Në fokus

December 16, 2016 | 8:31

Adoleshenca & Seksualiteti/ Kur prindërit kanë vështirësi të komunikojnë!

Sot më shumë se kurrë dëgjoj prindër që hasin në vështirësi komunikimi me fëmijët e tyre adoleshentë, edhe pse në vitet e fundit në shoqërinë tonë dialogu mes dy brezave është më i hapur, adoleshentët rrëfejnë dëshirën e tyre për të pasur më shumë informacione nga prindërit rreth seksualitetit. Në eksperiencën time klinike kam hasur në disa tipologji sjelljesh ndaj adoleshentëve, që mund t’i ndajmë në tre tipologji prindërimi: deleguesit, të kompleksuarit dhe ato që mohojnë jetën seksuale të adoleshentit.

Diplomuar në Torino, Itali, si psikologe, projektuese. E specializuar për Konsulencë Seksuale. Me përvojë në ndihmën kundrejt adoleshentëve, personave me varësi nga droga, alkooli apo interneti, me nëna që shfaqin dukshëm probleme psikike sa i takon aftësisë prindërore.

Diplomuar në Torino, Itali, si psikologe, projektuese. E specializuar për Konsulencë Seksuale. Me përvojë në ndihmën kundrejt adoleshentëve, personave me varësi nga droga, alkooli apo interneti, me nëna që shfaqin dukshëm probleme psikike sa i takon aftësisë prindërore.

Zakonisht në grupin e parë sjellja e prindërve ngjason me një lloj delegacioni ndaj institucionit shkollor, shpeshherë prindërit që kërkojnë konsulencë përdorin fjali të tilla: “S’ka nevojë ti flas unë, sot adoleshentët mësojnë çdo gjë në shkollë”, ose “Ky brez ka lindur i ditur”, ose prapë “Me gjitha ato filma dhe internet që shohin, dinë më shumë se ne të rriturit”.

Ndjej detyrën ti informoj këto prindër për rëndësinë e komunikimit brenda familjes për çfarëdolloj tematike, sepse dialogu nënë- fëmijë, baba- fëmijë është pjesë e ndërtimit të personalitetit të fëmijës, rëndësia emotive dhe dashuria me të cilat informacionet përcillen, i jep adoleshentit më shumë mundësi diskriminimi në sjelljen e tij. Familja, shkolla dhe institucionet e tjera edukative shërbejnë në formimin dhe ndikojnë në shëndetin e adoleshentit.

Në disa raste të tjera që i përkasin grupit të dytë, vështirësitë prekin sferën karakteriale dhe janë pjesë e eksperiencave personale të prindit, disa nëna shprehen në këtë formë: “Kur fëmija me pyet mbi tematika seksuale, unë ndjehem tepër në siklet, më vjen turp të flas për seks”, ose ”Asnjeri s’më ka folur mua në periudhën e adoleshencës “, prapë “Si mund ti flas djalit tim për organet gjenitale femërore”, këto dhe fjali të ngjashme kanë të bëjnë me eksperiencën intime të çdo prindi. Nëse një prind nuk ka një jetë seksuale të shëndetshme rrezikon të përcjellë informacione të gabuara edhe tek fëmija, nëse një prind përjeton një marrëdhënie të kompleksur ndjesitë negative mbi seksualitetin do të trasmetohen edhe tek fëmijët. Nëse një prind nuk dialogon me fëmijën, fëmija do të kërkojë këto informacione diku tjetër.

Prindërit që i përkasin grupit të tretë kanë vështirësi të sintonizohen me nevojat e fëmijës së tyre gjatë periudhës së pubertetit dhe më vonë në adoleshencë, këto prindër kanë gjithashtu vështirësi me rolin dhe sjelljen e tyre ndaj fëmijës në rritje. Shpesh herë shprehen me fjali si për shembull: “Është akoma e vogël, ka kohë ti mësoj disa gjëra”, ose “Në gjimnaz shoh skena që s’më pëlqejnë prandaj e shoqëroj kudo dhe e pres çdo ditë vajzën në shkollë”, ose prapë “Ka koh të ketë të dashur kur të shkojë në universitet”, këto janë shembuj të disa nënave të cilat shprehin dëshirën e tyre të thellë mbi mënyrën e sjelljes së fëmijës, duke pasur vështirësi të dallojnë nevojat e adoleshentëve.

