Radiografi

November 18, 2019 | 8:15

Albana Daka: Nutricioni, sfida që më fal adrenalinë!

Në të gjitha kohërat, më shumë se një teknicien me kualitet a profesionist “number one”, qëndron vlera e të qenit Njeri. Kjo është dhe sfida e vetë njerëzimit, në krah të garës shfrenuese me ego dhe përfitim të skajshëm. E pikërisht në këtë rreth vicioz, që duket sikur nuk ke nga të dalësh, ndesh në ata njerëz që modelin e trashëgojnë pikërisht nga këto vlera.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov Sulaj

Në misionin sa të vërtetë po aq dhe të vështirë të të qenit shumëdimensional: si një profesioniste, nënë, bashkëshorte dhe grua në karrierë, për Albana Daka (Priftaj) është një sfidë e mundshme. Dhe në përmbushjen e këtyre profileve që e kanë shoqëruar në jetë, ajo ka ditur t’ia dalë. Falë angazhimit si mjeke nutricioni, laboratori, administratore e një rrjeti laboratorësh mjekësore, si nënë e dy vajzave, bashkëshorte dhe grua, ajo ndihet e plotësuar. E të gjitha këto i falin adrenalinën e vazhdimësisë, ngritjes profesionale e më shumë se kaq, atë të të ndjerit e devotshme për rolin e saj në shoqëri.

Mjekësia parandaluese është sfida me të cilën sot përballet bota. Gjithçka vlen për parandalimin e të gjitha sëmundjeve apo korrektimi i regjimit ushqimor sipas metabolizmit dhe formacionit tuaj trupor. Dhe sa i përket kësaj fushe, Albana, është po njëlloj me dimensionet e tjera brenda saj: një mjeke me cilësi të larta.

Ka një ambicie shoqërore sa i takon rolit të femrës, duke sjellë një angazhim të sajin në disa dimensione të jetës. Përfaqësoni një prej tyre. Si ia dilni të menaxhoni një kohë, e cila duhet të jetë produktive jo vetëm profesionalisht, por edhe si familjare, nënë dhe grua?

Çdo person në pozicionin e vet, duhet ta ketë sfidë me veten e pastaj me shoqërinë. Mendoj se femra nuk duhet të bëjë viktimën për t’u shfaqur në shoqëri, por duhet ta marrë si sfidë. Absolutisht që është shumë e vështirë të krijosh balancën midis profesionit, familjes, bashkëshortes, duhet ta duash veten, ta kuptosh atë, që ta bësh këtë gjë edhe për të tjerët. Më kujtohet një shprehje e një mikut tim, kur vajzën e madhe, Anjën, e kisha të vogël, dhe i thosha që nuk po e shijoj dot aq sa duhet rritjen e saj. Ai më tha se kjo është një dyzim i përhershëm: ata rriten nga këndvështrimi i moshës, por edhe ne rritemi profesionalisht.

Mendoj që i kam munguar dhe i vazhdoj t’i mungoj familjes në pjesën më të madhe, por jam e fokusuar shumë që atë pjesë që shpenzoj me të, të jetë cilësore, jo vetëm si kohë, por edhe në mesazhet që u japim fëmijëve tanë për nesër. Profesioni i mjekut është së pari një mision, të cilin e mësojmë që në bangat e shkollës, pastaj është profesion. Unë këtë gjë nuk dua ta shkëpus. I urrej personat që e mendojnë profesionin si shpenzimin e një tetë orarëshi të kohës së vet. Profesioni është përtej se kaq, është ngritje profesionale. Është adrenalinë profesionale për atë që e do vërtet profesionin dhe padyshim është edhe mesazh për fëmijët tanë, për t’i thënë që jeta nuk është kaq e lehtë. Është e ndërthurur brenda profesionistja, nëna, bashkëshortja, por edhe gruaja, e cila ka një jetë dhe ambicie të vetën.

Sa e vështirë është për ju si grua në Shqipëri, të gjeni vendin që meritoni, marrë shkas atë që shoqëria ende frymon me mendësi dhe seksizëm mashkullor?

