Albi Greva, drejtor i fondacionit Vodafone Albania.
Mund të tingëllojë si një çast i rrallë krenarie, por që jo kushdo mund ta përjetojë me të njëjtën ndjesi. Sipas Albi Grevës, të dish të falësh, ashtu siç duhet, me zemër dhe dëshirë, çdokush mund të rigjejë energjinë, pozitiven dhe çlirimin nga zhgënjimi i pësuar. Në sfidën e situatave të tilla, mosmirënjohja është gjesti më i vështirë për t’u falur, porse sipas Grevës, kjo duhet vlerësuar në peshën e marrëdhënieve që ke ndërtuar me personin që të ka bërë ta vuash këtë gjë.
Çfarë nuk do të falnit kurrë?
Çdo gjë është e falshme për mua, nuk ka gjë të pafalshme. Por falja shihet si një pikë zgjidhjeje e një mosmarrëveshjeje dhe kuptohet, ajo nuk vjen pa shkak, tek i cili kanë rol të dy individët e përfshirë. Mënyra e komunikimit, arsyetimi, elementi kohë ndonjëherë ndihmojnë për t’i parë gjërat më ftohtë e me pjekuri sesa emocioni i çastit. Për ta bërë më të mundur përgjigjen e pyetjes tuaj, po mendoj të përgjigjem çfarë do kishit më vështirë të falnit? Dhe do përgjigjesha direkt: Mosmirënjohja.
Pse do ta bënit këtë?
Mendoj se në këtë rast nuk është fjala për një gabim sado të vogël apo të madh, të rastësishëm apo të paramenduar. Këtu zhgënjimi është tepër i madh dhe me tendencë të qëndrueshme. Investimi dhe gjithfarë secili ka dhënë në një raport apo marrëdhënie, kthehet në zhgënjim që është i vështirë dhe i komplikuar, ndaj dhe për rrjedhojë do shumë kohë të pranohet nga njëri, secili, nga dy personat e përfshirë apo të dy njëherësh.
A ka diçka që ka lënë gjurmë nga e shkuara apo është shkak-pasojë e një fenomeni të parë nga larg, e që nuk do të dëshironit t’ju ndodhte?
Sikurse çdo individ tjetër, jam zhgënjyer dhe kam zhgënjyer. Sigurisht, secili prej rasteve ka lënë gjurmë të forta tek unë. Nëse flas për zhgënjimin mendoj se edhe nga ai njeriu ka mjaft për të mësuar. Është praktikisht një pasuri në rrugëtimin e jetës. Ndërsa faljen e konsideroj si një çast të rrallë krenarie, ndjesie emocionale, energjie dhe lirie të çliruar. Është ndjesi shumë e bukur sepse sfidon mbi çdo gjë tjetër, përfshirë edhe zhgënjimin, e aq më shumë kur kjo është bërë me zemër dhe dëshirë!
Botuar në revistën Psikologjia, nr 97
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.