Gjatë punës sime si këshilluese e terapiste fenomenin “viktimizim” e has në çdo marrëdhënie individuale e ndërpersonale. Është një gjuhë trupi që prodhon konflikt dhe frikë. Në situatat kur dikush ndihet vulnerabël menjëherë përballet me pafuqinë për të mos u sjellë si viktimë. Por kjo sjellje mund të bëhet edhe për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
Rol të rëndësishëm në sjelljet viktimizuese luan edhe pavetëdija jonë, e cila shpesh na bën të pyesim veten: “a do të shërohem ndonjëherë nga kjo sjellje fëminore?”… A është sjellje fëminore përkufizimi i drejtë?
Abuzimi apo komplekset janë dobësitë që çojnë dikë të bëjë sjellje viktimizuese. Dikush e sheh si mundësi zgjidhjeje këtë sjellje, dikush tjetër si prehje e pashmangshme
shpëtimi. Është një lloj “gjakpirësi” që sundon mendjen dhe trupin e viktimës, njeh çdo detaj të tij, ndaj nuk ka kufij frike që të dobësohet e minimizohet si sjellje. Individi, që e krijon këtë ndjesi destruktive, e ka të përjetuar nga e shkuara e tij, gjë që ndikon edhe te njerëzit që e rrethojnë: partnerja, miku apo kolegu. Dëshpërimi, dështimi krijojnë një gjendje shtypjeje emocionale tek individi, i cili herë të bën të jesh viktimë e braktisjes së fatit apo indiferentizmit njerëzor dhe herë kur dikush tjetër të përdor për qëllime jo të mira dhe të këqijat të kthehen ty.
Ka shumë faktorë që ndikojnë në të qenit i viktimizuar. Ka raste kur një person ka sjellje viktimizuese për shkak të gjykimit të padrejtë që i kanë bërë në fëmijëri. Ndikimi i dikujt, qoftë modeli prindëror, miqësor etj, nxit vetëgjykimin përballë situatave konfliktuale dhe transmeton një gjendje vetëflijimi. Mungesa e vetëbesimit te një individ për shkak të arsyeve të mësipërme bën të mundur që një person të bëjë sjellje viktimizuese.
Një person viktimizues është si në një rreth vicioz nga ku nuk del dot, ndihet si i zënë në kurth. Me shumë gjasa nuk do të donte të kishte këtë sjellje, por frika se mos të tjerët e shmangin dhe e mënjanojnë e çon në kufijtë e kësaj ndjenje të pafuqishme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.