Duam apo s’duam, shoqëria është e tillë. Nuk e ndryshojmë dot kaq kollaj dhe as nga një apo njëqind persona, por duke e marrë rritjen tënde profesionale, si edhe të qenit grua si një sfidë, duke qenë pozitive në marrëdhënien që krijon, duke i dhënë besueshmëri atyre me të cilët ti ke marrëdhënie, qoftë në rang kolegësh, miqsh, por edhe pacientësh, bën që kjo bindje të ulet. E kam gjithmonë nga im atë si këshillë: “ti së pari bashkëpunëtorët apo njerëzit e afërt duhet t’i gjesh njerëz dhe pastaj profesionistë”. Dhe jam e parimit që edhe në zgjedhjen e stafeve, së pari pretendoj që atë që kam përballë të jetë njeri, pastaj profesionist.

Në fokus të revistës këtë numër kemi trajtuar mirësjelljen, respektin, dinjitetin. Sa rëndësi kanë për figurën e mjekut këto cilësi?

Figura e mjekut dhe marrëdhënia mjek-pacient ka dy anë të medaljes. Si në çdo fushë, ka një përqindje minimaliste që mund ta denigrojë detyrën e mjekut, por nuk është kjo arsyeja kryesore. Mjekësia praktikisht është ajo fushë e jetës që prek të gjithë popullsinë. Mjeku ka në dorë pasurinë më të madhe të njeriut, shëndetin. Në kohëra të veçanta, fatkeqësisht, politikat apo edhe ngjarjet e tjera për të hequr vëmendjen nga problemet e mëdha, e kalojnë fokusin te mjekësia dhe problematikat që ajo ka.

Nëse dikush do të flasë keq për një jurist, shumica e popullsisë nuk do të jetë kaq e ndjeshme, sepse mendon se nuk do të ketë marrëdhënie me një të tillë. Ndërsa me mjekët, këtë marrëdhënie e kanë të gjithë. Pa dyshim, ka ngjarje sporadike, apo dhe shkelje të dinjitetit të pacientit, të keqdiagnostikimit, por unë do të thosha që keqdiagnostikimi i pacientit nuk ndodh asnjëherë me dashje. Një mjek, kushdo qoftë ai, niset për ta trajtuar pacientin. Gabimi mjekësor, por në disa raste paaftësia, padyshim që mund të çojë në një diagnozë të gabuar, por ai nuk është kriminel. Ashtu si çdokush në profesionin e vet mund të bëjë gabime njerëzore, aty gabimi është padyshim i madh, se ti ke në dorë shëndetin e njeriut. Dinjiteti i mjekut, po ashtu dhe i pacientit duhet të jenë në qendër të vëmendjes.

Mendoj se pacienti e percepton mjekun që në bisedën e parë. Kur ne kemi përpara një pacient, kemi përpara një person që ka një anë psikologjike të rëndë, e shkaktuar kjo nga sëmundja bazë, dhe nëse ti fillon të krijosh njehsimin e ndërsjellë edhe me fjalë, duket që pacienti “gjysmën e sëmundjes” e kalon nga biseda me mjekun. Po ta dëgjosh pacientin, po të jesh e vëmendshme, gjërat shkojnë shumë më lehtë dhe në rrjedhën e duhur.

Ka kontradikta në këtë mision, cili është çelësi?

Fatkeqësisht, mendoj, sidomos mjekët në shërbimin publik, edhe për shkak të manipulimit të politikave shëndetësore, kanë bërë që të gjitha problematikat në to t’i vishen mjekut. Ndërkohë që nuk janë atribute të tijat, por është vetëm aftësia e tij për të trajtuar sëmundjen. Të kthesh modelin e shëndetësisë, së pari, në këto më shumë se 20 vjet, nevojiten politika shëndetësore. Asnjë qeveri nuk ka marrë koston politike për ta bërë, dhe si rezultat, mjekësia ka ardhur duke rënë në standardet e veta. Politikat shëndetësore bëhen nga shteti, asnjëherë nuk janë ndërmarrje personale apo edhe të një institucioni shëndetësor. Nëse do të kemi politika shëndetësore dhe siguracione të mirëfillta, këto do të kthejnë dinjitetin e ndërsjellë.

