Mjekët kinezë e quajnë fytyrën ‘pasqyrë e shëndetit’, duke qenë se lëkura reagon ndjeshëm ndaj çdo keqfunksionimi dhe ndryshimi në trup. Ja se cilat janë disa nga problemet në organizëm, të cilat shfaqen me anë të akneve në fytyrë…
Ballë dhe vetulla
Puçrrat në ballë ose sipër vetullave, në shumicën e rasteve tregojnë për probleme të caktuara gastrointestinale. Përpiquni ta rregulloni këtë situatë duke eliminuar nga dieta juaj ushqimet e skuqura dhe me shumë yndyrë. Gjithashtu evitoni konsumin e lartë të alkoolit.
Hundë
Puçrrat në hundë paralajmërojnë për probleme në sistemin kardiovaskular, të cilat kanë si shkaktar kryesor stresin. Përpiquni të bëni një mënyrë jetese më aktive, qetësohuni dhe bëni një gjumë të rehatshëm.
Veshë
Sipas mjekëve kinezë, lëkura e veshit lidhet ngushtë me mënyrën e funksionimit të veshkave dhe sistemit urinar. Nëse keni puçrra në vesh, ju duhet të kufizoni konsumin e kripës dhe kafes, si dhe duhet të pini sa më shumë ujë.
Mollëzat e faqeve
Mollëzat e faqeve dhe pjesa e sipërme e tyre pasqyrojnë funksionimin e mushkërive dhe bronkeve. Aknet e shfaqura në këto pjesë të fytyrës mund të tregojnë për probleme me sistemin respirator. Alergjitë mund të jenë gjithashtu një arsye e shfaqjes së tyre. Ndërsa aknet në pjesën e poshtme të faqeve mund të tregojnë se keni probleme me dhëmbët. Kushtojini vëmendje aparatit të frymëmarrjes. Mbi të gjitha, ecni shumë, merrni ajër të pastër, hiqni dorë nga duhani. Tregoni kujdes me higjienën orale, konsumoni më pak ëmbëlsira, si dhe evitoni pijet me gaz.
Buzët
Problemet dermatologjike përreth gojës na sinjalizojnë për ndonjë shqetësim që mund të lidhet me sistemin e tretjes. Përpiquni të shmangni fast-food-et. Përfshini në dietë sa më shumë ushqime të pasura në fibra, si fruta dhe perime.
Mjekërr
Aknet në këtë pjesë të fytyrës sinjalizojnë më shumë ardhjen e ciklit menstrual. Por, mund të jenë shenjë edhe e ndonjë çrregullimi hormonal apo problemi me sistemin riprodhues. Nëse aknet në këtë zonë ikin shpejt, nuk është gjë për t’u shqetësuar. Në rast të kundërt, duhet të konsultoheni me një mjek.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.