Editorial

April 7, 2017 | 11:45

A ka dashuri më të madhe se ajo për fëmijën?!

Natyrisht që për këdo mund të vijë shprehur në forma të ndryshme. Ky nuk është një detyrim që e zgjedh apo e bën si të të vijë për shtat. Besoj se kush e ka provuar të qenit prind, kjo fazë e jetës është një bekim i çmuar për të. Për mua, përvoja e parë ka qenë një dilemë le të themi, midis të qenit organikisht e përgatitur për të sjellë në jetë një bebe, por edhe një revolucion në marrëdhënie me të tretët, bashkëshortin, familjarët nga të dy anët respektive, e kështu me radhë. Starti ishte një pikënisje me të panjohura, pasiguri dhe mëdyshje që më vonë do të më shtronin një rrugë të re, sfiduese.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Përgjegjësi të mëdha ka kjo punë. Vendimi për të pritur në jetë një foshnje kërkon përkushtim jo vetëm fizik. Si do e ushqesh, si do e mbash në krahë, a do të jesh në gjendje ta kuptosh kur ka dhimbje barku apo shqetësime të tjera, të pashpjegueshme për një nënë të re. E në këtë investim të ri në jetën familjare, padyshim mbështetja e partnerit duhet të jetë një tregues i vlerave që do të rrisin beben.

Në sfidat që na përball jeta, në rastësitë e pashmangshme, disa herë jo fort pozitive me ty, shtrati ku ti gjen qetësinë shpirtërore pa asnjë kusht, janë pikërisht fëmijët. Ndonëse me ngarkesat e tyre moshore, mosbindjet apo tekat foshnjarake që herë-herë të zbrazin e nuk ke kohë të merresh, prapëseprapë ata janë vullneti yt, bindja për të ecur përpara, ngrohtësia, gjakftohtësia dhe dashuria më e madhe për të ndjekur ritmin e jetës pa kurrfarë mëdyshjeje.

Në botën intensive që jetojmë, kthesat e jetës na shfaqin përpara syve fenomene dhe dukuri që në rolin e prindit, më së shumti të nënës, na bëjnë të vuajmë shumëfish edhe për fatin se ku po rriten fëmijët tanë. Vetëm në dy vitet e fundit, tej fasadës, është zbardhur një realitet tejet i frikshëm. Ngjarjet kanë qenë edhe më shumë dëshpëruese, të pabesueshme, e të dhimbshme njëkohësisht. Viktima të dhunës seksuale dhe fizike, janë ata, jetimët e Shtëpive të Fëmijës në Shkodër, në Sarandë e ndoshta edhe në ndonjë institucion tjetër, ku ende nuk është marrë guximi për të dalë hapur. Raste po kaq të guximshme, të dhunës fizike dhe verbale janë publikuar edhe nga vetë prindër fëmijësh të shkollave publike.

2Si ka mundësi që këta edukatorë-prindër të mos jenë kaq të aftë në menaxhimin e emocioneve në një mision kaq fisnik siç është ai i edukimit të brezave?!

E për t’iu rikthyer pyetjes në krye, nuk mund të lë pa përmendur fenomenin e braktisjes së fëmijëve nga vetë prindërit, kësaj plage të shoqërisë, e cila duket se po “pjell” gjithnjë e më shumë shembuj aspak të denjë për kultin e familjes.

1Rastet e shënuara si pasojë e dështimit të një martese, shpërfaqin një krenari, sidomos nga ana mashkullore, në raport me foshnjën e vet. Baballarë që mohojnë fëmijën e tyre në formë rebelimi e hakmarrjeje ndaj nënës, ish-gruas, baballarë që të modeluar nga sjellje aspak të shëndosha zgjedhin të mos rriten bashkë me fëmijën e tyre nga hidhërimi i një martese të mbaruar. E në këtë rast mesazhi im është: Kthejini sytë tek fëmijëria juaj, dashuria prindërore që keni marrë dhe bëni zgjedhjen që ju përket juve, jo të diktuar nga të tjerët!

 

Botuar në revistën Psikologjia, nr.109

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top