Më lejoni t’ju them që, populli shqiptar i ka përkëdhelur të gjithë njerëzit që merren me art, duke i quajtur ARTISTË. Jo çdo aktor, jo çdo piktor, jo çdo balerin, jo çdo kompozitor…etj., etj., është artist. Shumica janë njerëz të zakonshëm që fati dhe talenti i tyre në një drejtim të caktuar i ka bërë të aftë të merren me profesionet përkatëse.
Artisti është tjetër gjë.
Na vjen mirë kur na quajnë të tillë, por nuk jemi të tërë. Aktorët kanë fatkeqësinë që në skenë flasin me gjuhën e autorit, qofshin këta të mëdhenj apo të vegjël. Publiku i vlerëson “artistët” në bazë të asaj çka ai ka parë në ekran ose skenë.
Gjykimi për një aktor është i saktë në bazë të krijimtarisë dhe emocioneve që ai ka përcjellë. Por, kur dëgjon aktorin “X” të flasë jo me gjuhën e autorit ose dramaturgut, por me gjuhën e tij, atëherë fillon një gjykim i dyfishtë. Gjykimi si aktor dhe gjykimi si njeri.
Lum ai aktor që mundet të jetë i barasvlershëm.
Është i njohur fakti që, populli beson më tepër fjalët dhe gjykimet e një artisti sesa ato të një politikani, i çfarëdo ngjyre qoftë.
Pra, artistët nuk janë politikanë.
Ato synojnë të bëjnë politikën e tyre gjithmonë antagoniste me çfarëdolloj shteti ose pushteti dhe kjo i ka bërë të dëgjueshëm dhe të besueshëm.
Por, kur artistët kalojnë nga një llogore në tjetrën, nga një “po” në një “jo”, nga një qëndrim patetik në mbrojtje të godinës së teatrit kombëtar, e mira do të ishte të na bënin publike arsyet e ndërrimit të llogores.
Disave pushka i ka mbetur ngrehur në llogoren e tyre.
Nuk dinë kë të qëllojnë dhe pse ta qëllojnë. Vetëvrasja është rruga më fatlume për ata që ndërrojnë llogoren. Ose shantazhi, ose joshja, ose premtimet për favore të mëpastajme mund ta detyrojnë qenien njerëzore të çedojë. Por jo 180 gradë. Kjo është mungesë karakteri, dhe populli që ka besuar tek ne si artistë, nuk do të na besojë më, siç nuk beson politikanët tanë.
Ajo për të cilën më vjen keq, është fakti që komuniteti teatror është i përçarë dhe i përdorur, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta. Fakti që aktorët e teatrit kombëtar, sikundër edhe unë, merremi me politikë, vjen nga fakti që politika ka ndërhyrë tek ne.
Nuk dua të jem njeri politik, por kam detyrim moral të përdor politikën time kundër politikës së mbrapshtë. Peticionet pro ose kundër shembjes së teatrit, për mua nuk vlejnë asnjë grosh. Nuk kam nënshkruar asnjë peticion, sepse më mjafton zëri im.
Në qoftë se gjithsekush do të përdorte zërin e tij dhe fjalën e tij, nuk do kishim nevojë për peticione false. Shembja e Teatrit Kombëtar do të jetë një mëkat i madh për ata që do të vendosin dhe do ta ekzekutojnë. Nuk është, siç thonë, e vetmja alternativë që duhet të shembur ky teatër dhe po aty të ndërtojmë një i ri bashkëkohor.
Kush e garanton që ky teatri i vjetër 70-vjeçar, i zëvendësuar nga një teatër bashkëkohor sipas tyre, mbas 100 vjetësh nuk do të konsiderohet teatër i vjetër, i cili duhet shembur dhe mbi të, të ndërtohet një i ri me parametrat bashkëkohorë të asaj periudhe.
Pra, “bashkëkohorja” gjithmonë mund të kthehet në vjetërsirë.
I bëj thirrje çdo ndërgjegjeje artistike të prononcohet me argumente, qofshin këto pro ose kundër, që të mundemi të kemi një refleksion të qartë dhe transparent për atë çka mendojnë artistët.
Një firmë nuk vlen asgjë përpara një prononcimi publik. Duke qenë njerëz publikë, e kemi për detyrë të jemi publik edhe me mendimet dhe gjykimet tona për çka po ndodh dhe çfarë mund të ndodhë me godinën e Teatrit Kombëtar.
Ju ftoj të tërëve të replikoni, dhe mirëpres çdo mendim kundër. Vetëm ju lutem, jo nëpërmjet portaleve apo faqeve personale sociale, sepse unë nuk kam as Facebook, as adresë E-maili, as Instagram, as Twiter, asgjë virtuale. Pra, nuk jam “bashkëkohor” dhe “vjetërsira” si unë mbase duhen shembur, se i ka kaluar koha?!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.