Adoleshenca për disa është ndër periudhat më të bukura të jetës. Bashkë me zhvillimin e tij fizik si dhe mendor ecin paralelisht me të ëndrrat, emocionet, dëshirat e pafundme, synimet për të ardhmen. Të gjitha këto, të udhëhequra nga dinamizmi, energjia e vitaliteti i kësaj moshe. E megjithatë, kjo është ndër fazat më delikate në jetën e kujtdo.
Më të shqetësuarit gjatë gjithë viteve të vështira që kalon fëmija, janë prindërit. Janë të shpeshta rastet kur ndërmjet dy gjeneratave ka momente konfliktuale, sepse nuk arrijnë të kuptojnë njëra-tjetrën. Mbyllen në dhomën e tyre dhe të gozhduar përpara ekraneve dixhitalë të kompjuterit apo smartphone-it. Në njëfarë mënyre kanë ndërtuar botën e tyre larg asaj reales. Udhëtojnë mes virtualitetit, falsitetit që gjendet nëpër rrjete sociale e pavarësisht kësaj, kjo është ajo çka realisht duan të bëjnë më tepër.
Por çfarë mund të bëjë prindi në këtë rast?
Duhet të ketë një komunikim më miqësor me fëmijën. Të flasë me të e t’i tregojë problemet që ka qëndrimi gjatë gjithë kohës përpara internetit. Të arrijë të gjejë mënyra të cilat në thelb të jenë produktive. Nëse ekziston mundësia ai të ndjekë kurse apo veprimtari kreative si arti, piktura, muzika, kërcimi, noti. Të ndjekë një shfaqje teatrale apo një film në kinema. Të merret me aktivitete sportive, të cilat ta ndihmojnë për të qenë sa më i shëndetshëm fizikisht.
Këto veprimtari për pak orë do ta mbajnë larg qëndrimit në celular. Gjithashtu, në përmbajtjen e tyre ato janë mjaft edukuese. Do ta mbajnë larg vese si droga, alkooli, duhani etj. T’i shpjegojë se pse që kur ai është 15 vjeç, nuk mund të bëjë tatuazh apo vajza të ketë dëshirë të mbajë piercing. Meqenëse prindi është më i rritur, i njeh rreziqet që i hasen trupit të njeriut si hepatiti, HIV-i e shumë gjëra të tjera nga bërja e një tatuazhi qe të shumtë janë ata që e bëjnë për qejf.
Problem tjetër është dhe problemi i socializimit. Të shumtë janë ata që ose kanë pak miq, ose kanë shume ose fare miq. Në fakt një pjesë e të rinjve arrijnë për fat të keq të jenë pjesë e një shoqërie të keqe. Normalisht që prindi nuk ka se si të jetë gjate gjithë kohës në kontroll të vazhdueshëm me fëmijën dhe nuk mund t’i njohë shokët dhe shoqet e tij/saj, por mund t’i shpjegojë se ndaj shoqërisë duhet te jetë sa më përzgjedhës. Por dhe siç përmenda më sipër, kurset dhe aktivitetet që ai do të zhvillojë e ndihmojnë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz. Do të njohë njerëz të rinj si dhe mund të krijojë miqësi me moshatarë që i bashkohen interesat dhe dëshirat.
Kështu njohja që do të krijojë si dhe raportet me gjininë tjetër do të jenë reale, fizike dhe jo thjesht virtuale nga interneti. Ky i fundit është ‘armiku’ i çdo shtëpie, sepse ka pushtuar të gjithë fëmijët. Prindër, ju drejtohem ju, sepse ju keni kaluar një adoleshencë ndryshe nga ajo e jona që rritet sot në mesin e të gjitha komoditeteve e mundësive të pafundme. Adoleshenca është faza më e vështirë, por jeni ju personi që ashtu siç e ndihmoni fëmijën që kur është fare i vogël të hedhë hapat e tij të parë ashtu dhe sot ju duhet ta kapni për dore që të kalojë këtu pak vite delikate që kërkojnë shumë kujdes. Sot, ata nuk mund t’ju kuptojnë ashtu si dhe ju.
Ndoshta nuk ia kuptoni ëndrrat e mëdha që kanë, dëshira që shpeshherë mund të dalin dhe jashtë çdo mundësie, por ju jeni mësuesit e vetëm dhe më të mirë që ata mund të kenë në jetë. Ndihmojini dhe do ta shihni që kur ai të ketë mbushur 18 vjeç e tashmë të jetë pjekur e të jetë i rritur, do të shihni përpara syve një që mbart vlera, e i transmeton ato te kushdo. Do të jetë nesër një njeri i denjë për këtë shoqëri e do t’ju jetë mirënjohës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.