Një pyetje, e cila rrënojat shpirtërore i ringren në fortesa të qëndrueshme për tërë jetën. Me gjuhën e dashurisë të gjitha qytetërimet flasin njësoj. Nuk ka dallim nëse je një antikonformiste e letërsisë kineze, e lindur në Beixhing si Xhian Xhie, apo një romanciere londineze si Virginia Woolf.
“Përse ishte ai kaq pranë dhe njëkohësisht kaq larg saj?” (Xhian Xhie, 1937) Ndjenjat njerëzore në dukje më të thjeshtat për t’u transmetuar, janë edhe më të komplikuarat për t’u manifestuar si të vërteta me po të njëjtin emocion dhe delikatesë përjetimi. Ah, jemi çuditërisht kaq të ndryshëm në përjetim, sa historia e tjetrit në lexim bëhet edhe e jotja dhe ti bëhesh e tyre. Dashuria është ndjenja më gjithëpërfshirëse, promotori i shpresës edhe kur ajo mungon. Pritje të gjata që njerëzit i quajnë jetë, për disa janë thjesht pritje dashurie. Të presësh dashurinë, ky është privilegj i të fortëve, të dobëtit i nënshtrohen shoqërimit. Vallë a ka pritje më të gjata se dashuria? Kërkonte ta njihte dhe nuk e di në e mbarti këtë peshë edhe në fluturimin e saj të radhës për në Frankfurt. Si gjithnjë, në karrigen 5A me pamje nga dritarja që asaj i pëlqente aq shumë, vendosi siguresën për një pasiguri që ngjitej. Shfletoi instinktivisht revistën e zakonshme para sediljes së atij Boingu, sikur po kërkonte të mbrohej në rast të ndonjë defekti, pa i kushtuar rëndësi déjà vu-së së radhës që po përjetonte teksa kryente atë veprim. Më dukej se pesha më e madhe e atij fluturimi ishte ajo me dilemat që i vërtiteshin prej ditësh në mendje.
A duhet të vetmohej nën ndjenjën e saj?! Të strukej nën mantelin që mbante kudo si mbështjellje karantine! Apo të vetmohej nga njerëzit që e rrethonin?!
Mbase ajo që të tjerët mendonin se ishte e duhura për të, për vetë atë ishte e gabuar. Mendimi që asaj i mbushte boshllëkun shpirtëror, për ato ishte i gabuar. Fundja nuk jemi perfekt! Dashuria është e brishtë, aq sa në pengesën e parë që i del përballë, mund të rrëzohet, të thyhet dhe shkërmoqet pa zhurmë. Ëndrrat që ne i thurim, duket sikur na i çthur jeta me një ftohtësi, aq sa nuk na kujtohen nëse kanë qenë vërtet të thurura nga ne. Kjo është edhe padrejtësia që i bëjmë vetes. Lejojmë të na çthurin ëndrrat dhe mbetemi si skulptura që ua japin të tjerët formën. Mbi tapetin e reve, bardhësia e ngriti mbi veten dhe pafundësia iu shfaq si një piskamë e hershme njerëzorësh: – A është kund dashuria?… Kjo retorikë naive prej shpirti të pastër njerëzor që fluturonte larg realitetit të zymtë që zakonisht e rrethonte ishte në vendin e duhur të kërkimit, atje ku thirrjet e brendshme dëgjohen më lehtë se rrugëtimi i një loti nën qerpik, nën errësirën e natës! Mos ia prit krahët dashurisë, atëherë kur e vetmja dëshirë është një fjalë “Ciao”, “Hi” apo “Mirëmëngjes” e thënë në kohën e duhur, atëherë kur shpirti të thërret çjerrshëm për pak përkushtim, por mbi të gjitha për pak “kohë”. Të frymoni bashkërisht, duke i dhuruar kohën njëritjetrit, përtej largësisë, ta ftosh dashurinë në pragun e shpresës tënde të thyer. Meinem Damen und Herren, Willkommen in Frankfurt flughafen! Zonja dhe Zotërinj, Mirësevini në Aeroportin e Frankfurtit! – Mirëserdha! A është kund dashuria?! mendoi e hutuar teksa liroi rripin e sigurimit. Das liebe ist überall! Dashuria është kudo! Mjafton të zgjasësh njërën dorë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.117
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.