Dëshmi

June 18, 2018 | 13:07

Albert Hitollari: Të shkruarit, një proces që më shkarkon shpirtin!

Nga Orjona TRESA

Ndoshta askush nuk ka dëgjuar deri më sot për të, jo sepse ai nuk e ka dashur këtë gjë, por sepse kështu ka ardhur vetë rrjedha e kohës. Nga njëra anë emigracioni, largësia, e nga ana tjetër teknologjia, rrjetet sociale, të cilat mesa duket nuk janë në racionalitet të matshëm me atë që realisht duhet të trumbetohet dhe reklamohet. Por megjithatë, ai është një shkrimtar, prozator e poet në shpirt, që nuk ka gjë në botë t’ia ndalë ritmin krijues.

img-20180614-wa0000Albert Hitollari, një shkrimtar me botë, që lëvron më shumë zhanrin e romaneve realiste, vjen në një rrëfim për “Psikologjia Online” si një mesazher i mendimit të lirë, i atij mendimi që ka më forcë se vetë fjala, e që ka më shumë peshë dhe mbush edhe ato hapësira të padukshme ku fjala nuk mund të hyjë kurrë!

Ai është autor i dhjetë romaneve dhe i disa librave në prozë e poezi. Të shkruajë është një mision për të cilin Alberti thotë se nuk do të lodhet kurrë së çuari para.

INTERVISTA

Në një kohë ku gjithnjë e më shumë flitet për nevojën e integrimit të shoqërisë në të gjitha fushat, ju shkruani, prodhoni letërsi, dhe gjeni kohë për pasionin tuaj. Çfarë është të shkruarit për ju?

Për tre arsye: e para, për t’i dhënë kuptimin jetës, pasi asnjë jetë nuk ka vlerë, nëse ti ikën një ditë e nuk lë diçka tënden brenda saj, një shenjë a një gjurmë që të kujtohesh më pas nga ata që vijnë pas teje. E dyta, për të hedhur mendimet, sepse mendimi ka më forcë se fjala, ka më shumë peshë dhe mbush dhe ato hapësira të padukshme ku fjala nuk mund të hyjë kurrë! Dhe e treta, për të shkarkuar shpirtin, ngarkesën e akumuluar të një jete mbi “shpinë”.

Sa ndihmon letërsia në gjetjen e shtigjeve të reja krijuese dhe shërimit të shpirtin dhe mendjes përmes frymëzimit dhe fantazive që çojnë larg mendimin?

Të lexosh nuk është çështje vullneti, por pasioni, por edhe pasioni nuk mjafton nëse të mungon dëshira. Kam lexuar shumë autorë, poetë dhe filozofë. Jo koha, por kushtet dhe mënyra si u rrita. Fëmijërinë e kalova në institucionet shtetërore, aty ku familjen e vogël e zëvendëson shoqëria. E gjitha jeta ime rrotullohej vetëm një boshti, të bëhesha zot i vetes! Libri ka qenë gjithçka për mua, pasi më mbushte heshtjen dhe vetminë. Kaq mjafton për t’u plotësuar e për të qenë gati në krijimtari, për të zbuluar e kuptuar, rrugët filozofike drejt jetës.

Jetoni jashtë, prej 10 vitesh tashmë në Itali. Si e ndani kohën midis të punuarit dhe ushtruarit të pasionit?

Çdo poet apo prozator e mban me vete një laps a një letër, pasi gjithçka të frymëzon në çdo hap që hedh. Zakonisht shkruaj pas mesnate, ato që kam hedhur në copa letre gjatë ditës, dhe në fund të javës, në ditë pushimi, i grupoj. Të dielave shkoj diku në një vend të qetë dhe meditoj me mendimet, sepse në vetmi të plotë dhe në heshtje arrin të zbulosh thellësinë e mendimeve, të kuptosh, t’i shprehësh e t’i bashkosh ato!

okKeni lënë pas mësimdhënien. Ju mungon të qenit mësues gjuhë-letërsie?

Ndonjëherë jemi përpara dy zgjedhjeve. Edhe pse nuk mundesh, duhet bërë ajo që është e nevojshme, pasi e keqja vjen në kohën e vet. Nuk e kisha menduar se një ditë do të ndodhte kështu, pasi nuk isha unë ai që duhej të ndëshkohej. Por ligësinë njerëzore është vështirë ta gjesh më të vogël se forma që ka. Mësimdhënia mbetet pjesë e dhimbjes sime.

Keni botuar 10 romane, ndërkohë që lëvroni më së miri prozën dhe poezinë. Çfarë ju ngacmon më shumë në muzën tuaj krijuese?

Në prozë kam guxuar më shumë, pasi leximi i vazhdueshëm por edhe gjithçka e jetuar më ka kanë mjaftuar për t’u ndjerë i plotësuar. Në çdo roman që shkruaj ka diçka të vërtetë. Kjo e bën të prekshëm, të lëvizshëm, të dukshëm, të gjallë personazhin tim. Ndërsa poezia është frymëzim hyjnor ku shprehen ndjenjat, vështrimet e poetit, ku gjithçka noton e lirë në oqeanin e shpirtrave. Por edhe kujtimet që flasin e nuk i ndalon dot!

Të qenit larg vendlindjes është një shtytje për të prodhuar letërsi realiste?

Çdo fjalë e shkruan në vetvete është një mesazh. Kuptimi i tyre dhe arsyetimi për to përbën gjithçka. Ato flasin hapur e drejtpërdrejtë e nuk fantazojnë, duke lënë të kuptojmë se jeta lëviz sipas ligjeve të saj.

Ka mesazhe që i përcillni në librat tuaj?

Vjen një ditë kur dhimbjet e heshtjes që mbajmë brenda zgjohen dhe dalin prej shpirtit. Më pas, të tërheqin, të çojnë atje ku kanë origjinën. Dhimbjet e heshtjes janë më të forta e dhembin më shumë se ato të trupit. Ndërsa dhimbja për “Mëmëdheun” mbetet gjithmonë e freskët, zgjuar, e gjallë!

SKEDA PERSONALE

Albert Hitollari, lindur më 4.10.1961 në Berat.

Shkollimin  8-vjeçar e kreu në  Berat, të mesmin në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa arsimin e lartë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë ku mori diplomën  Mësues  Gjuhe dhe Letërsisë.

Prej 10 vitesh jeton në Itali.

Krijimtaria letrare:

– Një gonxhe trëndafili (Roman 1992)

– Mësuesja e gjuhës (Novele 1995)

– Zogu i dallëndyshes (Tregime për fëmijë 2003)

– Jeta sa një pikë loti (Roman 2007)

– Një ditë do të pendohesh (Roman 2008)

– Emrin e shkruan fati (Roman 2011)

– Rrugët filozofike drejt jetës (Aforizma 2011)

Ka të përgatitura për botim: 

– Jeta ndjek fatin, fati ndjek jetën  (Roman)

– Mall e nostalgji (vëllim poetik)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top