Stina e verës e destinuar për shumë dashuri, pasion, aventurë dhe gëzim. Kur flasim për verën na vjen në mendje menjëherë plazhi, pas plazhit na vijnë pushimet dhe pas pushimeve na vjen në mendje dashuria!
Na vjen në mendje partneri ynë, e fillojmë planifikojmë pushimet e shumëpritura verore shumë kohë përpara. Preokupimet dhe përgatitjet e pushimeve fillojnë që para pranverës, duke na interesuar pikë së pari trupi, tonifikimi, pesha dhe format, për t’u ndjerë mirë vetë, për t’u dukur mirë para partnerit e pse jo për t’u dukur mirë para publikut të gjerë të rastësishëm të plazhit. Fillojmë aktivitetin fizik, palestër, vrap e shumë forma të tjera. Pas kësaj mendojmë për bikinit, rrobat e plazhit, dekoltetë, fustanet, këmishat, kremrat dhe çdo gjë tjetër me përpikëri. Të gjitha këto përkujdesje për veten padyshim që na bëjnë të jemi më tërheqës, të kuruar, të tonifikuar, në top form dhe të bukur. E gjithë kjo zgjon dhe shton akoma më shumë pasionin, dashurinë dhe harmoninë në çift.
Vera simbolizon diellin dhe dielli ngrohtësinë mes njerëzve. Jemi të prirur të jemi më diellorë, të dashur, optimistë, plot energji pozitive dhe “full of love”. Pushimet e verës padyshim që rrisin harmoninë në çift. Mendoj se të gjitha pushimet rrisin harmoninë dhe lumturinë e një çifti edhe kur ky i fundit nuk është në një moment të mirë. Unë si psikologe do ua rekomandoja pushimet si terapi në çift, një ilaç që vetëm e shëron marrëdhënien. Duke qenë të stakuar nga puna, larg monotoninë së lodhshme, larg çdo gjëje tjetër dhe vetëm me partnerin, rritet afeksioni, rritet nevoja për njëritjetrin e si rrjedhojë dhe harmonia. Fillojmë të ndjejmë më shumë për partnerin, na duket më i bukur, e dëshirojmë më shumë dhe e vlerësojmë akoma më shumë atë që kemi në krah.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.