Jetojmë në epokën e internetit dhe fëmijët që lindin sot në shoqërinë tonë janë të përcaktuar si “të lindurit dixhitalë”, mundësia e trasmetimit të njohurisë nga mediat dhe interneti është shumë e lartë, pikërisht në këtë informacion masiv ekziston edhe rreziku i keqinformimit. Nëse një adoleshent nuk udhëzohet apo nuk shoqërohet nga prindi, në diskriminimin e informacioneve të marra nga bota e jashtme, rrezikon të idealizojë disa aspekte të seksualitetit, pra është themelor roli edukativ i prindit në këtë periudhë të rritjes.

Përse seksualiteti është kaq i rëndësishëm në adoleshencë?

Pas periudhës së latencës, fëmija hyn në pubertet, një fazë shumë intensive ku trupi dhe mendja pësojnë disa trasformacione themelore, të cilat i japin formë të rriturit. Tek vajzat forma e parë e pjekurisë seksuale, e cila lejon zhvillimin e vezoreve rreth moshës 11- 12 vjeç është menarka (mestruacionet e para), estrogjenet dhe androgjenet (hormonet seksuale) lejojnë zhvillimin e karakteristikave seksuale dytësore si rritja e gjoksit, përhapja e pushit dhe sekrecionet vaginale. Tek djemtë androgjenet lejojnë rritjen e gjatësisë dhe masës muskolare, uljen e timbrit të zërit, rritjen e penisit dhe testikujve. Rreth moshës 12-13 vjeç shfaqet dhe ejakulimi (jashtëdalja e likuid spermal). Zhvillimi i karakteristikave seksuale dytësore zgjat deri në moshën 18- 20 vjeç. Në këtë fazë ndërtimi i identitetit të adoleshentit është rrënjësisht i lidhur me idenittetin seksual, është vendimtare ndjesia e të ndjerit mashkull apo femër, dhe kjo ndjesi është në varësi të raportit me seksin e kundërt. Për adoleshentin/en është shumë e rëndësishme që partneri/ja i përzgjedhur të ligjërojë identitetin i tij, jo vetëm me një lidhje sentimentale por edhe me një raport fizik- seksual të kompletuar. Është natyrisht e rëndësishme që identiteti i adoleshentit të pranohet jo vetëm nga personi, por edhe nga familja dhe nga miqtë. Këtu hyn dhe përjetimi dramatik i mos pranimit të personave homoseksual dhe transeksual. Nga momenti që personi braktis fizikisht (por jo gjithmonë edhe mendërisht)statusin e fëmijës për të kaluar tek ai i të rriturit, adoleshenti percepton forcën dhe potencialin e tij seksual (trupi ndryshon tërësisht) dhe kalon nga praktika e autoerotizmit (masturbimi) tipik në periudhën e pubertetit, tek dëshira e madhe për të eksploruar trupin e tjetrit. Në këtë periudhë marrin jetë eksperiencat e para të puthjes, përkëdheljes, dhe eksplorimit seksual me një person tjetër. Kapaciteti i të lidhurit sentimentalisht dhe fizikisht me një person tjetër, lejon adoleshentin të ndjehet më afër botës së të rriturve. Lind këtu nevoja për të pasur njohuri të reja për raportet, lidhjet dhe botën e tjetrit, adoleshenti ndjen një urgjencë për ti dhënë kuptim identitetit të tij në tërësi, kjo fazë është e karakterizuar nga përpjekja për të arritur statusin e të rriturit.

