Rreth 30 për qind e fëmijëve, sipas Institutit të Shëndetit Publik, kanë probleme me obezitetin dhe aneminë, teksa një nga shkaqet kryesore është kequshqyerja. Pushimi mes orëve të mësimit është orari më i vështirë për prindërit, që të kontrollojnë se çfarë konsumojnë fëmijët.
“Ja jap me vete nga shtëpia, ushqim të kontrolluar. Nuk është se i jap lekë me vete që të blejë çfarë gjen”, thotë një prind. Për të përmirësuar ushqyerjen e fëmijëve në shkolla, Ministria e Bujqësisë dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara do të mundësojë ofrimin e ushqimeve të kontrolluara, falas për nxënësit në arsimin e detyruar. Ministri Panariti nuk jep një faturë financiare të kësaj nisme, por e quan atë projektin më të rëndësishëm të institucionit që drejton.
“Synimi është të përfshijë të gjithë sistemin parashkollor dhe shkollor në të gjithë vendin. Ne do të identifikojmë të gjitha ato ferma e fabrika që garantojnë ushqim të shëndetshëm, për të shpërndarë falas, me subvencione të shtetit dhe të donatorëve, ushqim të mirëkontrolluar. Pas lançimit, ne hyjmë urgjentisht në fazën e ekzekutimit. Së bashku me Ministrinë e Arsimit do të zgjedhim shkollat për të nisur projektin pilot”, tha Edmond Panariti për “TCH”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.