Nga Orjona Tresa
Ishte vetëm 5 vjeçe, një trup i njomë, me linja të holla, dhe me finesën elegante për të ndjekur atë që për të sot sinjifikon të ardhmen si profesioniste. Bashkëngjitur emrin e veçantë, atë të një guri të çmuar, Akreoma Saliu ndihet me fat për të gjithë investimin serioz që i ka shënjuar rrugëtimin si balerinë, ndërsa mirënjohja shkon për pedagogun e saj të “Albanian Dance Theater Company”, Gjergj Prevazi.
Në moshën 19-vjeçare, Akreoma thotë se ndjeu fluturat e para në stomak për dansin kontemporan, i cili njihet shumë pak në vendin tonë. Emocionet për ta shpërfaqur këtë talent përmes figurave koreografike, arriti ta fitojë si betejë në prezantimin edhe te publiku. Kjo ishte sfida që i solli suksesin e pastër, që më vonë do të shndërrohej me pjesëmarrje të rëndësishme në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental. Dy shfaqjet “Equus” dhe “e Vërteta e Marias” janë kompeticionet më të arrira.
Akreoma, një emër jo i dëgjuar (për mua), por si një përcaktim që ndjell fatin në një jetë ndryshe nga e zakonshmja. Kush jua ka vënë këtë emër dhe çfarë sinjifikon ai për ju?
Emri, impakti i parë. Falënderoj gjithmonë babin tim që e ka menduar. Kuptimi i emrit vjen nga greqishtja, është simbol i një guri të çmuar.
Besoni ju te fati dhe sa ndikuar emrin juaj në këtë dimension?
Unë e krijoj vetë çdo gjë rreth meje, përfshirë këtu dhe fatin tim. Nuk e di a ka ndikuar emri, nuk e besoj këtë!
Cili është arti që ju përfaqësoni dhe sa mbështetje keni gjetur në një vend të vogël si Shqipëria?
Unë merrem me danc kontemporan. Momentalisht jam kërcimtare e “Albanian Dance Theater Company”. Përgjithësisht kemi hasur probleme me financimin ne artistët e rinj.
Linjat tuaja reflektojnë shumë mund, djersë, lodhje, punë bindëse dhe ambicie për të realizuar performanca të arrira në skenë. Kujt i jeni mirënjohëse për futjen në rrugën e dancit dhe cilëve për përkushtimi profesional që ju kanë dhënë (pra mësuesve)?
Është shumë i rëndësishëm investimi që një kërcimtar bën për veten, duke përfshirë orët e punës dhe investimin për kujdesin ndaj vetes. Gjithmonë mbas arritjeve të mia qëndron koreografi Gjergj Prevazi.
Cilat janë rolet më të arrira dhe kompeticionet më mbresëlënëse në rrugëtimin tuaj artistik?
Për sa i përket vitit të fundit, dua të përmend shfaqjen e “Vërteta e Marias” dhe “Equus”, përkatësisht në Teatrin Kombëtar dhe Eksperimental.
Regjistroni titujt në angazhimin tuaj të hershëm në dans?
Regjistroj certifikata dhe mirënjohje nga “Albania Dance Meeting Festival” dhe “Verë në Epidamn”.
Arti i kërcimit është një gjini që flet me gjuhës së trupit. Sa rëndësi ka kjo gjë për ty edhe në jetën e përditshme?
Dua të them që jam shumë e lumtur që gjuha e trupit arrin të komunikojë kaq shumë dhe unë bëhem kaq e kuptueshme për audiencën vetëm nga komunikimi verbal. Por nuk është vetëm trupi më i rëndësishmi. Trinomi mendje-shpirt-trup është ideali.
Në psikologji, terapia e kërcimit është një gjini shumë e njohur për rifitimin e qetësisë, shmangies së stresit, rimarrjen e energjive të reja etj. Funksionon edhe për ty kështu?
Pa dyshim që po. Plotësisht e vërtetë. Unë, nëse ushtrohem, funksionoj si qenie.
Cilat janë pritshmëritë tuaja në të ardhmen?
Zhvillimi individual dhe profesional është shumë i rëndësishëm për mua. Synoj skenat ndërkombëtare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.