Përvoja, të bën më ekspert në lidhje me gratë?
Më së shumti, po. Por kjo nuk është absolute. Përvoja nganjëherë bëhet dije e keqe, instrument aktorial, që prodhon lëndime, mizori, donzhuanizma. Ndodh ndryshimi nga “arti” në “craft” (shkencë, zeje) dhe shkenca nuk ka emocionet humane të artit, pasi është e instrumentalizuar për rezultatin. Mungesa e përvojës e idealizon femrën dhe çdo i dashuruar pa përvojë është poet. Dihet, se poeti kërkon diçka ideale tek femra. Ai e vështron shpirtin e saj me mikroskop, ndërsa këmbët, me teleskop. Është tjetër punë përvoja në marrëdhëniet bashkëshortore ku luan rol njohja e imtësishme e anëve të karakterit, sistemit të ndjeshmërisë, “tabuve” etj. Atëherë përvoja ka rolin vendimtar në mbajtjen e një klime të shëndoshë shpirtërore në bashkëjetesë. Është pak a shumë si me ekspertët e minave, që dinë të mos hedhin hapa të gabuar në një fushë të minuar.
Vlen më shumë të njohësh shumë gra apo të njohësh më shumë të njëjtën grua?
Cila është rruga më e mirë për të kuptuar gruan, mënyrën se si ajo funksionon në lidhje me dashurinë? Më duken të dyja mënyrat të vlefshme. Megjithatë, mendoj se njohja e shumë grave i ndihmon subjektit mashkullor për të krijuar një ide paksa totalizuese për femrat, por në një bashkëjetesë nuk do të kesh punë me shumat e përvojave të tua. Një grua, për mua, nëse flasim metaforikisht, është një qytetërim. Shumë qytetërime dalin huq, në lidhje me një qytetërim të dhënë, autentik. Prandaj duhen mësuar ligjësitë e funksionimit të qytetërimit, me të cilin ke zgjedhur të bashkëjetosh. Përndryshe, qyteti të përjashton dhe ti e sheh veten një ditë në gjendje lufte me të. Gruaja është shumë më parimore se burri për sa i përket higjienës së privatësisë në familje. Mbretëria e saj, familja, duhet të mbetet e pacenuar nga çdo vërshim i “jashtësisë”. Edhe kur, fjala vjen, burri sjell, pa e planifikuar, një njeri të huaj në shtëpi, reaksioni i gruas është negativ. Ajo duket sikur thotë qortueshëm: “Me ç’të drejtë?”. Gjëja më e drejtë për t’u kuptuar dhe mirëkuptuar me një grua është ta bësh bashkëpjesëmarrëse me ëndrrat, shqetësimet dhe projektet e tua. Të flasësh me sinqeritet, t’i kërkosh ndihmë, të dish ta falënderosh e t’ia çmosh vetitë dhe nëse ke vërejtje për të, mundohu të zgjedhësh momentin dhe tonalitetin e duhur të humorit, për të qeshur së bashku. Përndryshe, gratë e përjetojnë mjaft dhimbshëm qortimin, kritikat e ashpra, e mos o Zot, fyerjen. Nëse do t’i bësh bashkëmendimtare, bashkëpërjetuese, bashkëpunëtore, gratë kanë një forcë, kthjelltësi dhe mirëkuptim që s’e kanë pasur e s’do ta kenë kurrë burrat. Dhe jo vetëm bashkëshortet, por në përgjithësi gruaja si natyrë.
Nëse mëson të arsyetosh si një grua… gruaja jote do të të vlerësojë?
Po, por vetëm në sensin praktik të gjërave. Për gruan është i domosdoshëm karakteri mendimtar i burrit, trajektorja e arsyetimeve të tij, logjika e beftë dhe këmbëngulja. Nëse nuk do të kishte tjetërsi në konstruktin dhe origjinën e arsyetimit, atëherë, sigurisht, gruaja do të të kuptojë, por ti do t’i përngjaje njërës prej shoqeve të saj. Nuk është kjo që kërkon një grua prej burrit të vet. Ajo ka nevojë nga pavarësia e të arsyetuarit të burrit, edhe pse përkohësisht mund të mos jetë dakord. Është shumë e rëndësishme të jesh vetvetja, të mos bëhesh vazhdim i projeksionit mendor të gruas. Përndryshe nuk ka zhvillim, nuk ka tjetërsi, nuk ka origjinalitet. Konsensusi i përbashkët burrë-grua nuk është njëjtësi, siç duan ta shpërfaqin sot receptuesit banalë të feminizmit.
