Gjatë këtij shekulli, ka pasur një përparim të jashtëzakonshwm të metodave shkencore dhe mjekësore për përmirësimin e shëndetit, të ushqyerit dhe zhvillimit të përgjithshëm të fëmijëve. Megjithatë, nga ana tjetër, ka pasur edhe një rritje të incidencës së abuzimit dhe neglizhimit të fëmijëve. Ndoshta kjo ka qenë si rezultat i gjendjes së dhunshme të botës, pasigurisë ekonomike apo rritjes së burokracive të individit.

Nga Sulltana Aliaj Psikologe klinike
Abuzimi me pasardhësit ka qenë ekskluzivitet për fenomenin njerëzor. Prindërit ushtrojnë pushtet absolut mbi fëmijët. Në fakt, rastet e abuzimeve dhe neglizhimeve me fëmijët datojnë shumë herët. Kështu shumë fëmijë u janë flijuar perëndive. Në Bibël, Abrahami u përgatit të sakrifikonte birin e tij, si shenjë e dashurisë ndaj Zotit. Për shumë kohë, prindërve u është dhënë e drejta absolute mbi fëmijën. Në shoqëritë bujqësore, kafsha vlerësohej më shumë se fëmijët. Në vitin 1857, u formua në Nju Jork një shoqatë për parandalimin e mizorive te fëmijët. Dalëngadalë, shtete filluan të kalonin ligje për abuzimin dhe neglizhimin e fëmijëve. Miti se mbrojtja gjendet në instiktiv e nënës dhe se të gjithë i duan fëmijët e pafajshëm, ra përpara errësirës së abuzimit të fëmijëve.
Për një kohë të gjatë është anashkaluar mjedisi dhe efektet e emocioneve në krijimin e personalitetit të fëmijës. Frojdi, në vitin 1919 prezantoi një punim klinik me titull, “Një fëmijë është duke u rrahur”, i cili është një studim i detajuar i fantazive erotike që përfshijnë turpin, fajin dhe lehtësimin nga masturbimi. Adler vuri në dukje ndikimin e mjedisit në sjelljen e fëmijës. Studiues të tjerë, si e Jean Piaget, Anna Freud dhe Melanie Klein, i kushtuan rëndësi fazave të zhvillimit të fëmijëve.
Abuzimi seksual
Për shumë arsye, abuzimi seksual është një abuzim që mbetet i fshehtë. Abuzimi seksual ka shumë pasoja fizike dhe emocionale tek fëmijët. Ai përcaktohet si ekspozim i fëmijës ndaj një stimulii seksual të papërshtatshëm për moshën e fëmijës, zhvillimin psikoseksual dhe rolin në familje. Përveç penetrimit, tek abuzimi seksual përfshihen manipulimi i organeve gjenitale, përdorimi i mjeteve seksuale, masturbimi, ekspozimet, prekjet. Nëse babai, njerku kryen aktin, nënat kontribuojnë pasi japin leje të heshtur, duke e mohuar apo nga dështimi për të raportuar veprën.
Incesti përkufizohet si marrëdhënie seksuale mes dy të afërmve që kanë lidhje gjaku. Incesti ka një histori që shtrihet para antikitetit. Tabuja më e lashtë është në mesin e familjes mbretërore, ku anëtarët martoheshin brenda familjes për fuqi dhe pasuri. Është e vështirë që të vendoset se kur u bë ndalimi i incestit për arsye emocionale dhe morale. Si vajzat, edhe djemtë janë viktima të incestit. Djemtë përdoren më tepër në veprimtaritë homoseksuale. Djemtë që janë abuzuar ose ngacmuar seksualisht, janë po aq të traumatizuar dhe me pasoja, si vajzat që janë përdorur për kënaqësitë seksuale.
Është një mit që abuzimi seksual ndodh në shtresat me një status të ulët socioekonomik. Studimet e kujdesshme kanë zbuluar se, incest ndodh në të gjitha shoqëritë dhe familjet. Në shtëpitë e mëdha, incesti mes motrës dhe vëllait është forma më e zakonshme. Incesti mes nënës dhe vajzës, babait dhe djalit janë dukuri pak më të zakonshme. Incesti ndodh në të gjitha familjet dhe të gjitha profesionet.
Personaliteti i abuzuesve
Individët që abuzojnë dhe kanë një prirje jonormale ndaj seksit, shpesh kanë qenë të abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë. Abuzuesit nuk fokusohen vetëm në aktin e penetrimit. Ngacmimet, ekspozimi ndaj materialeve të pahijshme, ngacmimi i organeve gjenitale janë forma të abuzimit.
Individët që abuzojnë me fëmijët janë normalë, si pothuajse të gjithë njerëzit dhe kanë një inteligjencë normale. Ata nuk janë psikotikë dhe as nuk shfaqin haptazi psikopatologji. Zakonisht kanë një personalitet pasiv-agresiv dhe varësi të fortë ndaj nevojave. Interesi seksual ndaj fëmijëve mund të jetë një variant i homoseksualitetit. Ndonjëherë, pedofilët janë të papjekur në nivelin psikoseksual dhe të paaftë që të funksionojnë normalisht. Ata dështojnë dhe refuzohen nga partnerët e tyre, duke u ndjerë të nënvlerësuar seksualisht. Një formë veçanërisht e shthurur e abuzimit seksual të fëmijëve është regjistrimi i fëmijëve me video, që shërben për të kënaqur edhe individët e tjerë abuzues.
Roli i fëmijëve
Roli i fëmijëve duket në mosraportimin e aktit, për shkak të frikës apo kërcënimeve që përdoren. Nga ana tjetër, i rrituri me anë të disa ryshfeteve, mund t’i kërkojë fëmijës që t’i bëjë një premtim se çdo gjë do mbetet sekrete. Ka disa arsye edhe më të thella psikologjike që motivojnë pjesëmarrësit e rinj. Nevoja për dashuri dhe ngrohtësi mund të jenë shtysat e vajzës për aktin. Një vajzë që mund të ndihet e padashur nga familja, mund të pranojë në heshtje atë që po ndodh. Pranimi i incestit mund të jetë edhe një përmbushje e kompleksit të Edipit. Pranimi i abuzimit mund të jetë edhe një hakmarrje kundër nënës dhe dëshirë për ta eliminuar fizikisht. Pavarësisht të gjitha arsyeve, fëmijët kanë frikë, turp dhe ndihen të kërcënuar, prandaj fshehin atë që ndodh.
Menaxhimi dhe trajtimit
Abuzimi dhe neglizhimi i fëmijëve mund të parandalohet, duke ndërmarrë masa parandaluese dhe duke përdorur një qasje multidisiplinare.
Hapi i parë në menaxhim, është njohja e situatës. Prindërit përpiqen që të fshehin të vërtetën në lidhje më abuzimet dhe për këtë arsye profesionistët duhet të fokusohen në njohjen e rasteve.
Hospitalizimi i fëmijës mund të jetën i nevojshëm. Për shkak të hetimeve dhe sigurisë, fëmija duhet që të largohet nga shtëpia. Por kjo ndarje duhet të jetë e përkohshme, sepse ndarja nga nëna mund të jetë po aq e dëmshme sa edhe abuzimi fizik. Fëmijët e abuzuar mund të përfitojnë nga psikoterapia për të zgjidhur dilemat emocionale, pakënaqësitë para se të zhvillohen çrregullimet e personalitetit.
Për fëmijët e abuzuar seksualisht, terapia duhet të fokusohet në moshën e fëmijës dhe natyrën e akteve. Terapia mund të zbulojë një numër të madh konfliktesh, frikës, fajit apo neverisë seksuale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.