Si e shikoni këtë situatë në raport me të ngjashmit tuaj. Dua të di se a është dikush që i përcakton kriteret për hapjen e një klinike?

Edhe këtu ka dy anë të medaljes. Shumë mirë që mjekësia parandaluese po fillon të zhvillohet dhe absolutisht mendoj se ajo nuk mund të zhvillohet me një apo disa profesionistë të asaj fushe, por me më shumë zëra, sepse zëri dhe mendimi i ndryshëm, por edhe konstruktiv bën që parandalimi të ecë përpara, pasi ajo që sot është në fokus të mjekësisë mbarëbotërore është parandalimi. Pa dyshim, ushqyerja dhe kontrollet periodike hyjnë në parandalimin e personit. Nga ana tjetër, duke qenë se edhe njerëzit po ndërgjegjësohen, po investohen në parandalim, ka bërë që një pjesë pseudo-profesionistësh të abuzojnë në këtë gjë dhe ta përdorin totalisht për përfitime financiare dhe duke mos vënë absolutisht trajtim shkencor. Kjo ka bërë që të vijnë pafund të huaj të japin shërbime periodike me një apo dy ditë, të nxjerrin raporte joshkencore.

Ti ke përpara një listë supermarketi me të gjitha llojet e ushqimeve, duke përmendur këtu edhe markat e tyre tregtare, duke mos pasur parimin se ku e është bazuar kjo në një protokoll standard? Kjo ka bërë pastaj, me të drejtë, që një pjesë e pacientëve të zhgënjehet, duke u futur të gjithë në të njëjtën vorbull, dhe para njerëzve del si abuzues. Regjimet ushqimore sot nuk janë të fokusuar vetëm te njerëzit obezë apo nga këndvështrimi estetik. Sot regjimi ushqimor është i këshillueshëm për të gjithë njerëzit, për të gjitha grupmoshat për të mbajtur parandalimin.

Si u gjendët te nutricioni?

Nutricionin e fillova si sfidë të madhe, në një kohë që këtu te ne nuk njihej fare. Filloi kur unë, pjesëmarrëse në shumë konferenca, dëgjoja për fëmijë me problematika në çrregullime të spektrit autik, e shkonin jashtë për të bërë një ekzaminim shumë të thjeshtë. Mendoja pse këto gjëra nuk mund të bëhen edhe në Shqipëri, kur ne bëjmë gjëra goxha të mëdha, kjo nuk është kaq e vështirë. Në momentin që e fillova, edhe nga shumica e mjekëve nuk njihej fare. Në fakt në Europë njihej, por në Shqipëri, jo. Mendoj se duhet të ketë shumë profesionistë të kësaj fushe për të ecur përpara, sepse nuk e bëjnë dot as një dhe as dy.

Si mjeke nutricioniste, çfarë këshilloni?

Nëse deri më përpara shumica e sëmundjeve kishin bazë gjenetike, sot kjo tezë ka rënë totalisht dhe thuhet që mbi 50% e probabilitetit të sëmundjeve vjen nga stili jetesës. Stili i jetesës është ushqyerja dhe aktiviteti fizik, por edhe kjo padyshim duhet të jetë mbi baza shkencore, duhet të jetë korrekte, jo abuzive, sepse kjo çon pastaj në prishjen e marrëdhënies mjek-pacient, por sidomos dhe në uljen e besimit te pacienti.

Hapja e klinikave mjekësore ka një autoritet mbikëqyrës siç është Urdhri i Mjekut apo edhe Inspektorati Shëndetësor. Jo në të gjitha rastet kontrollet janë në kohën e duhur dhe brenda këtyre klinikave janë njerëzit e duhur, çka çon në abuzime, që janë në dëm të shëndetit. Fatkeqësisht, kanalet e shëndetit apo rrjetet sociale janë bërë burim informacioni, reklamimi i gjërave të tilla, jo për faj të tyre, por nuk ka filtra për të kapur se kush është vërtetë klinikë apo institucion profesionist dhe kush abuziv.

