Aktorja Elizabeth Carter në një intervistë deklaroi se “të jesh e lumtur, do të thotë të jesh mirënjohëse”. Dhe është e vërtetë se zakonisht i harrojmë mijëra arsyet që kemi për të qenë mirënjohës, si kundrejt të tjerëve, ashtu edhe kundrejt jetës.
Zakonisht, kur njerëzit ndihen të palumtur, fillojnë dhe ankohen, sepse nuk gjejnë një arsye për të
qenë mirënjohës. Megjithatë, a keni arritur ndonjë gjë në jetë duke u ankuar? Ankesat ju kanë mundësuar gjetjen e motivimit, të jeni më të lumtur dhe të përmirësoni marrëdhëniet ndërpersonale? Me shumë gjasa, përgjigjja juaj është negative, sepse ankesat shkaktojnë vetëm nivel më të lartë depresioni, inat dhe veç kësaj u japin bezdi edhe njerëzve që na rrethojnë.
Sido që të jetë, nëse në secilin prej këtyre momenteve sjellim ndër mend qoftë edhe një arsye të vetme për të qenë mirënjohës, i gjithë inati do venitet si me magji. Në fakt, një studim i zhvilluar me tri grupe njerëzish, tregon fuqinë e madhe që ka mirënjohja.
Pjesëmarrësve të grupit të parë të studimit iu kërkua të shkruanin çdo ditë pesë gjëra për të cilat ishin ndjerë mirënjohës. Pjesëmarrësve të grupit të dytë iu kërkua të shkruanin pesë probleme me të cilat do të përballeshin çdo ditë, ndërsa pjesëmarrësve të grupit të tretë iu kërkua të shkruanin pesë ngjarje të zakonshme që do t’u ndodhnin çdo ditë.
Në përfundim të dhjetë javëve të këtij eksperimenti u bë një test për të vlerësuar gjendjen shpirtërore të pjesëmarrësve dhe kështu psikologët mundën të kuptonin se grupi i parë ishte 25% më i lumtur sesa grupet e tjera.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.