Marrëdhënie

April 21, 2016 | 8:28

A i bën mirë tradhtia dashurisë?

Teksa lexoja artikullin mbi tradhtinë tek Diva & Donna, pata dëshirë ta sillja për lexuesin shqiptar këtë temë pak të rrahur në shtypin tonë, por kaq të zakonshme dhe të pranishme në jetën tonë. Mendova se sa thjesht dhe me lehtësi një shkrim i hapur për çdo lexues mund të ndihmojë sadopak këdo që gjen një opinion të nevojshëm për atë që ndoshta e mundon. Pastaj mendova të shtoj edhe unë diçka për të qenë në heshtje pjesë e bisedës me çdo lexues të këtij shkrimi. Pse tradhtia dhemb kaq shumë? Sepse është një humbje. Dhe njeriu e ka shumë të vështirë të humbë. Qoftë materialisht a moralisht. Sa më shumë vlerë të ketë ajo gjë, aq më tepër vuajmë. Aq më e madhe është dhimbja. E të provosh t’i numërosh gjërat që humbasim pas tradhtisë a që ti mendon se i ke humbur për fare besimin, sigurinë, qetësinë, pasionin, interesimin, ledhatimet, idealin e njeriut tënd, por mbi të gjitha ti vuan se mendon që ke humbur dashurinë, atë që të bën të ndjehesh i plotë. Ndaj gruaja e përjeton tradhtinë me më shumë vuajtje se burri. Sepse përveç dhimbjes ajo duhet të përballet edhe me frikërat që sjell humbja. Ajo thotë, unë pa atë. Dhe mendon se pas kësaj nuk ka më shpresë. Por në fakt, nëse duam ta tejkalojmë tradhtinë dhe t’i ri japim frymë raportit duhet të amortizojmë dhe relativizojmë idenë e humbjes duke e krahasuar me gjerësinë dhe rëndësinë që ka për ne vetë lidhja. E rëndësishme është që duhet të duam ta kapërdijmë humbjen përpara se ajo t’ia arrijë qëllimit të saj shkatërrues. 

 

Terapia më e mirë për një çift? Tradhtia. Sipas një studimi gjerman të kohëve të fundit, dashuriçkat konsiderohen si të shëndetshme në ndihmë të krizave që kapin çiftet e martuara në vitin e shtatë (edhe kjo hapësirë kohore është zvogëluar ndjeshëm në vetëm 36 muaj, pra tri vjet). Për faj të rutinës në jetën e përbashkët, libidoja bie me 50 % ndërsa zënkat shtohen me 57%. A ka zgjidhje? Një arrati e pafajshme! I këndshëm për aventurierin dhe kurativ për partnerin. Tamam kështu! Ndaj përpara se të bëni skena xhelozie e të derdhni lot, mendoni më mirë të jeni mirënjohës për çka po ju ndodh. Sepse gjithmonë sipas studimit gjerman, ndjesia që jep tradhtia e gjallëron a si të thuash e ri zgjon interesin për partnerin duke ju shtyrë ta rifitoni atë dhe kjo i jep një hov të ri raportit.

***

Nëse akoma dyshoni, statistikat iu kundërvihen me kokëfortësi sepse sipas tyre në çdo 10 raporte vetëm 3 mbeten besnikë. Shtatë të tjerat i bashkon diçka: AVENTURA. Madje vërehet se tradhtarët e fshehtë arrijnë ta shpëtojnë raportin megjithëse e sfilitin mes dyshimesh e të vërtetash të pathëna. Përkundrazi, kjo pak prapësi e shtuar në jetën e çiftit i shërben secilit për ta vështruar partnerin me tjetër sy. Madje arrihet një rivlerësim i plotë sidomos nëse e dashura fillon të sillet si një grua histerike.