Konkretisht, cila është analiza apo testi që ndihmon për gjetjen e ushqimeve tolerante dhe intolerante në trup?

Testi i intolerancës ushqimore nuk është absolutisht test gjenetik. Intoleranca ushqimore është patologji e akumulimit të ushqimeve. Kjo gjë dozohet në gjak, si të gjitha analizat e tjera, se kush janë ushqimet apo grupet e tjera ushqimore të akumuluara në organizëm në një memorie dy-vjeçare të trupit. Është analizë e thjeshtë dhe pas kësaj personit i jepet një regjim ushqimor këshillues.

A kemi ne analiza gjenetike që ndihmojnë në korrektimin e regjimeve ushqimore?

Pa dyshim që kemi, por nuk është intolerancë ushqimore. Ndërmjet gjeneve tona shikojmë predispozitën e organizmit për të metabolizuar ose jo lëndët e ndryshme të organizmit. Shikojmë se si metabolizohen proteinat, sheqernat në organizëm, vitaminat, yndyrnat. Dy testet specifike me regjim ushqimor është predispozita jonë gjenetike, ku ne kemi dy gjene përgjegjës si për laktozën dhe për glutenin. Në rastin e laktozës është sheqeri te bulmetrat shtazore, dhe gluteni, komponenti proteinik te brumërat. Pra, nuk mund të ketë asnjëherë test intolerance ushqimore në ADN-në tonë, sepse nuk janë të shkruara ushqimet, por predispozita jonë gjenetike për t’i metabolizuar ato. Por kemi patologji të akumulimit ushqimor, që aplikohet tek të gjithë personat që kanë problematika që vijnë nga keq-menaxhimi i regjimit ushqimor.

Kush keq-ushqehet më shumë?

Ka disa këndvështrime. Të gjitha ato që vijnë nga këndvështrimi i mbipeshës, pjesa më e madhe janë femra. Por sot shohim një dominim të rasteve kryesisht tek të rinjtë dhe adoleshentët, ku problematikat janë prishja e funksionit të tretjes, probleme të mëdha të stomakut, zorrës, aknet permanente, që nuk i kanë për shkak të moshës, pas filtrit të dermatologes, por të një intoksikimi të vazhdueshëm nga regjimi ushqimor, si pasojë e ushqimeve të shpejta, të rrugës, të pasura me konservantë, të cilat bëjnë që të kemi problematika të mëdha.

Kemi raste me probleme të tretjes, të cilat kanë zgjatur me kalvare disavjeçare me medikamente e trajtime nga më të ndryshmet e nuk kanë gjetur zgjidhje, dhe është parë që korrektimi i regjimit ushqimor dhe mirëfunksionimi i zorrës ka bërë që pas disa muajve të kemi një person të shëruar. Për këtë gjë jemi duke mirë-informuar mjekët, që jo për faj të tyre, por për shkak të mungesës së kurrikulave të nutricionit në shkollën e mjekësisë, janë të prirur të japin kurën me ilaçe në fillim, ndërkohë që gabimet në ushqyerje janë aq të mëdha, saqë medikamentet nuk i dominojnë.

Ka filluar si praktikë apo ka nevojë për një projektligj të veçantë?

Fatkeqësisht, nuk kemi protokolle në diagnostikë dhe për asnjë lloj sëmundjeje. Është shumë emergjente, sepse çdo mjek, sipas specialitetit përkatës duhet të punojë në bazë të një protokolli. Shumica e mjekëve, të orientuar në bazë të shkollave të ndryshme, përdorin protokolle të ndryshme. Sot njerëzit po ndërgjegjësohen për rëndësinë e ushqyerjes. Më përpara në klinikë më vinin persona të afektuar ndaj pjesës estetike, donin vetëm të dobësoheshin. Sot ka njerëz, që pasi ka bërë një check up dhe shohin yndyrnat e larta, nuk fillojnë direkt mjekimin medikamentoz, por korrigjojnë regjimin ushqimor.

