Në fokus

May 1, 2019 | 8:10

Adoleshentët e sotëm nuk janë të përgatitur për jetën

Si funksionon bota e adoleshentëve? Për ta kuptuar atë, është e nevojshme të vlerësojmë ndryshimet fizike, konjitive dhe morale të kësaj periudhe…

Kohët kanë ndryshuar dhe gjenerata e adoleshentëve të sotëm është thellësisht e ndryshme nga ajo e prindërve të tyre. Për këtë arsye është gjithnjë e më e vështirë që t’i kuptojmë ata. Ndoshta duhet të bëhemi njësh me ta për të kuptuar pasiguritë dhe brishtësitë që ndjejnë, të cilat me sa duket i bëjnë më të paaftë që të përballojnë sfidat e vështirësitë. Edhe pse adoleshentët nuk do të ankohen kurrë, edhe ata kanë nevojë për prindër autoritarë, me të cilët duan të projektojnë bashkë të ardhmen.

Një fëmijëri kreative dhe e çlirët

Hapi i parë që duhet të kalojnë prindërit është që të kuptojnë se adoleshentët e sotëm janë thellësisht të ndryshëm nga adoleshentët që kemi qenë ne dikur. Në familjen tradicionale të brezave të kaluar, fëmijët shiheshin që në fëmijëri si të vegjlit që duheshin edukuar dhe civilizuar. Ata rriteshin nën diktatin e shprehjes klishe “duhet të bindesh”, “në fillim detyra, pastaj kënaqësia”.

Sot këtë model edukativ e kemi lënë pas dhe ka dalë në sipërfaqe një tjetër model, ku fëmijëve u lëmë gjithmonë e më shumë liri për të shprehur kreativitetin dhe talentet, sepse shihen si njerëz me mijëra mundësi, të cilat duhen kultivuar e ushqyer. Familjen e vjetër, që jepte urdhra dhe direktiva e ka zëvendësuar e ashtuquajtura familje e “nënës virtuale”, ku prindërit janë gjithmonë më pak të pranishëm fizikisht, krahasuar me të kaluarën, për shkak të angazhimeve të shumta.

Prindërit janë më pranë fëmijës emotivisht. Dhe në largësi organizojnë me përpikmëri çdo moment të ditës së fëmijës, me ankthin që të mos përjetojnë asnjëherë mërzinë dhe vetminë.

4 KËSHILLA PËR PRINDËRIT

  1. E kotë të tentoni t’i mësoni rregullat dhe ndëshkimet

Pasi kanë rritur një fëmijë kaq kreativ, ekspresiv e social, kur të arrijë në adoleshencë, prindërit nuk dinë se si të marrin situatën në dorë me një fëmijë që dëshiron të bëjë çdo gjë me “kokën e vet”. Të tentoni që të rivendosni një model të vjetër edukativ në moshën e adoleshencës, nuk është edukative, thjesht sepse nuk e keni ushtruar asnjëherë këtë model në fëmijëri dhe është e pamundur që ai të fillojë ta pranojë tani edukimin me rregulla e dënime. Fëmija nuk do ta kuptojë përse gjithë këto vite e keni shtyrë të jetë vetvetja, të shprehë ndjenjat, të shoqërohet, të jetë kreativ, të ketë shumë miq, dhe tani, në moshën e adoleshencës u vini frena, duke vënë rregulla, duke i larguar celularin dhe duke i mohuar internetin. Ndaj, si prindër, duhet të gjeni mënyra të tjera koherente me modelin edukativ që keni ndjekur deri tani. Në këtë mënyrë, ky model do t’i lejojë edhe prindërit të vazhdojnë të jenë një figurë autoritare referuese për fëmijën adoleshent.

  1. Ulni zërin dhe ruani qetësinë

Përballë sjelljeve sfiduese apo reagimeve të tepruara nga ana e fëmijës, duhet ta menaxhoni konfliktin duke sheshuar sa më shumë të jetë e mundur situatën: nëse ai ulëret, mos ulërini ju, nëse largohet i inatosur, mos u largoni ju. Një prind që është me të vërtetë autoritar duhet të dijë se si t’i përmbajë sjelljet më irrituese, pa u përfshirë emotivisht. Në momentet e krizës, duhet t’i qëndroni pranë, t’i jepni mundësinë të shprehë pakënaqësitë e veta, ta ndihmoni të nxjerrë jashtë burime të reja, në mënyrë që të hedhë frustrimin pas krahëve. Fëmija duhet të rritet në pavarësi dhe të jetë i përgjegjshëm, por pa e lënë vetëm përballë problemeve.

  1. Gjeni zgjidhje nëse nuk shkon mirë me mësime

Nëse fëmija juaj nuk shkon mirë me mësime, mos e qortoni, por mundohuni të kuptoni se pse e ka kaq të vështirë të qëndrojë vetëm në dhomë duke mësuar. Sot vetmia shihet si një gjë negative, të cilën duhet ta largojmë me çdo kusht dhe fëmijët nuk janë mësuar të qëndrojnë vetëm për të mësuar. Ndaj kërkoni alternativa: mund të mësojë me një shok apo me një person që e sheh si figurë autoritare. Kjo gjë mund ta ndryshojë situatën.

  1. Nëse situata është serioze, më mirë kërkoni ndihmë

Nëse kuptoni se fëmija juaj po përjeton një situatë shqetësuese më serioze dhe e shfaq atë me gjeste agresive kundrejt të tjerëve apo vetes dhe ju si prindër nuk e përballoni dot këtë gjë, ndoshta është rasti t’i drejtoheni një specialisti që mund ta shohë nën një këndvështrim më të mirë situatën dhe t’ju japë çelësin e duhur për të lexuar e kuptuar disa sjellje të fëmijës.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top