Sa të lehtë e ka një burrë të kuptojë se një grua kërkon një mënyrë tjetër arsyetimi? A mundet një burrë t’i përshtatet gruas?
Sigurish mundet, por rezultati do të jetë i vajtueshëm, në radhë të parë, për gruan. Asaj do t’i duket se jeton brenda mureve të një monologu monoton, pa oponencë dhe do ta zërë malli për prirjen e arsyetimit burrëror. Përfundimi është ky: ajo do ta gjejë këtë tek një burrë tjetër, ndërsa i shoqi do t’i duket si një shok i ngushtë gjimnazi. Përshtatja, të mos keqkuptohemi, vlen për raste të bashkëpunimit në punët familjare, por jo në origjinalitetin e të arsyetuarit. Kjo nga një pikëpamja i ngjet servilizmit, tëhuajësimit dhe shfytyrimit. Të lëshosh armët me të cilat të ka pajisur natyra. Kjo është mahnitja: dy sisteme të pavarura arsyetimi që bashkëpunojnë dhe pikëtakohen gjithmonë në një marrëveshje. Dialogu është gjithnjë i gjallë e produktiv. Në të kundërt, dialogu është shterpë. Personalisht e kam të lehtë të arsyetoj si një grua dhe e kam bërë këtë në letërsi, duke e njohur botën e femrës. Por s’ka pse ta luaj atë lojë në jetë!
Cilat janë ankesat që keni marrë (në mos i merrni) nga gruaja juaj, lidhur me kodet dashurore (që duhet të jenë të ndryshme)?
Si gjithmonë… surprizat, dhuratat, komplimentet, vëmendja në tërësi, e cila duhet patjetër të demonstrohet. Ne burrat harrojmë t’i përsërisim disa zakone të mira, që përfshijnë këto sinjale vëmendjeje. Të kërrusur nga përditshmëria e rëndë, mendojmë se gjithçka është në rregull, por… gruaja është si kalendari ciklik, që duhet rifreskuar, përtëritur, për të thyer linjën e njëtrajtshmërisë monotone. Nganjëherë unë arrij t’i kap sinjalet, që shprehen në mënyrë paradoksale: ime shoqe më blen një dhuratë. Nënkuptimi është ky: “Po ti, ti, pse nuk kujtohesh ta bësh këtë gjë?”. Kurse kodet dashurore të intimës gjejnë udhë vetë, sapo gjatë orëve e ditëve të lehtësohet paksa ngarkesa e punëve dhe kujdesit për fëmijët.
Ankesat femërore ju bëjnë thjesht të kuptoni ndryshueshmërinë, apo të ndryshoni?
Thjesht më vrasin në ndërgjegje. Më kallin një keqardhje vetëkritike dhe më kujtojnë atë transformimin antidarvinian, që kafshën, aq sa e ka bërë puna njeri, aq mund ta kthejë prapë në kafshë. Ankesat më bëjnë të përshtatem, të kem një tjetër përgjegjësi, por jo të kuptoj më shumë mbi ndryshueshmërinë.
Burrat duan duke u nisur nga trupi. Është joshja e formave femërore që i udhëheq në zgjedhjet e tyre. Gratë dashurohen sidomos me një burrë të aftë për t’i vlerësuar, admiruar dhe veçanërisht për t’i udhëhequr. E keni vënë re një gjë të tillë? Cili është rasti juaj?
Nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe. Burrat duhet të tërhiqen nga format sensuale, që perceptohen, përndryshe do të kishim diçka të përçudshme, të sëmurë. Përfytyroni një burrë që ka rënë në dashuri me një ide, fantazmë apo haluçinacion. Apo një burrë që ka rënë në dashuri me një trajtë zoomorfe. Shkurt, kartëvizita tunduese e estetikës erotike të një burri nuk mund të jetë një femër e shëmtuar, pa sharm, sado engjëll qoftë ajo së brendshmi. Për mua ka pasur rëndësi të madhe tërheqëse fytyra, simetria e tipareve, sytë. Nuk e di se çfarë i tërheq gratë tek burrat. Ndoshta mund të jetë ajo që thoni, por më duket se ka pak nga reminishenca prindërore. Mbetet mister, e ndoshta misteri më i madh ajo se çfarë e orienton te mashkulli “afërinë zgjedhore”. Tek libri biblik, “Ekleziasti”, kemi këtë proverb numëror: “Tri gjëra janë për mua tepër të vështira, madje të katërtën s’e marr vesh aspak: udhën e shqiponjës nëpër ajër, udhën e gjarprit nëpër qetë, udhën e anijes nëpër det dhe udhën e burrit drejt femrës”.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.