Ka problematika sidomos fëmijët, ku një pjesë, si rezultat i kequshqyerjes janë më të shkurtër dhe nën peshë në raport me moshën, në të cilat regjimi ushqimor jep rezultate fantastike. Shohim adoleshentë që ndërpresin zhvillimin e tyre normal në gjatësi apo te vajzat kemi një ardhje të ciklit menstrual më shpejt se më parë, si pasojë e peshës së ekzagjeruar apo kequshqyerjes në mënyrë persistente.

Sot e kemi sfidë mirë-edukimin e drejtpërdrejtë të popullsisë sa i takon ngrënies. Më kanë ardhur prindër që i dërgojnë fëmijët në shkollë me qese patatinash, moltosh, apo pije me gaz. Që këtu duhet filluar. Edhe në sferën e mjekëve, po mundohemi dhe po lobojmë fort në Universitetin e Mjekësisë, që dega e Nutricionit të futet si lëndë, që edhe mjekët të dalin më të informuar dhe të jenë më të thelluar në parandalimin se sa në trajtimin e pacientëve.

Si mjeke nutricioniste, cili është rasti më i vështirë që keni pasur?

Ka shumë raste të vështira, por më i vështiri për mua si fillim, por që pastaj ka qenë një nga rastet më të mira që kemi trajtuar, ka qenë një vajzë 21-vjeçare vjet, e cila kishte një peshë prej afërsisht 110kg. Ishte e implikuar me shumë patologji. Kishte bërë trajtime në këndvështrimin e një personi të ri edhe nga më të dëmshmet për organizmin. Ishte pak a shumë në fazën e depresionit në momentin që na ka ardhur në klinikë. Nuk pranonte të hipte as në peshore. Në fazën e parë ishte totalisht dyshuese, me gjithë imponimin e të ëmës. Bëri analizat dhe filluam trajnimin.

Vetëm dy-tri javë pas trajtimit me regjim ushqimor, filloi të binte nga pesha, të jepte impakt pozitiv dhe të bashkëpunonte. Bëri një rënie spektakolare në kohë. Asnjëherë nuk pranoj nga persona të ndryshëm të duan të bëjnë rënie të menjëhershme nga pesha. Si pesha është marrë për shumë vite, duhet rrëzuar gradualisht. Në të kundërt, mund t’i shkaktojmë organizmit dëme të pariparueshme. Kjo ishte Ina, vazhdonte për gazetari. Në të njëjtën kohë kishte probleme të sferës së tiroides dhe kisteve të ovareve që bashkërisht me mjekë të tjerë filluan trajtimin. Sot ajo është në një peshë perfekte, ka një vlerësim shumë të madh për veten dhe them që është një nga rastet më të vështira, por edhe një nga rastet më të suksesshme.

Rast tjetër të suksesshëm, personalisht quaj ato me fëmijët dhe të rinjtë, sepse që aty duhet të fillojë edukata ushqimore, të bëhen të ndërgjegjshëm se çfarë është trupi i tyre. Ka qenë një djalë 13 vjeç, i cili para tre vitesh vjen në klinikë. Ishte shumë i dobët dhe i shkurtër në lidhje me moshën, Arbri. Pas bërjes së analizës, mamaja e tij ishte shumë këmbëngulëse, por gjithsesi edhe në këndvështrimin e prindit, jo shumë e bindur që vërtet trajtimi ushqimor Arbrit do t’i jepte rezultat. Për tre-katër muaj Arbri mori peshën, por edhe gjatësinë e duhur. Është një adoleshent shumë i bukur dhe normalisht i shëndetshëm. Pas Arbrit erdhi dhe motra e tij, sepse të dy kishin një akumulim ushqimor. Asaj i nevojitej një korrigjim i thjeshtë ushqimor që duhej për ekuilibrin. Edhe Irisi me fillimin e regjimit ushqimor, mori gati tre kile në muajin e parë dhe rreth 3-4 centimetra gjatësi. Këto janë gjëra që në këndvështrimin që ti i lexon apo i shikon mund të duken të pabesueshme, por duan kohën e tyre që të bëhen.

Çfarë mungesash kemi ne si shqiptarë në drejtim të ushqyerjes?

