Në fokus

June 29, 2017 | 10:26

Abuzimet seksuale ndaj të miturve

7

Abuzimi seksual me fëmijët është shndërruar në një realitet të dhimbshëm në botën ku jetojmë. Ai është një fenomen shumë herë më i përhapur nga sa e mendojnë njerëzit. Ngjarja e rëndë e dhunimit homoseksual të një të mituri është një krim pedofilie. Si i tillë, ka domosdoshmëri të trajtohet gjatë dhe me kujdes, pasi përmban rrezikshmëri të lartë. Krimi seksual ndaj të miturve duhet trajtuar nga policia dhe prokuroria si një krim ku duhet punuar jo vetëm për zbardhje, por edhe për parandalimin dhe rehabilitim. Në teoritë bashkëkohore të kriminologjisë, krimi seksual dhe kryesisht ai ndaj të miturve konsiderohet si ngjarje që, nëse nuk “kurohet”, mund të kthehet në fenomen të zgjeruar “epidemi” krimesh, ose krime me efekt “zinxhir”.

1-202

Kjo do të thotë më shumë viktima nga i njëjti autor, ose viktima që kthehen jo për faj të tyre, por për shkak të psikologjisë së tronditur, nga autor i të njëjtit veprim. Një krim i tillë mund të duket spontan, por pas ngjarjes mund të fshihen krime seksuale të mëparshme ose premisa për krime të ardhshme. Traumat fëminore konsiderohen si të pashërueshme. Ato lënë plagë që nuk korrigjohen në moshë madhore, një mori të fenomeneve me ngarkesë emocionale, sociale dhe domosdoshmërinë për zbardhje të ngjarjeve me sfond seksual ndaj të miturve dhe politikës penale me sfond seksual. Këto raste do të përbënin modele të përshtatshme për studimin, hetimin dhe verifikimin mbi të shkuarën e mundshme si “autorë dikur viktima”.

Pedofilia në përgjithësi ka të bëjë me tendencën dhe sjelljet e të rriturve që kanë për qëllim të kenë marrëdhënie seksuale me fëmijë. Sipas saj, pasojat psikologjike te fëmijët, të cilët janë të atakuar nga abuzuesit seksualë, janë të rënda. Pasojat janë të thella dhe mund të kenë ndikim të rëndë në zhvillimin psikofizik të fëmijëve. Studimet tregojnë se pedofilia rezulton ndër faktorët psikosocial më shumë se ata biologjikë apo gjenetikë. Një nga arsyet mund të jetë se vetë personi mund të ketë qenë i abuzuar si fëmijë, gjersa të tjerët mendojnë se kjo mund të jetë edhe si rezultat i dërveprimit në mes të fëmijës dhe prindërve. Shoqëria e tashme, e jona, e cila mes tyre ka nga ata që jetojnë në geto dhe rrjedhat e jetës kanë pasur ndikim direkt në jetën e individit, ky problem tabu është i hershëm.

Mentaliteti konservativ, mungesa e arsimimit, shoqëria, pozitë jo e barabartë e femrave në familje, kushtet ekonomike dhe sociale, kanë ndikuar që prindërit të mos jenë të lirë me fëmijët e tyre dhe mes tyre të ekzistojnë tema që nuk duhen diskutuar. Në mesin e tyre pa dyshim është çështja e pedofilisë. Pedofilia në media, e kontrolluar, nuk shtjellohet ashtu si duhet. Prapa pedofilisë nuk fshihen veçse individë të izoluar me të meta psikike, por edhe një rrjet i tërë, i organizuar dhe i udhëhequr nga dikush. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Nenin nr. 54 të saj garanton një mbrojtje të veçantë të fëmijëve dhe të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë i tij. Por me gjithë masat dhe përmirësimet në legjislacion, nuk mjafton që të drejtat e fëmijëve të parashikohen në konventa dhe ligje. Ato duhet të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët. Një hap i madh përpara në mbrojtjen e fëmijëve ka qenë ngritja e Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve në nivel, bashkie dhe komune, të cilat janë strukturat kryesore që ofrojnë mbrojtje për fëmijët të rrezikuar nga abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhenca. Aktualisht vetëm 51 për qind e njësive vendore e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor dhe jemi të bindur se reforma territoriale do të ofrojë përmirësime në këtë drejtim. Sipas NJMF ekzistuese, në 2015 janë trajtuar rreth 1400 raste të fëmijëve në rrezik. Nisur nga rastet e shpeshta të raportuara kohët e fundit për abuzimin seksual dhe nga mungesa e një mekanizmi ndërhyrjeje të specializuar për fëmijë që janë viktima të abuzimeve dhe dhunës seksuale, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), me mbështetjen e Bashkimit Europian organizatës Terre des gommes (Tdh), dhe ARSIS po ngrenë një shërbim cilësor e të specializuar për fëmijët viktima të formave të rënda të abuzimit, në veçanti, të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual. Por gjithashtu dhe përdorimi i internetit i ka të dyja anët e medaljes. Nga njëra anë përbën një potencial të madh përzhvillimin e fëmijëve pasi ofron mundësi të panumërta informimi, edukimi, informacioni. Nga ana tjetër, duke mos pasur pjekurinë e duhur për të dalluar rreziqet, fëmijët janë më të prekshëm ndaj aspekteve negative që paraqet përdorimi i internetit. Nga përdorimi i programeve të ndryshme, fëmijët rrezikohen nga abuzimi, ngacmimet seksuale, të bien pre e rrjeteve pornografike, të grupeve kriminale, të shfrytëzimit trafikimit të fëmijëve, mund të njihen me njerëz të rrezikshëm, rrëmbyes, rrezikohen nga e-mail-et ofendues etj. Të gjitha këto veprime kanë efekt negativ, të cilat dëmtojnë formimin dhe rritjen e fëmijëve në mënyrë të shëndetshme. Abuzimi seksual me fëmijët është shndërruar në një realitet të dhimbshëm në botën ku jetojmë. Ai është një fenomen shumë herë më i përhapur se ç’mendojnë njerëzit.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top