Marrëdhënie

June 27, 2016 | 9:30

Aida & Tritan Shehu: Në çift kompensojmë njëri-tjetrin!

Terreni ku u njohën me njëri-tjetrin u shërbeu si toka e duhur për të kultivuar marrëdhënien e tyre… Ai mjek me karrierë të konsoliduar, ndërsa ajo ende studente. Por, ky fakt nuk e zmbrapsi Aidën, bashkëshorten e politikanit Tritan Shehu për të përjetësuar ndjenjat e tyre, dhe sot pas 33 vitesh së bashku ata janë shembull konkret i jetëgjatësisë dhe rezistencës në një raport në çift. Sigurisht që pikënisjet nuk i ngjajnë viteve familjare mes detyrimesh prindërore. Gjithnjë kanë kompensuar njëri-tjetrin, çështje karakteresh… ai i qetë dhe racional, ajo impulsive, diku pak më e rrëmbyer… për të krijuar një lidhje thjesht unike!

Me kalimine viteve partnerët zbulojnë gjëra të reja te njëri-tjetri. Si ia keni dalë t’i pranoni të kundërtat e bashkëshortit tuaj?

Jeta është një proces i vazhdueshëm njohjeje, jo vetëm në marrëdhënie të shoqërisë, miqësisë, apo raporteve të punës, por edhe të atyre bashkëshortore. Edhe martesa nuk mund t’i shpëtojë këtij rregulli. Është një proces i gjatë njohjeje e përshtatjeje. Përsa i përket marrëdhënies sonë, sigurisht që si të gjitha marrëdhëniet ka pasur vështirësitë e përshtatjes pasi ne jemi karaktere të ndryshëm… Tani tip i qetë dhe shumë racional, unë impulsive dhe shpesh e rrëmbyer. Isha shumë re kur u lidhëm dhe frekuentonim ambiente të ndryshme. Sapo kisha filluar fakultetin, ai një mjek i konsoliduar në profesionin e tij, por dëshira ishte e madhe nga të dy që jo vetëm ta kalonim jetën së bashku, por edhe me dashuri, respekt e mirëkuptim, gjë që për mua përbën thelbin e një marrëdhënieje. Duke qenë se Tani ishte më i pjekur për vetë moshën, përvojën dhe punën e tij me njerëzit, i bënte gjërat më të lehta. Por nga ana tjetër, të dy kemi lëshuar nga vetja për të arritur në këtë marrëdhënie që kemi sot. Asnjeri nuk ka bërë kokëfortin, asnjeri nga ne nuk i është imponuar tjetrit, por edhe kur kemi pasur apo kemi hatërmbetje apo pakënaqësi i vëmë në dukje me diplomaci. Edhe sot mbas 33 vjetësh, kur dua t’i kërkoj diçka apo t’i them ndonjë gjë të rëndësishme pres ditë dhe përpiqem të gjej çastin e duhur.

A flisni me bashkëshortin për pikat e dobëta dhe cilat janë fjalët, gjestet dhe sjelljet që ju lëndojnë?

Sot mbas kaq shumë vitesh bashkë, mendoj se e njohim aq mirë njëri-tjetrin sa i them shpesh, se e kuptoj edhe nga mënyra se si merr frymë se çfarë ka në mendje të më thotë… Sigurisht që nuk ka qenë kështu në fillim, por një favor e kemi pasur pasi si unë ashtu edhe Tani jemi karaktere të hapur, të sinqertë, të lexueshëm menjëherë, kështu që nuk na është dashur shumë përpjekje për t’u përshtatur. Ne dimë të kërkojmë dhe falje aty ku e kuptojmë që e kemi tepruar. Nuk mbajmë mëri.

A e keni kurajën ta refuzoni atë që e mendoni si të papranueshme?

Fatmirësisht në marrëdhënien tonë mesazhet kanë qenë gjithnjë pozitive. Të dy jemi tipa pozitivë, çdo gjë e shohim me pozitivitet, me optimizëm. Kurrë nuk e lëmë veten të na mposhtë negativiteti.

Sa ndikon në një lidhje roli i femrës në ecurinë e projekteve dhe familjes së shëndoshë?

Për mendimin tim, roli i femrës është vendimtar në familje. Është ajo që lind fëmijët, merret me edukimin e tyre, është ajo që përpiqet të krijojë një ambient të ngrohtë e të shëndetshëm në familje, është po ajo që çon përpara familjen dhe është po ajo që mban shtëpinë hapur për miqtë dhe të afërmit. Është gjithashtu ajo që përpiqet të ecë përpara vazhdimisht edhe nga pikëpamja profesionale. Kam bindjen absolute se kyçi i të gjitha sukseseve apo dështimeve të një marrëdhënie dhe logjikisht një familjeje është gruaja, pa lënë mënjanë rolin e rëndësishëm të bashkëshortit. Sigurisht, në një marrëdhënie dypalëshe roli është i përbashkët.

Ju pëlqen të përfshiheni në situata të ndryshme zgjedhjesh për të marrë më të mirën nga to?

Jo, jam shumë e hapur dhe e drejtpërdrejtë. Por, edhe indiferente, ndaj mundohem t’i largohem situatave të vështira dhe zgjidhja e tyre nuk varet nga unë. Kur jam e detyruar të përballem me situata të vështira u shkoj deri në fund me kurajë dhe shumë zhurmë. Më mirë deti me dallgë se sa këneta me ujin e ndenjur.

Mendoni se për të pasur një raport të shëndoshë nevojiten sakrifica nga të dy?

Çdo familje sipas specifikave të saj bën sakrifica. Disa herë këto i bëjnë gratë, disa herë të tjera burrat, varet… Nuk mendoj se më është dashur të bëj ndonjë sakrificë të llojit të veçantë. Jam shumë praktike dhe me këmbë në tokë. Jam realiste dhe ky është një nga tiparet që çmoj më shumë te vetja. Që në fillim kam bërë një bilanc: cili nga ne është më i zoti, cili i jep më shumë familjes, cili është më i spikatur në fushën e tij? Tritani, oburra të gjithë në funksion të tij. Nëse nuk e ndihmojmë dot në profesionin e tij, të paktën ta lehtësojmë nga çdo gjë tjetër, në mënyrë që ai të punojë i qetë, pa andralla.

Psikologët thonë: “duhet të jesh i aftë ta shohësh tjetrin duke u rritur dhe krijuar përvojën pa u trembur”…

Është mëse e vërtetë. Njeriu nuk mëson vetëm nga librat, filmat apo përvoja botërore. Ai duhet të mësojë nga gabimet e veta. Të gjithë kemi gabuar dhe gabojmë, por përvoja e fituar dhe mësimet e nxjerra nga gabimet, janë thelbësore. Njerëzit ndonëse në heshtje dhe pa e pranuar në sy të tjetrit, nxjerrin mësime nga gabimet. Sensi i autokritikës është mjaft i theksuar në qenien njerëzore. E rëndësishme është të falësh, pasi jeta është vetëm një dhe nuk duhet jetuar me mëri.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.70

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top