Ne jemi kuzhinë mesdhetare dhe si e tillë nga këndvështrimi teorik kemi kuzhinën më ideale që ekziston. Të gjitha vendet duhet të kopjojnë kuzhinën mesdhetare, për shkak të natyrës, prodhimtarisë stinore. Kemi shportën ushqimore më të pasur, por gjatë viteve të demokracisë kjo shportë ka devijuar, edhe për shkak të mungesës së mëparshme, të cilën ne duhej ta zëvendësonim menjëherë me një bollëk të ekzagjeruar në shumicën e gjërave dhe sidomos boom-i ushqimor dhe marketingu i tillë ku joshen më së shumti fëmijët dhe të rinjtë, por edhe ngarkesa e ditës që i ka bërë prindërit më përtacë, gjë që na ka sjellë varfëri në shëndet. Është më mirë një bukë e bërë gati nga prindërit në shtëpi se sa një ushqim i shpejtë jashtë apo një pije me gaz. Ngërçi në raport me vendet e tjera ekziston në faktin se ne kemi ushqime të modifikuara apo të mbingarkuara me pesticide, që bëhen në mënyrë joprofesionale. E gjithë kjo mbingarkesë shkon në memorien e organizmit, çka çon në sëmundje të patologjive malinje që në moshë të re apo dhe diabet.

Çfarë ju kënaq më tepër në rolet që përfaqësoni?

Një person që të jetë i kompletuar, duhet të jetë në të gjitha këndvështrimet, si nga këndvështrimi personal, profesional, dhe në të qenit bashkëshorte. Ne na fillon profesioni që në shkollë, shumë sfidues, por nëse ti e do, ti mund të jesh një profesionist. E kam filluar profesionin e mjekes sapo kam mbaruar specializimin në një institucion shumë të madh. Do ta quaja fat, por edhe përkushtim për veten. Kam qenë një nënë e re, me një fëmijë një vjeç në momentin që pas specializimit shkova edhe një vit specializim në Turqi dhe u bëra pjesë e institucionit të parë privat shëndetësor në Shqipëri, në muajt e parë si mjeke dhe më pas edhe si drejtuese e Departamentit të Laboratorit, i cili në fillim ishte institucion i vogël, por fatmirësisht pas 12 vjetësh kemi në menaxhim rreth 24 laboratorë në të gjithë vendin. Është përkushtim dhe sfidë e madhe, por kam dhënë pa dyshim maksimumin, dhe më janë dhënë mundësitë që çka kam pasur profesionalisht ta jap dhe brenda institucionit.

Më kanë besuar nga këndvështrimi i gjërave që unë kam dashur dhe duke u futur shumë në pjesën e parandalimit, prandaj para gjashtë vjetësh iu futa dhe pjesës së nutricionit, ku laboratori merret me parandalim dhe diagnostikim. Mendoj që ecin shumë mirë të dyja, pavarësisht ngarkesës së madhe, të cilat i marrin kohë edhe familjes, si vajzave dhe bashkëshortit, por duke i dhënë fëmijëve shembullin e punës dhe të përkushtimit, e gjërave që nuk arrihen lehtë. Mendoj që edhe prindërit tanë kështu na kanë brumosur, dhe edhe kur kërkojnë një gjë u them se gjërat nuk arrihen kaq lehtë.

Kujt ia dedikoni ato dhe sa mund duhet për të arritur ambiciet në jetë?

Ia dedikoj familjes dhe mbështetjes që më ka dhënë. Në rritjen e vajzave ia dedikoj patjetër prindërve të mi dhe nënës time në veçanti, që më ka mbështetur pa fund. Nuk do të mund t’i rrisja vajzat kështu si i kam rritur, sepse e kam bindje që fëmijët mund të marrin shërbimin, por jo dashurinë nga një babysitter, edhe po ta kesh mundësinë financiare. Ndërsa mendoj se me gjyshërit marrin pa fund dashuri dhe e marrin të plotë. Kam punuar shumë, sepse e kam pasur mendjen e fjetur nga mirërritja e tyre. Pa dyshim ia dedikoj edhe bashkëshortit tim, sepse duke qenë të dy mjekë më ka mirëkuptuar pambarimisht. Duke qenë se i kemi filluar sfidat në profesion bashkë, kemi ecur paralelisht, ndaj dhe më mbështet.

