Marrëdhënie

May 12, 2016 | 8:47

Albenc Papapavli: “Unë, ndihmësmjeku i nënës sime”

2Në fillim e pata të vështirë. Ishte vërtet fatale, sepse nuk e kuptoja çdo të thoshte t’i bëje shërbim një njeriu. Aty kuptova që do kthehesha në një shërbëtor e aq më tepër të mamasë, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë si proces. Kam dashur që gjërat të jenë në vendin e vet dhe secili t’u shërbejë interesave personale. Por jeta ma solli krejtësisht ndryshe. E tani nuk më bën shumë përshtypje. E përballoj.

Në profesionin e tij ai mund të kishte bërë karrierë, e pse jo të ndiqte muzën e tij në restaurimin e veprave kishtare. Por fati e solli krejt ndryshe. I gjendur përpara një jete tjetër, që s’do ta kishte dëshiruar kurrë, bëri që të gjunjëzohej para gjithçkaje. Më shumë se një detyrim moral, Albenci, djali i aktores së njohur Antoneta Papapavli, do të linte pas Greqinë dhe ëndrrën për të qenë aktiv si arkitekt, për t’u kthyer njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Arsyeja madhore ishte sëmundja e nënës, e cila e solli për t’i qëndruar asaj pranë, ashtu si dikur, kur Antoneta kujdesej me përkushtim për rritjen shëndetshëm të bijve të saj. “Në vitin 2003 erdha për të nxjerrë pasaportat e reja dhe ky ishte viti fatal. Mamaja nuk ishte mirë për shkak të një paralize. Për një vit Antonetën e lashë në një qendër rehabilitimi, sepse duhej të kthehesha në Greqi për të nxjerrë letrat greke. Por në mesin e 2004-s u ktheva për ta nxjerrë mamanë, sepse e kishte të pamundur të qëndronte në atë qendër ku i mungonte gjithçka. Unë, si fëmija i saj, mora përsipër t’i qëndroja pranë, pasi vëllai, që sot nuk jeton më, ishte në Greqi në atë kohë dhe punonte. Gjithë kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë. Gjëra që unë nuk i kisha bërë kurrë në jetë, kujdesi për nënën, sa isha unë i aftë ndaj gjërave jetësore që duhet të bëja në 24 orë”. Në rrëfimin e tij, Albenci tregon se si iu desh të ndryshonte rrjedhën e gjërave. Të bëhej një ndihmësmjek, siç i thotë shpesh nënës së tij, dhe të përshtatej me rregulla që deri dje i kërkonte nga të tjerët. Të zgjidhte një punë pa kohë të plotë, si pedagog në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit dhe të bënte projekte në distancë për hir të orëve që duhet të ndante me Antonetën. Ajo është gjëja më e rëndësishme për Albencin dhe ai përpiqet t’ia lehtësojë gjendjen, e pse jo ta bëjë të ndihet si dikur e përkëdhelura e tre meshkujve të familjes Papapavli. “Të qenit në shtëpinë tonë, një shtëpi e rehatshme, e mobiluar këndshëm me shijen dhe dorën e nënës sime, me shandanët, kuvertat… e bëjnë mamanë të ndihet mirë. Ime më e pranoi shërbimin tim, edhe pse me defekte, vetëm të ishte në shtëpi. Unë shpeshherë i them edhe me shaka, që u bëra ndihmësmjek pa diplomë. Disa gjëra, edhe mjekësore, mund t’ia bëj… por kohët e fundit, prej më shumë se një viti, kam punësuar një vajzë me pagesë, që vjen dy herë në javë, infermiere që i bën procese shumë intime për të qenë sa më mirë nga ana e higjienës. Shërbimi i mëngjesit, ndërrimi i pozicionit të të sëmurit, ose disa gjëra vetjake që njeriu i kryen gjatë ditës, të gjitha kujdesem unë në mënyrën më korrekte dhe më minimale… edhe me mangësi, por që do apo nuk do mamaja unë i kryej. Tani gjithçka e bëj si një detyrë të thjeshtë… tamam si një orë mësimi në fakultet”. Albenci është po kaq i vëmendshëm kur i duhet të tregojë kujdes në vaktet e të ngrënit, edhe pse jo i aftë të përcaktojë se cilat janë dietat ushqimore që duhet të ndjekë e ëma. Për këtë ka zgjedhur të afërmit e familjes, mbesat e Antonetës, për t’i rekomanduar pjatat e saja të preferuara. “Mëngjesi dhe darka janë dy vaktet më të thjeshta dhe unë ia dal. Por gatimin e gjellëve që ajo dikur i bënte shumë të mira, as që bëhet fjalë që unë t’i arrij. Dhe për ta zgjidhur këtë marr në telefon disa kushërira dhe një shoqe të Antonetës, të cilat më ndihmojnë me receta tepër të shijshme. Ndihmesa që na japin ato, më jep njëfarë optimizmi e dashamirësie si për të treguar që nuk na kanë harruar dhe janë të gatshme të na gjinden pranë”.

1Antoneta Papapavli, aktorja e skenës dhe e ekranit, prej 30 vitesh është shkëputur nga aktiviteti artistik për shkak të gjendjes shëndetësore. Por imazhi i saj është po kaq i gjallë në pelikulë, ashtu sikundër të gjithë e mbajmë mend me rolet e Olimbisë në “Karnavalet e Korçës”, Sanies te “Hije që mbeten pas”, drejtoreshës te “Shoku ynë Tili”, Cuca te “Cuca e maleve”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri” etj. Një grua e fisme, e rregullt, me flokët e mbledhur dhe tiparet e theksuara. Pavarësisht sëmundjes që ia ka vështirësuar ritmin e jetës, ajo përpiqet të ruajë pamjen e dikurshme dhe këtë e arrin vetë, me forcat e saj. Siç tregon i biri, Antoneta kërkon medoemos të ruajë figurën me të cilën të gjithë e njohin. “Mamaja bën rregullimin e portretit me dorën e majtë. E bën çdo ditë, pavarësisht mundësive. Nuk lejon të merret tjetër kush me këtë. Përpiqet dhe ia arrin qëllimit”. Vitet e fundit, sipas Albencit, nëna e tij ka hequr dorë nga daljet publike. Për shkak të pamundësisë për të ecur, ajo ka zgjedhur shtratin si të vetmin vend ku mund të ndihet mirë dhe e qetë me kujtimet që e rrethojnë. “Ajo nuk e do këtë gjë, sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të bukur, aktore profesioniste dhe mbi të gjitha, një fisnike në shpirt. Nuk do që njerëzit që e njohin ta shohin në karrocë”. Ajo që i ka mbetur janë miket e saj të ngushta. Aktoret e njohura Mimika Luca, Edi Luarasi, Marika Kallamata dhe Besa Imami. Këta janë personat, të cilët dëshmojnë se nuk e kanë harruar, mbi të gjitha të vetmet që imponojnë respekt ndaj shoqes së tyre të dashur, dikur një aktore e njohur dhe plot vitalitet në skenë dhe ekran

Botur në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top