjellja e duhur, të pranojnë se bota nuk është gjithmonë e drejtë, se as ne, si prindër, nuk marrim çdo herë vendimet e duhura. Kur ndjejnë mirëkuptim, fëmijët do të kenë kapacitetin për të kuptuar se qeniet e gjalla evoluojnë në kohë dhe nuk janë asnjëherë të barabartë midis tyre”, mendon psikologia Lepoiev. Në fakt, pavarësisht se prindi e kupton, lidhja që ndërton me secilin prej tyre është unike, e papërsëritshme. Karakteristikat e saj varen në radhë të parë sipas gjinisë së “të adhuruarit”. Lidhja midis mamasë dhe bijës adoleshente nuk është e njëjta me atë që ka me të birin. Kjo varion dhe nga mosha e fëmijës, nuk e duam njësoj një 25-vjeçar dhe një foshnje 10 muajsh, por dhe nga personaliteti. Psikologia klinike Françoise Dolto thoshte se: “Fëmijët e një familjeje nuk kanë të njëjtët prindër. Pse e them këtë? Sepse secili prej tyre vjen në jetë në një çast të veçantë në jetën e prindërve të tij. Femra që lind në moshën 35-vjeçare fëmijën e dytë, nuk është më e njëjta me atë që ka lindur të parin rreth të 20-ve. Atëherë, si mund të ketë të njëjtat lidhje emocionale me të dy?!

Por si duhet t’i duash fëmijët?

A ka një matës të saktë për dashuri? Dhe si mund të llogaritet: Pak? Shumë? Me pasion? Psikologia Lepoiev pyet se kush mund ta gjykojë dashurinë duke u nisur nga kriteri i sasisë. Ky koncept peshon rëndë mbi ndërgjegjen e prindërve dhe i bën edhe fëmijët të reagojnë duke shtypur të njëjtën “sustë”: “Normale, gjithmonë më qorton mua, sepse nuk më do!”. Si rezultat, duke kaluar nga “sasia” te “cilësia”, do të duhej të pyesnim veten jo “sa herë” më shumë apo më pak duam, por “si” duam. Dhe të pranojmë hapur se nuk i duam njësoj fëmijët tanë. Kjo nuk do të thotë, në asnjë rast, se i do “më shumë” apo “më pak”, por vetëm se i do “ndryshe”. Sepse ata janë njësi të ndryshme ku prindërit investojnë dashurinë e tyre. Kemi, për shembull, për të gjithë miqtë e ngushtë ndjenja shumë të forta. Ata janë në kushte të barabarta për sa i përket “sasisë” së dashurisë që ne u japim. Por “cilësia” e marrëdhënies ndryshon. E do njërën për mirësinë e saj, tjetrin për korrektesën etj. Këto diferenca a i dëmtojnë fëmijët? Në asnjë mënyrë! Në radhë të parë, duhet t’i ndërgjegjësosh që secili ka vendin e vet: “Do të shkoj për shopping me motrën tënde, sepse ajo është 16 vjeçe dhe i pëlqejnë veshjet në modë. Me ty do të luaj, sepse kjo të intereson ty tani”. Në këto rrethana, këto diferenca i qetësojnë, pa krijuar asnjë hapësirë keqkuptimi.

Diferencat janë të mira

Të vihet mbi piedestal nga vetë prindërit, të cilët marrin në konsideratë moshën, gjininë dhe personalitetin, është për fëmijën një faktor i domosdoshëm në formimin dhe individualizimin e tij. Sepse fëmija e ndjen dashurinë e prindërve sikur të ishte i vetmi. Ai arrin të zhvillojë individualitetin e tij dhe të jetë i ndërgjegjshëm për vlerat që mbart. Prindërit, të shqetësuar se fëmijët e tyre mund të provojnë një ndjenjë braktisjeje dhe xhelozie, i vënë të gjithë në të njëjtin plan, në emër “të barazisë”. Me rastin e ditëlindjes së njërit i bëjnë dhuratë edhe tjetrit. Këta prindër nuk i bëjnë të lumtur fëmijët e tyre, sepse ata i mbyllin që në fillesa, në rrugën drejt individualizimit. Dashuria për të cilën një fëmijë do të kishte nevojë matet nëpërmjet cilësisë. “Të edukosh një fëmijë do të thotë ta ndihmosh të rritet me besimin në vetvete. Të mund të shprehë atë që mendon, atë që vëzhgon, të japë mendimet e veta për marrëdhëniet njerëzore dhe, mbi të gjitha, ta stimulojmë të reflektojë rreth vetes”, shprehet Sanda Lepoiev. I duam atëherë kur i inkurajojmë individualitetin dhe pavarësinë emocionale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top