Ka një orientim nga familja e origjinës, apo pritshmëritë janë renditur me pjekurinë dhe egot e moshës?

Në gjimnaz kam qenë gjithmonë e fokusuar në shkenca. Klasifikohesha tek ata që kisha më shumë zgjuarsi se sa punë brenda, dhe im atë më kritikonte për këtë gjë. Në vitin e katërt ai më thotë që ishte një olimpiadë kimie në shkallë rrethi, por që nuk ishte për mua se nuk studioja. Nga ai moment e mora si sfidë. U futa në olimpiadë dhe fitova vendin e parë, pastaj vendin e dytë në shkallë republike. Kjo më kanalizoi edhe më shumë drejt shkencave, mjekësisë. Konkurrova në të tria degët e mjekësisë: farmaci, mjekësi dhe stomatologji, me mendje për këtë të fundit, sepse farmacia nuk më pëlqente.

Konkurrova në të njëjtën kohë edhe për kimi të përgjithshme, duke qenë se isha më e avancuar se të tjerët për shkak të olimpiadave. I fitova të tria degët dhe im atë kur pa përgjigjet më thotë: ‘në kimi nuk ke fituar’ dhe unë u mërzita shumë, por ai më thotë: ‘për ty nuk është e rëndësishme kimia, sepse ti do të shkosh në një nga degët e mjekësisë’, ndërkohë që në kimi isha renditur e para. Si përfundim zgjodha mjekësinë e përgjithshme, u diplomova.

Në vitin e stazhit si mjeke e përgjithshme, isha e lidhur dhe me bashkëshortin tim. Kisha shumë ëndërr kardiologjinë, por kur bisedonim të dy, ideja ishte që njëri kirurg, tjetra kardiologe, nuk do të na dilte koha për familjen. Aty vendosëm që do të konkurroja në laborator. Në atë kohë dega e laboratorit konsiderohej si një degë për familjaret, pasi është disi e qetë. Ndërkohë, në raport me bashkëshortin sot, mua më ka rënë për pjesë të jem shumë e më shumë e angazhuar, sepse i tillë është dhe pozicioni që kam, si dhe menaxhimi i shumë qendrave e shumë institucioneve njëherësh.

Si është një ditë e zakonshme dhe ka gjithmonë diçka që del përmbi planet ditore?

Që në mëngjes shkoj në laborator, merrem me të gjitha problematikat e një dite më parë si dhe menaxhimet e problematikave të ditës. Udhëtoj shumë nëpër rrethe për shkak të kontrolleve të njësive që kemi, por edhe në Kosovë, ku kemi një nga pikat tona. Deri në orën pesë të pasdites jam e përfshirë fizikisht dhe mendërisht. Pas këtij orari vij në klinikën Fit Health ku merrem me pjesën e nutricionit dhe më takon pas orës tetë të mbrëmjes të shkoj në shtëpi. Lëvizja është dinamike për shkak të fluksit të punës, megjithatë nuk e mendoj dot veten pa këtë gjë. Kjo ngarkesë më jep adrenalinë dhe kur kam lindur vajzën e vogël, njëzet ditët e para mendoja që kështu do të vazhdoj unë?! Për mua është karakteriale të marrësh shumë gjëra përsipër, sepse e dua atë që bëj.

Flasim për rolin që kërkon edhe më shumë vëmendje, mëmësinë, por edhe si bashkëshorte. Si e gjeni kohën për të qenë e pranishme?

Kalojmë kohë jo shumë të madhe bashkë, kryesisht fundjavave. Të katërve na pëlqen të udhëtojmë. Janë udhëtime të thjeshta, afër, jo dhe aq larg. Bëjmë sa më shumë vizita në vende turistike. Vajza e madhe dhe bashkëshorti gjithmonë më thonë se duhet të vij gjithmonë pa telefon me vete, por kjo gjë është e pazgjidhshme prej 12 vjetësh.

