Cila është kriza që po përjeton fëmija im adoleshent?
Si mund të kuptoj ç’po ndodh me vajzën time të heshtur?
Pse djali është gjithmonë agresiv? A është krizë ajo që po kalon vajza ime?
Shpeshherë flitet për ndryshimet e mëdha fizike të një adoleshenti dhe rrallëherë ndalojmë te ndryshimet emocionale, mendore dhe redaksionale, po aq të rëndësishme për formimin e identitetit.
Nëse i konsiderojmë EMOCIONET si një instrument i rëndësishëm për njohjen e realitetit, njerëzve që na rrethojnë dhe vetes, duket qartë sesa e domosdoshme është vetëdijshmëria emotive (pra t’i njohim emocionet që ndjejmë, të dimë të emërojmë dhe të dimë të përshtatemi në realitet). Por nëse gjatë fëmijërisë, adoleshenti nuk e ka pasur mundësinë të arrijë të bëjë këtë zhvillim emocional gjatë kësaj periudhe do shfaqë vështirësi në vetëdijshmëri dhe në sjelljet përshtatëse. Nëse Jurgeni 14 vjeç mendon për veten: “Duhet të bëj çdo gjë shumë mirë që të më duan” çdo gabim bëhet për të një frikë e madhe, duke menduar se mund të humbasë dashurinë prindërore. Për Jurgenin, mundësia e gabimit gjeneron frikë dhe ankth përpara çdo situate, duke bllokuar mundësinë e çdo përvoje dhe eksplorimi. Nëse Denada 17 vjeçe ka krijuar mendimin që: “Nëna ime më njeh aq mirë saqë ajo di gjithmonë kush është gjëja më e vlefshme për mua, që nga veshja deri te zgjedhja e universitetit më të mirë për mua”, në një moment kur s’mund të ketë mendimin e padiskutueshëm të nënës së saj, ajo ndjehet e humbur dhe e pavlefshme.
Duke u ndjerë e vetme dhe e paaftë për të marrë një vendim në autonomi, do jetë në kërkim të dikujt që ta ndihmojë ose t’ia mbështesë mendimet, duke ia lehtësuar përkohësisht peshën e vendimmarrjes. Në të dyja shembujt, edhe pse të ndryshëm, mungesa e njohjes së emocioneve (frika) dhe pamundësia për ta eksperimentuar atë, edhe se për arsye të ndryshme, është rrënjësisht e lidhur me raportin nënë-fëmijë, që në të dyja rastet i përket dy stileve të ndryshme të klasifikimit të pasigurt.
Mos harrojmë rëndësinë e bashkëmoshatarëve në periudhën e adoleshencës. Në këtë rast, Jurgeni duke njohur Kristianin dhe duke parë vendosmërinë e tij në disa raste, tha me vete: “Po ia doli ai, mund t’ia dal dhe unë”, duke zhbllokuar frikën ndaj eksplorimit, por ndonjëherë përvojat fëmijërore janë aq të gdhendura saqë nuk lejojnë mundësinë e vlerësimit të shoqërisë, duke e humbur mundësinë e përfitimit të lidhjeve me bashkëmoshatarët, në këto raste psikoterapia është e këshillueshme, sepse në këtë moshë, psikoterapia ka një ndikim vendimtar, duke lejuar një ndryshim të menjëhershëm falë plasticitetit neural dhe faktit që kortexa mbaron së formuari në moshën 21-vjeçare.
Ndryshimi më i rëndësishëm në aspektin konjitiv në adoleshencë është MENDIMI REFLEKSIV, i cili lejon vlerësimin e përvojave, duke i çliruar ato nga imitimi. Adoleshenti tani fillon e ngre hipoteza për veten dhe për të tjerët, si për shembull: “Si më shohin të tjerët? I pëlqej djemve? Po vajzave?” ndërkohë lejon vetëvlerësimin në tre dimensione kohore: “Kush jam në të vërtetë? Çfarë dua të bëj? Çfarë tipologjie personi dua të jem? Kjo është mosha kur adoleshenti fillon e vendos objektiva, kur e ka më të lehtë të të analizoj pikëpamjen e tjetrit dhe të hipotetizojë mendime abstrakte dhe më komplekse. Pikërisht në këtë fazë kaotike, modeli prindëror duhet të jetë një guidë për adoleshentin, duke ia thjeshtësuar arsyetimet.
Adoleshenca për të gjitha këto aspekte të lartpërmendura bashkë me ndryshimet e mëdha fizike dhe përvojat e para seksuale, është cilësuar si moment krize, i përbërë nga aspekte rrezikshmërie, por edhe si mundësi rritjeje dhe ndreqje të rrugëtimit. Mund edhe ta cilësojmë si një moment palestre ku eksperimentohet mënyra se si do ndërmerren momentet e tjera kritike të jetës.
Ndryshimet e marrëdhënieve nuk prekin vetëm raportin me bashkëmoshatarët, por sigurisht edhe me familjen, nëse në fëmijëri, prindërve i kërkohet afrimitet dhe përkujdesje. Tani shtytja është drejt largimit, autonomisë dhe pavarësisë ndaj prindërve.
Familjes i kërkohet të bëhet si një përmbajtës për nevojat e adoleshentit, aty ku është e nevojshme prindërit duhet të jenë të gatshëm të rikontraktojnë rregullat, limitet, detyrat!
Ç’do të thotë kur adoleshenti nuk po kalon një moment krize?
