Në fokus

September 19, 2017 | 11:34

Adoleshenca e reduktuar në një smartphone

Nga Héctor Abad Faciolince

“El Espectador”

1

Kohët e fundit, i lodhur nga pak nga të gjitha, hoqa dorë nga puna në një bibliotekë të jashtëzakonshme, ndryshova numrin e telefonit tim celular, atë për WhatsApp, ndala së kontrolluari Twitterin, dhe shkova të fshihem në një ishull të largët. Me lidhje në internet, po, por larg nga Kolumbia dhe bota ime.

Papritmas, këto ndryshime, por kryesisht heshtja e smartphone-it, ose ajo e disa prej funksioneve të tij, më rilidhën me botën time të vjetër: ngadalësinë e leximit dhe kujdesin në të shkruar.

Iu përkushtova përmirësimit të frëngjishtesh (ende shumë e pasigurt) dhe përkthimit fjalë për fjalë të një libri, të cilin e dua prej një jete të tërë: “Candide”, i Volterit. Duke qenë se pjesa e parë e librit ka 30 kapituj, dhe unë kam për të qëndruar 30 ditë në ishull, vendosa që çdo mëngjes të largohesha nga dhoma, vetëm pasi të kisha përkthyer një kapitull. Munda ta bëja në sajë të katër orëve përqendrim, pasi shumica e kapitujve janë të shkurtër. Çdo herë, shpërbleja veten me erën dhe diellin e mesditës, një verë të bardhë të ftohtë dhe një orë notim në det.

Ndryshime tronditëse

Jam tashmë një burrë pothuaj plak, që përpiqet të ruajë ritmin me risitë e jashtëzakonshme elektronike të botës bashkëkohore, as apokaliptik e as i integruar, sipas dikotomisë së vjetër të Umberto Ekos. Por tani jam kthyer në botën time mes maleve, kam lexuar (online) një artikull rreth të rinjve të lindur në këtë shekull, ose në fund të të kaluarit, dhe mbeta i tronditur kur mësova për ndryshimet psikologjike që u shkakton atyre smartphone.

Artikulli është botuar në numrin e shtatorit të The Atlantic. Autori, Jean Tuenge, është një psikolog që është përballur me narcisizmin në rritje të gjeneratave të reja: në vitin 2007 ai shkruajti “Generation me”. Sepse të rinjtë e sotëm janë më të sigurt në veten e tyre, kanë më shumë të drejta dhe janë më të pakënaqur se kurrë, dhe artikulli është një fragment nga libri i tij i ri, “iGen”, një vepër për të lindurit në këtë shekull, që në përqindje të lartë jetojnë më shumë në telefon se sa në realitet.

 

Papritmas, rreth pesë vjet më parë, kur më shumë se gjysma e amerikanëve kishte një smartphone, Tuenge, i cili është edhe mësues, vuri re ndryshime të papritura në sjellje, bashkëveprimet shoqërore dhe qëndrimet e të rinjve, bazuar në statistikat e botuara në dekadat e fundit. Këta janë fëmijë dhe adoleshentë të rritur me një smartphone në duar dhe nuk kanë kujtime të një bote pa internet. Ndryshimet janë të dukshme në të gjitha klasat shoqërore dhe në të gjitha grupet e popullsisë amerikane. Për ta, pothuajse e gjithë jeta është e filtruar përmes smartphone-ve dhe rrjeteve sociale.

Jo çdo gjë është negative: këta fëmijë të qetë në dhomën e tyre, me ekranin blu të reflektuar në sy, kanë më pak aksidente, janë pak të interesuar për alkool, nuk janë të fiksuar që të dijnë si t’i japin makinës, vriten më pak mes tyre, por ata kanë shumë më tepër probleme mendore, duke vuajtur nga më shumë atakë depresioni dhe vetëvriten më shumë. Nuk duken shumë të lumtur.

Sa për marrëdhëniet personale, në vend që “të dalin me dikë” duke biseduar, sot ata takohen gjithnjë e më pak në një hapësirë reale. Edhe seksi “real” është më pak i shpeshtë se sa në gjeneratat e mëparshme. Ata duket sikur nuk e lënë pas fëmijërinë: iGen janë foshnjorë në të gjitha mendimet e tyre, sepse adoleshenca fillon më vonë. Ata flenë edhe më pak se sa është e nevojshme, dhe ngrihen e shkojnë në shtrat me obsesionin për të ditur se çfarë ka ndodhur në ndërkohë në rrjetet sociale.

Studimi gjen një lidhje të fortë midis orëve të shpenzuara para ekranit (sidomos në rrjetet sociale) dhe depresionit. Dhe vajzat ndihen më shpesh të përjashtuara dhe të izoluara nga kolegët e tyre. Këshilla e vetme e Tuenges ndaj prindërve të iGen, është të detyrojnë fëmijët e tyre të largojnë ose të lënë mënjanë telefonin shumë më gjatë dhe të angazhohen në ndonjë aktivitet tjetër. / Bota.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top