Fjala “i çmendur” do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, por në vetvete mbart shumë stigmë e për këtë arsye psikologët përpiqen të shmangin përdorimin e saj. Humbja e lidhjes me realitetin dhe ideja e humbjes së lidhjes me realitetin janë dy simptoma të ndryshme klinikisht: e para lidhet me gjendjet psikotike dhe e dyta lidhet me frikërat psikologjike që vijnë si pasojë e ankthit.
Përgatiti Rudina Koromani, psikologe Klinike
Ankthi kontribuon që mendimet e dikujt të ndihen aq të shpërndara saqë është pothuajse e pamundur të ndjekësh një mendim të vetëm në të njëjtën kohë. Këto simptoma, veçanërisht kur kombinohen së bashku, mund të bëjnë që një person të ndihet sikur po çmendet. Ndërsa njerëzit mund të ndihen sikur po çmenden, ata vërtetë përjetojnë një reagim ndaj rritjes së adrenalinës (që ndodh gjatë ankthit dhe panikut) dhe aktivizimit të sistemit të reagimit “lufto ose ik”.
Ata që luftojnë me ndjenjat e frikës “se mos çmenden” si rezultat i ankthit në mënyrë të vazhdueshme, shpesh ndihen të pafuqishëm ndaj këtyre gjendjeve, gjë që kontribuon në ankth të mëtejshëm. Por sapo ankthi qetësohet, simptomat priren të largohen.
Ndërsa ankthi mund të bëjë që një person të ndihet sikur ai ose ajo po “çmendet”, është e rëndësishme të theksohet se ankthi dërrmues nuk është i njëjtë me një episod të vërtetë psikotik. Frika “mos çmendem” është quajtur Frenofobi – frika se do të humbni kontrollin mbi veten tuaj dhe nuk do të jeni më i njëjti. Pasiguria se çfarë jeni në gjendje të bëni, çfarë nëse, e nëse ndoshta do të futeni në një gjendje psikologjike të pakthyeshme nga e cila nuk do të ktheheni kurrë fsheh shumë arsye në misterin e mendjes njerëzore. Truri është një organ shumë i fuqishëm dhe i aftë për të bërë shumë gjëra të jashtëzakonshme, por ironia e frenofobisë është se sa më shumë të vazhdoni t’i bëni vetes presion jorealist dhe të keni panik për “çmendurinë”, aq më shumë ezauroni veten duke e rriskuar mendjen të dobësohet.
“Çmenduria”, humbja e lidhjes me realitetin nuk është diçka që ndodh shpesh ose lehtë. Në fakt, shumica e njerëzve që humbasin kontaktin me realitetin për çfarëdo arsye (dëmtimi i trurit, skizofrenia ose çështje të tjera) nuk e kanë idenë se po ndodh. Vetëm fakti që pyesni veten nëse jeni duke u çmendur, nënkupton që me shumë mundësi nuk jeni, sepse një “i çmendur” nuk ka shqetësime të tilla. Kjo frikë vihet re tek individë që kanë profil ankthioz klinik, tek ata që vuajnë Sulme Paniku, tek individët me çrregullim obsesiv kompulsiv dhe ata me çrregullim të stresit post traumatik. Shumë nga këta individë që vuajnë nga ankthi intensiv e vuajnë frikën se mos çmenden që vjen nga emocionet jashtëzakonisht të larta, vërshimi adrenalinës gjatë stresit dhe ndjenja e madhe e humbjes së kontrollit.
Ndryshe nga ankthi dhe stresi i rregullt ditor, frika “mos çmendem” vjen nga humbja e kontrollit. Duke mësuar më shumë rreth simptomave të ankthit arrini të merrni më shumë kontroll mbi veten tuaj. Për shembull, shumë nga simptomat fizike të sulmeve të panikut vijnë nga hiperventilimi (frymëmarrja e shpejtë). Sa më shumë ta kuptoni hiperventilimin, aq më shumë do të jeni në gjendje të kontrolloni mënyrën se si ndiheni kur keni mendime të tilla. Njohuria ka një fuqi të madhe në atë se sa ankthi ju pushton. Thirrni një mik, shikoni një film, shikoni shfaqjen tuaj të preferuar në TV – bëni gjëra që nuk mund t’i bënit nëse do të largoheshit vërtet nga realiteti. Shumë njerëz zgjedhin të ulen dhe të mendojnë për ankthin që po përjetojnë, por rikthimi në atë se si është jeta është një mjet më i mirë për të fituar kontrollin mbi mënyrën se si ndiheni- kjo teknikë ju ndërgjegjëson të kuptoni se jeni në realitet.
Ushtrimet fizike janë gjithashtu efektive për të mbajtur larg frikëra të tilla, por psikoterapia mbetet vendimtare për eksplorimin e thelluar të problematikës së ankthit dhe gjetjes së faktorëve që e shkaktojnë atë tek një individ, të cilat mbeten unike për secilin rast.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.