Ndërkohë që fëmija adoleshent kërkon të marrë përgjigjet e duhura mbi dilemat ekzistenciale që karakterizojnë këtë fazë, në disa familje dialogu nënë/baba- fëmijë është i zëvëndësuar nga website, chat, video, filma dhe bota virtuale, duke krijuar informacione të gabuara rreth seksualitetit. Pra moskomunikimi, mosmbështetja, injorimi i fazës delikate dhe ndryshimeve psiko- fizike që adoleshenti përjeton në këtë fazë, bëjnë që i riu të kërkojë informacione në vende jo të këshillueshme.

Detyra e çdo prindi është ajo e të qënurit një “guidë”, e cila përgatit terrenin dhe drejton fëmijën ne asimilimin e atyre informacioneve që shërbejnë për një rritje të shëndoshë. Duhet të tregohemi ekstremisht të sinqertë dhe realist me fëmijët tanë, jetojmë në epokën e informimit masiv, ndodh që ndonjëherë duhet të dizinfomojmë fëmijët tanë nga njohuritë e gabuara që ato kanë marrë. Fakti që ato kërkojnë modele sjellje për të imituar i drejton në vende të gabuara për të marrë informacion, normalisht adoleshenti kërkon këto shembuj sjelljesh jashtë modeleve familjare, sepse ka nevojë të pasurohet më shumë shembuj jete, për të arritur të zgjedhë atë që më shumë e pasqyron. Në këtë kërkim, që bën pjesë dhe identiteti seksual, është e nevojshme prania e prindërit, i cili nuk duhet të delegojë apo injorojë këtë fakt duke heshtur, sepse me ose pa prezencën e prindërit adoleshenti rritet dhe në të merr formë personi i rritur.

Asnjëherë prindi s’duhet të mendojë që adoleshenti ka mjaftueshëm njohuri mbi seksualitetin, ose që çdo informacion është tepër shpejt ose që s’duhet të jetë prindi që jep të tilla informacione, sepse komunikimi prind-fëmijë është një dialog që askush s’do mund kurrë të zëvëndesojë. Çdo fjalë e thënë, e motivuar dhe e shpjeguar nga prindi ka për fëmijën më shumë se një vlerë informative, ajo ka një vlerë emotive, emocionet rrisin trurin e fëmijës së porsa lindur, dashuria me të cilën nëna dhe babai i flasin adoleshentit e ndihmon të ketë më shumë motivim për të kuptuar vetveten dhe sjelljen e tij përpara se të vendosi. Asnjë lajm i marrë në internet nuk informon mbi ndjenjat, sjelljen apo altruizmin, psikoseksuologët sot janë shumë të alarmuar për faktin që 74% e adoleshentëve kanë parë video/ film porno online. Shumica e të rinjve marrin si model performancën seksuale të aktorëve porno, pikërisht diskriminimi i realitetit ndaj aktrimit në këtë tematikë është një nga argumentet më të rëndësishme ku bazohet dizinformacioni. Komunikimi ndër breza është i vështirë, pikërisht nga fakti që prindërit kanë vështirësi të kuptojnë rolin e tyre (si katalizator) ndaj këtij aspekti jetësor, dhe nga ana tjetër adoleshentët nuk arrijnë të marrin informacionet e nevojshme nga to. Sa më shumë që vitet kalojnë pa prekur këtë tematikë, aq më shumë krijohen vështirësitë në dialog. Është e rëndësishme që prindërit t’i informojnë adoleshentët mbi rreziqet që shkakton seksualiteti i pandërgjegjshëm, por për të arritur të mbajë një sjellje të ndërgjegjshme një adoleshent duhet të jetë së pari i udhëzuar dhe informuar.

Prindi nuk duhet të presë pubertetin për të folur mbi ndryshimet psiko-fizike të njeriut, por duhet të sintonizohet me nevojat e foshnjes fillimisht, dhe më vonë të fëmijës në rritje, duke ju përgjigjur me fjalët që vetëm një nënë dhe një baba di të japë, ato që vijnë nga zemra, pse jo duke shprehur edhe vështirësitë e të shprehurit mbi këtë tematikë, sepse ai vetë ka përjetuar adoleshencën përpara fëmijës së tij adoleshent.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top