Duke e cilësuar në këtë rast krizën si një moment ku adoleshenti teston mënyrën e rrugëtimit të së ardhmes, mungesa e një krize nuk do të thotë mirëqenie, por mund të jetë një sinjal alarmi!
ASNJË KRIZË. Nëse prindërit e adoleshentit shprehen në këtë mënyrë: “shyqyr Zotit deri tani vajza/djali nuk më kanë dhënë asnjë problem” kjo fjali nënvizon:
“a) sa me fat jam; b)sa i mirë jam unë si prind; c)sa e/i mirë është vajza/djali im”.
Porsa i përket pikës a) unë vë re çdo ditë një përqindje të mirë të të rriturve që vijnë në terapi sot dhe shprehin me keqardhje faktin që nuk kanë përjetuar adoleshencën. Atë çfarë komunikojnë është ndjesia e “pendimit”, sikur kanë humbur atë mundësi në atë fazë të jetës dhe sikur ndjesia e të jetuarit të krizës adoloshenteske i ka bërë ata më të kalitur ndaj eventeve të jetës. Pika b) mund të fshehë vështirësinë për të lexuar situatën që po përjeton adoleshenti, deri kur diçka ndodh dhe kriza shpërthen si një bombë, duke shprehur dramën. Pika c) mund të fshehë ato situata kur prindërit nuk i lejojnë të jenë ndryshe nga statusi “i/e mire”, ndryshe nënkuptohet humbja e dashurisë prindërore, “të dua nëse ti vazhdon të jesh vajza/ djali i mirë i mamit/ babit”. I ftoj prindërit të reflektojnë mbi situatën që përjetojnë me fëmijët e tyre, duke u kthyer edhe mbrapa në kohë e duke rikujtuar vështirësitë që kanë hasur me veten e tyre për t’u bërë të rritur.
KRIZA NORMALE. Ndjesia e autonomisë, dëshira për të qenë të pavarur, i vendos adoleshentët gjithmonë në limit me ndjesinë e plotfuqishmërisë dhe vështirësinë e ndjekjeve të rregullave, limiteve, ligjeve të vendosura nga bota e të rriturve. Në këtë fazë të jetës, adoleshenti është i ndikuar nga ndjesia e re për të vënë veten në provë dhe shpeshherë ndodhet në situata vlerësimi të gabuara porsa i përket rreziqeve. Mbizotëron ndjesia e të diferencuarit nga familja, e të bashkuarit me bashkëmoshatarët e të pëlqyerit të tjerëve, e mos qenit inferior. Ajo që vihet re është një lëkundje, nga njëra anë ndjesia e plotfuqishmërisë dhe nga ana tjetër ndjesia e vështirësive për të përballuar problemet e jetës, duke eksperimentuar moskalibrimin e aftësive personale (lëkundje mbi nënvlerësim). Shpeshherë, pikërisht në këto raste, figurat prindërore dhe të rriturit e tjerë vendosen në provë koherence apo besueshmërie. Emocionet që përjetohen në këtë periudhë, pikërisht me marrëdhëniet me të rriturit, janë ato negative si: ankthi, frika, mostoleranca, inati. Në këtë fazë delikate, prindërve u kërkohet t’i përmbajnë këto emocione e t’i japin drejtim në mënyrë të ngrohtë adoleshentit, aty ku humbet mundësia për të mbajtur drejtimin në fluturim. Kur sjelljet trasgresive nuk bëhen në mënyrë të vazhdueshme, por kanë qenë episode të rralla, nuk mund ta cilësojmë si një situatë problematike.
KRIZA PATOLOGJIKE. Kriza bëhet problematike kur jemi përballë një situatë e cila prezanton simtomatologji specifike që zgjaten në kohë si: fobitë, varësitë, çrregullime në të ngrënë, akte vetëvrasjeje dhe tentativa për t’i bërë keq dikujt. Ndërkohë kthehen në patologji edhe mënyrat për t’u ndjerë sa më shpejt, i rritur nëpërmjet drogave (ekstazi, kokaina, poper, acide). Rreziku në këto raste përmbahet edhe nga fakti që konsumohen në grup (ndjehet i përshtatur) edhe ulin nivelin e vetëdijshmërisë së varësisë, asnjë nga këta të rinj që konsumojnë drogë nuk e quajnë veten të varur. Janë shumë të rëndësishëm edhe ato raste kur adoleshenti e shpreh dhimbjen nëpërmjet trupit, duke bllokuar rritjen, duke mos ndjerë, duke u izoluar.
Mos harrojmë që fjala krizë vjen nga greqishtja dhe do të thotë: “vendos, zgjedh” dhe pikërisht kjo është faza ku identiteti vendoset më shumë së situata zgjedhjeje. Faza ku personi nuk ndjehet më fëmijë, por nuk ndjehet akoma i rritur, mund të zhvillohet në shumë mënyra, është e rëndësishme prania guidë e të dy prindërve në këtë fazë. Roli prindëror nuk mund të vazhdojë më ai i mëparshmi, por duhet të modulohet në bazë të shprehjes së nevojave që jo gjithmonë adoleshentët i tregojnë me fjalë. Nëse perceptoni vështirësi me raportin me fëmijën tuaj adoleshent kërkoni ndihmën e një psikologu, sigurohuni që ka përvojë me adoleshentët dhe kontaktojeni, sepse psikoterapia në këtë fazë ka një ndikim të menjëhershëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.