Sapo kishte ardhur nga Greqia. Me plane dhe projekte që ngasnin kureshtje. Gjithçka e kishte të mirëorganizuar. Skenari priste vetëm të zbatohej. Bëhet fjalë për disa vite më parë, kur në zyrat e ish-Telenorbës, televizionit që sot nuk ekziston më, do të realizonte emisionin e ngjashëm me atë të një televizioni grek në kërkim të njerëzve të humbur. Mision i vështirë, që kërkonte pasion, përkushtim moral dhe emocional, për t’iu gjendur në ndihmë, falas, shumë familjeve shqiptare që kishin të afërmit emigrantë. Fillimi ishte i mbarë. Ata që i dhanë mundësinë e bërjes së këtij emisioni e pritën mirë. Dhe starti pati sukses. Aq sa për një kohë të shkurtër, u bë formati më i shikuar televiziv duke gjetur dhe zbardhur mjaft dosje që prej vitesh konsideroheshin të zhdukura. Në këtë marrëdhënie bashkëpunimi me shumë njerëz, për themeluesen e emisionit Aida Shtino aspak nuk qe e lehtë. Përtej dëshirës personale, ky raport do të kishte ngarkesat e veta. Negative, ndoshta më shumë se kaq, për shkak të egove personale, inateve me qëllim suksesi dhe sipërmarrjeje që nuk i lejonte të identifikoheshin më shumë se sa vetë drejtuesja që mishëronte gjithçka në funksion të një arsyeje më madhore morale që ishte gjetja e të humburve. Aida tregon se vijueshmëria e ngjarjeve solli që ajo ta zhvendoste formatin në një tjetër ekran televiziv, porse zhgënjimi ishte i madh. Kishin gabuar me të. “I kam pasur shumë pranë, kam investuar shpirtërisht për ta qoftë dhe nga ana intelektuale. Më kanë ‘vrarë’. Por këto gjëra ndodhin në jetë. Nuk mund të të ecin të gjitha gjërat vaj. Çdo njëri nga ne ka aspiratat dhe ambiciet. Është dashur kohë ta kapërcej këtë ndjenjë. I kam bërë pyetje vetes ku kam gabuar. Sepse mendoja se në çdo marrëdhënie, kur ndodhin ndarje apo shkëputje të dyja palët kanë faje. Pas disa kohës, pas një analize, nxora gabimet e mia për të mos i përsëritur në të ardhmen. Jam mundur t’i anashkaloj ata njerëz”. Për Aidën nuk ka pasur nevojë të kishte debate. Ç’kishte për të ndodhur u bë. Fati ndoshta sipas saj e solli ashtu. E megjithatë edhe pse i duhej të vuante këtë ndjesi, e la pas krahëve për të vijuar qëllimin që kish nisur me “Njerëz të humbur”. “Por erdhi momenti që të më kërkojnë falje. Tentuan pas disa kohësh. Kanë ardhur, më kanë trokitur, kanë pasur kurajën megjithatë unë kam bërë sikur i kam harruar. Çfarë ka kaluar, ka kaluar. I kam falur sepse jeta është e gjatë. Nuk ke pse të krijosh armiqësi. Nuk do të jemi gjithmonë në këtë jetë”. Dhe falja kishte nota më pozitive se kaq. Aida tregon se gjithnjë është përpjekur të jetë e kujdesshme në punën e saj, nisur dhe nga eksperienca e saj në shtetin fqinj, ku shkruante për një gazetë në gjuhën shqipe. Edhe pse ka kaluar situata të tilla ajo vlerëson se njeriu të paktën, në virtytin e tij duhet të ketë parësore mirënjohjen. Ai që nuk është i tillë nuk ka asgjë të japi, as për vete dhe as për shoqërinë”. Por gabimet nuk ndodhin vetëm në marrëdhënie pune. Në raport me djalin e saj 17-vjeçar Brendon, Aida tregon se lidhja e tyre i ka natyrshmërisht dhe momentet e gabuara, sidomos në lidhje me arsimimin. “Më ka ndodhur shpeshherë. Në rast se ai gabon, unë patjetër duhet t’ia vë në dukje, duke ia argumentuar. Ka pasur raste që edhe ai më ka vënë në dukje se kam gabuar diku”.
Sipas Aidës…
Mendoj se njeriu që në vogëli duhet të edukohet të mësohet të fali dhe ta falin. Është një ndjenjë e cila kapërcen çdo pengesë. Të falësh do të thotë të kapërcesh egoizmin personal dhe të hapesh përpara qenies tjetër njerëzore duke dhuruar vetëm dashuri. Kanë thënë se të gabosh është njerëzore ndërsa të falësh është fisnike. Mendoj se gjëja më e mirë që kemi ne njerëzit dhe duhet ta vëmë në zbatim është të falësh. Secili nga ne gabon sipas mënyrës së vet. Ajo që është e rëndësishme është që ti të mësosh nga gabimet brenda ndërgjegjes tënde dhe pse-në. Njerëzit që pranojnë gabimet dhe dinë të thonë më fal, mendoj se janë ata të cilët në njëfarë mënyrë janë më të pastër në ndërgjegjen e tyre. Nuk kanë turp të thonë më fal.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.67
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.