Që pas vdekjes së babait ndihem jo vetëm e pikëlluar për humbjen e tij, por edhe fajtore. Vite më parë u përdhunova nga xhaxhai dhe nuk munda t’ia rrëfej familjes. Një ditë, e vërteta u zbulua nga nëna ime. Pas pak kohësh, xhaxhai vrau veten dhe babai mësoi se vuante nga një sëmundje e rëndë. Babai im vdiq, pasi një ditë më tha: “Nuk mund ta përballoj dhimbjen e asaj që ke pësuar”. Ndihem përgjegjëse për humbjen e babait. Si të dal nga kjo gjendje? Irsa.Q
Përgjigjie: E dashur më vjen me të vërtet keq për të gjithë shqetësimin që ke kaluar dhe po kalon. Nga ana tjetër, më vjen mirë që e vërteta është zbuluar. Nuk ka gjë më të rëndësishme në të këtilla raste, sesa e vërteta, e cila shpesh mund të të ketë munduar edhe ty, mund të të ketë bërë të ndihesh edhe në faj, sikur ke bërë ti diçka të keqe. Gjesti që ka bërë xhaxhai është shumë i ulët. Babai yt mendoj që është ndier dyfish keq. I tradhtuar nga i vëllai, i cili i mori vetes edhe jetën dhe përdhunimi i vajzës. Por, të kujtoj, nuk është faji yt… Le të reflektojmë për një moment: Në rastin e parë, askush të mos e merrte vesh përveç teje situatën e përdhunimit. Ti me siguri që do të ndiheshe keq, e trembur, e vetmuar, pa njeri, që askush nuk të kuptonte, ndoshta xhaxhai do të bënte të njëjtin veprim. Në rastin e dytë: Prindërit e marrin vesh dhe janë të shqetësuar. Mundohen të të qëndrojnë pranë me të gjithë dashurinë e tyre, edhe pse të lënduar po aq sa edhe ti. Në të dyja rastet situata paraqitet jo shumë e lehtë. “Nuk mund ta përballoj dhimbjen e asaj që ke pësuar”, këto janë fjalë që tregojnë dashurinë më të madhe që prindi ka për fëmijën e tij. Kështu zgjodhi babai yt të ta shprehë dashurinë, por aspak për të të bërë fajtore, përkundrazi; ndoshta ai është ndier fajtor që nuk e kishte kuptuar më përpara. Këto ndjesi ne nuk i kontrollojmë dot, por mund të them se dashuria e babait tënd për ty paska qenë shumë e madhe.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.