Alkooli dëmton shumë organe, por në mënyrë të veçantë dëmton sistemin nervor qendror dhe mëlçinë. Alkooli metabolizohet në mëlçi dhe sasia e tepërt e tij çon në sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë.
Abuzimi me alkoolin çon në tre patologji të sëmundjeve të mëlçisë, të cilat në klinikën praktike mund të shfaqen së bashku në të njëjtën kohë, në të njëjtin pacient.
Patologjia e parë është steatoza (dhjamosja e mëlçisë), e cila çon në akumulimin e yndyrës në qelizat e mëlçisë. Kjo gjendje është e rikthyeshme në qoftë se pacienti ndërpret alkoolin. Megjithatë, dhjamosja e mëlçisë mund të çojë në steatohepatit, që është dhjamosje e mëlçisë e shoqëruar me inflamacion. Kjo gjendje mund të çojë në dëmtime të mëlçisë dhe cirrozë.
Patologji tjetër që mund të shfaqet është hepatiti. Alkooli mund të shkaktojë hepatit akut, ose kronik. Hepatiti alkoolik mund të ndryshojë nga një formë e butë e hepatitit me teste anomale laboratorike, në një formë të ashpër më ndërlikime, si ikter (zverdhje e lëkurës shkaktuar nga mbajtja e bilirubinës), me encefalopati hepatike (disfunksion neurologjik shkaktuar nga pamjaftueshmëria e mëlçisë), ascit (grumbullimi i ujit në bark), hemorragji nga variçet e ezofagut.
Patologji tjetër që shfaqet është cirroza, që karakterizohet anatomikisht nga përhapja në mëlçi e nodujve të rigjenerimit të kombinuar me fibrozë. Këto dëmtime përfshijnë të gjithë mëlçinë dhe shkaktojnë çrregullim të madh të qarkullimit intrahepatik të gjakut. Mëlçia cirrotike ka një sipërfaqe të nodozuar dhe konsistencë të fortë e margo të mprehtë. Madhësia e mëlçisë ndryshon nga një i sëmurë te tjetri. Kjo do të thotë që një mëlçi cirrotike mund të jetë e zmadhuar, (hipertrofike), ose e zvogëluar (atrofike). Ekziston edhe forma mikse, ku atrofia e një lobi të mëlçisë kombinohet me hipertrofinë e një lobi tjetër. Në varësi nga noduset që formohen, cirroza klasifikohet në mikro dhe makronodulare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.