Në fokus

May 16, 2017 | 9:18

Aktorja rrëfen luftën me sëmundjen: “Të dorëzohesh? Absolutisht jo…”

Aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Bakie Barboçi, i ka rritur të gjithë fëmijët me rolet e saj. Sot, ndoshta jo të gjithë ia kujtojnë portretin, por sapo të përmendsh Kokashtën, Kacamistrin apo Tipin, menjëherë të vjen në mendje kush është aktorja e madhe e Teatrit të Kukullave dhe dhjetra rolet nepër vite.

1

Prej mëse 12-vjetësh tashmë Bakia është në pension dhe i është përkushtuar tërësisht dy nipave, por, edhe pse sot jeton e qetë dhe e lumtur me familjen, jeta e aktores nuk ka qenë aq e thjeshtë.

E ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan, ajo rrëfeu për luftën e ashpër me të cilën u përball pak vite më parë. Pas një turi disamujor me fëmijët që nuk shikojnë e nuk dëgjojnë në Itali, Baboçi rrëfen se konstatoi një gjendër në gji: “E konstatova, doli që ishte kancer, por nuk u tremba. Isha shumë energjike, sepse sapo kisha ardhur nga një turne i cili më mësoi shumë dhe nuk pata frikë.”

2

Por ndërhyrjes kirurgjikale nuk mund t’i shpëtonte, ndaj edhe nuk e zgjati periudhën e operacionit: “Mjekët më kanë dhënë shumë kurajë. Bëra operacion dhe e hoqa gjirin, sepse s’kishte zgjidhje. Por pastaj, doktoresha më tha se duhet të bëja kimioterapinë. Unë nuk e dija se si do reagonte organizmi im…”

Faza më e keqe ishte rënia e flokët. Pasi pyeti doktoreshën dhe ajo iu përgjigj se edhe mund t’i binin, Bakia tregon se as këtë moment nuk e përjetoi keq: “Kur fillova kimiot, filluan flokët të më binin. Mund të ketë shumë gra që e përjetojnë keq, por unë nuk doja ta lëshoja veten. Në një moment kur isha para pasqyrës, u shtanga. Pastaj e mblodha veten dhe thashë “unë do trembem nga flokët? Mora gërshërët, e bëra kokën tullac po kur e pashë veten….”

Ishte e pashmangshme, dy pika lot nuk i përmbante dot, por as ky moment nuk do ta vinte poshtë: “Mora një shall dhe e lidha pas kokës… të gjithë më thoshin se dukesha shumë bukur, më bënin qejfin, por unë nuk doja ta lija veten…”

Peripecitë kanë kaluar, ditët e vështira po ashtu. Pas disa muajve të gjatë kimioterapi, flokët natyrisht iu rikthyen, por edhe jeta normale si të gjithë. Sot, ajo jeton e lumtur pensionin, e rrethuar me njerëzit që do dhe e duan. Si një mesazh për të gjitha gratë që janë përballë një situate të tillë, besimi në vete është këshilla më e vlefshme që mund të japë, sepse e ka provuar vetë: asgjë nuk të vë poshtë nëse nuk do: “Të dorëzohesh? Absolutisht jo…” thotë ajo në fund duke shtuar se tanimë, ajo kohë është harruar.

Më 28 Prill të 2017 aktorja është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me titullin “Mjeshtre e madhe”./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top