***

Pak a shumë këtë situatë gjejmë në subjektin e romanit të suksesshëm italian “Restauruesi i martesave”. Ky libër e vendos protagonisten, një aktore e bukur dhe mahnitëse në rolin e një punonjëseje me pagesë për një agjenci të çuditshme që merret me rregullimin e martesave, sigurisht për llogari të grave të dëshpëruara. Roli i saj është të sillet si një dashnore kaq e padurueshme sa të shtyjë burrin të kthehet në krahët e gruas. Autorja, Donatella Diamanti, tashmë e afirmuar edhe si skenariste për filma të RAI-it dhe kinemasë, shprehet: “Një ide surrealiste por jo shumë. Më pëlqen të luaj me paradokset, megjithëse frymëzimin për gjithçka e marr nga realiteti rrethues. Dhe ajo që ndodh me burrat është se u pëlqen të tradhtojnë por shumë shpejt ia beh pendesa”. E në fakt personazhi i Diamantit dhe shkaqet e saj bëjnë pikërisht këtë, nxisin ndjenjën e fajit tek burrat dhe bëjnë që ata të kthehen tek gratë më të dashuruar se kurrë. Autorja vazhdon:“Jo gjithmonë, por funksionon. Flas për këtë metodë që edhe në roman krijon një lloj hendeku ndaj realitetit, imagjino në jetën e përditshme. Dhe imagjinoni sa e rrezikshme do të bëhej loja nëse gruaja që rekruton dashnoren do të shihte një dyshuese e pandreqshme më e interesuar për ta vënë në provë të shoqin sesa për ta riftuar atë”. Ashtu siç bën personazhi i interpretuar nga e famshmja Juliane Moore në filmin “Kloe, mes joshjes dhe iluzioneve”. E bindur që burri (Liam Neeson) e tradhton, pajton një prostitutë për ta joshur dhe kështu vërteton dyshimin e saj. Duke mos qenë një komedi ekuivokësh, por një thriller psikologjik, pasojat janë fatale.

***

Arti i zhdërvjellët i dredhive, aftësia për të fshehur të dashurën e përhershme a aventurën e rastësishme, s’është më një ekskluzivitet mashkullor. Sipas një sondazhi të shoqatës italiane të martesave, raporti i grave që tradhtojnë është përafruar shumë me atë të burrave 45% kundrejt 55%. Dhe përsëri D. Diamanti që vëren, “Burrat gjithmonë kanë tradhtuar dhe janë justifikuar me shprehjen: “ Është një defekt gjenetik mashkullor”. Por sot, mashkulli ndjehet gjithmonë më pak gjahtar, ai ka filluar t’i japë vlera qëndrueshmërisë, ndjeshmërisë dhe të sillet si romantik. Ndërsa femra teksa rritet e maturohet, merr gjithmonë e më shumë role të rëndësishme në shoqëri e familje”. Dhe nëse statistikat e tregojnë femrën më pak tradhtare se burrin kjo vetëm sepse ajo di të fshihet më mirë. Por në fund të fundit, ç’rëndësi ka se kush është shkaktari ai apo ajo, rezultati nuk ndryshon: Kërkohet gjetkë ajo që nuk arrihet me partnerin aktual.

***

Suzana Shimpera, gazetare e Diva e Donna, shprehet kështu: “Pabesia ndodh por s’mendoj se e shpëton çiftin, përkundrazi është origjina e vuajtjeve të mëdha për të dy. Sepse ku ndodh një tradhti hapet një plagë. Kujtojmë se bëhemi modernë dhe shtojmë ca eksperiencat. Por nuk është kështu. Kur dashuria është reciproke nuk ka vend për asnjë tjetër. Dëshira për një burrë të vetëm është e natyrshme dhe s’është demode. Që tradhtia të shërbejë si shkak për të lëvizur ujërat pak si tepër të qetë, kjo edhe mund të ndodh, por shumë rrallë. Ky lloj elektroshoku ka pasoja rraskapitëse. Prandaj duhet bërë tepër kujdes në mënyrën sesi do reagohet. Susana Shimpera edhe ajo vetë bashkëshorte shton: “Gratë bëjnë gjithçka për të rifituar burrat, një reagim instiktiv si kur ju marrin nga dora një gjë që u përket. Fillojnë dobësohen, trukohen, rifillojnë të bëhen të bukura për burrat, madje ndjehen edhe pak fajtore për atë që ka ndodhur. Por në momentin që ai është kthyer, mekanizmat e zemërimit dhe tërbimit shkrihen plotësisht dhe fjala e fundit i mbetet shpagimit. Sepse mendimet vrapojnë ku të duan, kur ka qenë me atë në restorantin tuaj të preferuar, në cilin hotel kanë kaluar netët, ç’dhurata i ka blerë… Ky është momenti më delikat sepse gratë me imagjinatën që kanë mund të shkaktojnë shumë dëme. Pra bëhen vërtet të këqija”.

Përgatiti: Rovena Dilo

Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top