Autoritet prindëror nuk do të thotë dhunë, tutelë dhe kërkesë e tejskajshme llogarie. Prindërit janë të prirur që t’i gjykojnë shpejt fëmijët e tyre, i akuzojnë, i kritikojnë, i përndjekin dhe kjo shpesh çon në një bllokim të urave të komunikimit… Ja çfarë rrëfejnë dy nxënës në gjimnazin “Petro Nini” në kryeqytet.
Nuk komunikoj me prindërit L. S, 16 vjeç, gjimnaziste në Tiranë
Me prindërit e mi nuk kam pasur ndonjëherë atë raportin e dëshiruar siç do doja unë të ishte. Janë të dy intelektualë, juristë në profesionin e tyre, por ndonjëherë më ngjan se ora u ka ngecur mbrapa në kohë. Kam shpesh konflikte me ta, për shkak se kërkojnë të dinë çdo gjë që ka të bëjë me jetën time.
Para disa ditësh, u vonova nga kursi për t’u kthyer në shtëpi, dhe sapo hyra brenda dëgjoj një seri britmash, të bërtiturash, pyetje që kërkonin përgjigje se ku isha, pse isha vonuar, pse nuk kisha lajmëruar, dhe në nerva e sipër ime ëmë më kërcënon duke më thënë shprehimisht se e kisha të ndaluar pjesëmarrjen në aktivitete jashtëshkollore, çdo takim me shoqërinë, madje më tha edhe se do më çonte dhe do më merrte me makinë në shkollë. Ndonjëherë më duket vetja krejt e pafuqishme, sepse prindërit e mi kanë fuqinë e ligjit në jetë e profesion, dhe supermacinë e autoritetit brenda mureve të shtëpisë. Detyra ime është vetëm të bindem. E shikoni, këto dy-tri pirsing në vesh dhe një tjetër në formën e gjethes së kanabisit, i kam vënë pa dijeninë e prindërve. I heq kur dal nga shkolla dhe i vë të nesërmen në mëngjes kur futem në oborr të gjimnazit. I pyeta prindërit paraprakisht duke u shprehur këtë dëshirë timen të moshës, thjesht çështje snobizmi. Ata më ndaluan në mënyrë kategorike. Dhe unë nga inati i bëra fshehtas, pa dijeni e tyre dhe jam shumë e lumtur për këtë.
Ika nga shtëpia që të ndëshkoja prindërit E. L, 17 vjeç, gjimnaziste në Tiranë
Prindërit e mi janë shumë autoritarë dhe tepër kërkues. Është një nga gjërat që nuk e kapërdij dot në raportin me ta. Sa herë që bëhem gati të dal apo të shkoj në ndonjë mbrëmje festive, babi më ndalon tek dera dhe më sheh nga koka tek këmbët.
Nuk më lejon veshje ekstravagante. Vish pantallona xhins më thotë, e T-shirt… e thjeshta është gjithmonë më e bukur për syrin! Të paktën kjo është teoria e tij. Më pyesin për çdo gjë dhe për asgjë. Ku ishe, kur do kthehesh, çfarë do veshësh? Më marrin shpesh gjatë ditës në telefon, aq sa pyes veten: vallë janë prindërit e mi, apo dy dedektivë me pagesë që dikush i ka vënë për të survejuar jetën time. Pyetje pa fund, kërkesë llogarie në çdo kohë… më ka ardhur vërtet në majë të hundës. Nisur nga këto situata të pakëndshme, vendosa të ikja nga shtëpia. Doja t’u jepja një mësim të mirë prindërve të mi, me idenë se edhe unë kam të drejtat dhe dëshirat e mia, kam nevojat e qejfet e moshës, e të gjitha këto janë pjesë e çdo stadi moshor, për sa kohë që nuk cenojnë mbarëvajtjen në shkollë e në mësime. Ata e zbuluan shpejt se ku isha fshehur, por edhe pas këtij veprimi timin, ata nuk ndryshuan qëndrim. Mbi të gjitha, unë jam një nxënëse e shkëlqyer. Shpresoj shumë se mbase ata kthejnë faqen e librit në marrëdhënie me mua, sepse duke më tuteluar gjatë gjithë kohës, nuk besoj se bëjnë gjënë e duhur me mua, vajzën e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.