Cilat janë gjërat që ju pëlqen t’i bëni bashkërisht?

Janë darkat, të cilat i menaxhoj me Ebin, vajzën e vogël. Para disa muajsh, më vjen nga shkolla dhe më thotë se shokët e klasës i thoshin se ti mamin duhet ta kesh ose shumë të keqe ose duhet të jeni shumë të varfër që ti nuk ke 50 lekë që të blesh patatina te dyqani i shkollës. Kjo gjë nuk më pëlqeu fare, sepse çdo fëmijë intimidohet, por bëhet më e thjeshtë duke i mbushur mendjen jo vetëm Ebit por edhe shokëve të klasës.

Çfarë bëmë? Hapëm një grup me mamatë e klasës ku ju shkruam se ne të dyja do bënim biskota për gjithë klasën, ndërsa edhe mamatë e tjera pastaj duhej të gatuanin me fëmijët e vet për t’i dhënë rëndësi se gjërat që bëhen në shtëpi janë shumë më të mira dhe të shëndetshme. E kështu Ebit i hipi pasioni për të gatuar. Filluam me çokokremin me avokado, mjaltë dhe me kakao, ndryshe nga ai që ka përbërës kimikatë. Pastaj Ebi përgatiste sanduiçë të shëndetshëm, lëngje frutash, një model i mirë për t’jua përcjellë dhe fëmijëve të tjerë. Me këtë rast hapëm një rubrikë që e quajtëm ‘Kuzhina e Ebit’, postimet e të cilave i publikojmë te faqja e klinikës, www.fithealth.al.

Cila nga vajzat ndan prirjet tuaja dhe të bashkëshortit?

Ebi është e vogël, e përkëdhelur, e bukur. Nuk i lë gjërat pas dore, ka sedër. Anja, vajza e madhe është shumë e mirë në shkenca. Dua ta përkufizoj sot si vajzë të mençur nga të gjitha këndvështrimet. Nuk është tekanjoze apo e prirur si pjesa tjetër e adoleshentëve që do të blejë gjëra pa fund. E mendon sot që do të bëhet mjeke dhe kur unë i them pse, ma kthen: unë nuk di të bëj gjë tjetër. Mendoj që është një thirrje e brendshme. Mjekësia është një shkencë ekzakte që përditësohet me sekonda. Është e urtë dhe shumë punëtore. Personalisht nuk e kam me qejf, sepse të merr kohë pa fund dhe nuk mbaron asnjëherë.

Çfarë ju “zgjon” herë pas here e ju kthen tek e shkuara?

Më zgjon përvoja, koha e jetuar, mesazhet që na kanë dhënë prindërit në fëmijëri dhe adoleshencë, por edhe mungesa e babait prej 5 vitesh, në momentin që e humb përgjithmonë fizikisht, por nga këndvështrimi shpirtëror brenda vetes e ke si udhërrëfyes apo qetësues shumë të madh për të ecur përpara. Kur ishte në këtë jetë im atë gjithmonë më thoshte: “Së pari duhet të jesh njeri me ata që ke marrëdhënie, pastaj profesioniste. Duhet t’u bësh mirë njerëzve. Mos u bë konforte se e arrite një gjë apo të vegjetosh në atë vend, por vazhdo përpara!”. Modeli që na kanë dhënë prindërit ka qenë i tillë.

E gjeni kohën dhe për pasionet tuaja?

E gjej pak. Profesionet dhe pasionet i kam gërshetuar brenda mjekësisë dhe nutricionit.

Plane të reja në kalendarin vjetor?

Kemi filluar si projekt një trajnim mbi nutricionin, të specialistëve të fushës së mjekësisë, së bashku me një grup mjekësh shqiptarë dhe italianë për të mirë-informuar së pari stafet mjekësore për rolet që kanë stili i jetës dhe i nutricionit, në mënyrë specifike, që do t’i ndihmojë ata edhe më shumë në diagnozë. Sfida e ardhshme është futja dhe bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë për futjen e nutricionit si degë në fakultetin e Mjekësisë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top