Mirëqenie

April 26, 2016 | 7:42

Albi Greva: Pas kafes me vijnë mendimet pozitive

Pasi ka kyçur derën, kur niset drejt punës, bën një ndalesë fare të vogël, 30 sekonda pranë barit afër shtëpisë. Një ekspres i shkurtër, i pirë rrufe… zonjat që i shërbejnë janë mësuar me orarin e tij dhe e kanë gati kafen kur ai hyn për të bërë ritualin që prej 20 vitesh e shoqëron.

“Zgjimi tek unë zgjat rreth një orë e treçerek. – thotë Albi Greva.- Sigurisht që nuk vjen i menjëhershëm, por me ngadalë. Nis me hapjen e qepallave në 7 pa një çerek. Veprimi i dytë që bëj, pa lëvizur kokën nga nënkresa, është hapja e televizorit, aty ku dua të ndjek informacionet e para të ditës, që janë titujt e gazetave. Pas tyre, zgjedh një kanal tjetër, këtë herë një të huaj për ta shoqëruar paszgjimin me muzikë. Në këtë proces ndodhin shumë gjëra bashkë. Bëj streçing. Unë merrem me sport, dhe e bëj në mënyrë profesioniste. Përpara se të hyj në dush bëj shtriqje të muskujve, një metodë gjimnastikore që më ka mbetur që fëmijë, në shkollë, atëherë kur të gjithë bënim fizkulturën e mëngjesit. Mendoj se ka qenë një gjë shumë e mirë. Ndonjëherë e shmang, por duke qenë se kam qenë klasë sportive, jam rritur me këtë edukatë, kjo ka qenë një gjë e mirë e cila mendoj se i bën mirë çdo lloj moshe. Më tej një banjë të shpejtë, mandej hekuros këmishën, kollaren, pra merrem me uniformën të cilën do të mbath për të shkuar në detyrë, këpucët…”. Për njeriun e biznesit, arbitrin e talentuar të basketbollit dhe vetë Albin, hapësira e zgjimit vijon në 7 e 30 me procesin e shtrydhjes së lëngut të frutave. “Nuk harroj asnjëherë. Besoj se kaq mjafton për regjimin e mëngjesit, asgjë më shumë. Nuk ha rëndë si britanikët, të cilët vënë para tryezës të gjitha salltanetet. Zakonisht kam një regjim të saktë gjatë ditës”. Pas kësaj Albi Greva nuk harron një tjetër element po kaq të vlefshëm për zgjimin e mëngjesit. Por këtë, ai e bën pasi ka kyçur derën, kur niset drejt punës. Bën një ndalesë fare të vogël. Vetëm 30 sekonda pranë barit afër shtëpisë. Një ekspres i shkurtër, i pirë rrufe. Siç tregon vetë ai, dhe zonjat që i shërbejnë janë mësuar me orarin e tij dhe e kanë gati kafen kur ai hyn për të bërë ritualin që prej 20 vitesh e shoqëron. “Sikurse unë them shpesh, nuk rrimë dot pa pirë kafe se duket sikur nuk na del gjumi. Ende nuk e kam kuptuar nëse e kam sëmundje, zakon apo pretendim të kotë? Nuk e di. Por unë dua ta shijoj, pas kafes më vijnë edhe shumë mendime të mira”. I gjithë ky proces për Albin është një zgjim i mbarë. Kërkon ta shohë pozitivisht dhe të gjejë brenda vetes gjëra për ta bërë interesante.

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top