Marrëdhënie

June 1, 2018 | 13:25

Albjona Rrapaj: Kur ke pranë një partnere inteligjente

Kur e ke pranë një femër inteligjente, inteligjenca në përkufizimin e vet nuk ka një njësi matëse apo një përmbushje brenda një kuadrati të vetin minimalist. Dimensioni i saj përmban një shumëllojshmëri nënpërkufizimesh, të cilat e përmbushin atë në formën ekzistenciale dhe materiale. Gjatë kërkimit të një partneri jetësor, secili kërkon dimensionin e “vetes inteligjente”.

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Të jetuarit në një shoqëri me prirje që ende rrotullohet rreth maskilitetit, çon që format e shprehjes së inteligjencës femërore jo rrallëherë të vihen në dyshim apo edhe të hidhen poshtë. Një femër inteligjente në një raport partneriteti, është një femër që përmbush jo vetëm zonën boshe të marrëdhënies, por mbi të gjitha një femër që kopsit më së miri zbulesën e inteligjencës afër ideales së partnerit të vet. Nëse do e shpjegoja më thjeshtë do të thosha: Të pasurit në krah një femër inteligjente në realitetin tonë, do të nënkuptonte reduktim të fuqisë mashkullore dhe formim të një intelekti që prek një vizion mendimi që ndoshta-ndoshta duhet të kapërcejë formën e të menduarit thjesht mashkullore.

Trajtesa e këtij artikulli nuk ka për synim ndarjen dhe kuptimin e dy koncepteve: Femër inteligjente për partnere dhe femër jo inteligjente për partnere. Synimi i tij është të krijojë një ndërlidhje mes të dyjave duke çuar në një reflektim produktiv këdo që e lexon. Nëse pretendohet të argumentohet lidhur me inteligjencën, do të listoheshin një numër i madh elementesh që do e përmbushnin atë.

Po listoj disa prej tyre:

1- Inteligjenca emocionale.

2- Inteligjenca komunikative.

3- Inteligjenca empatike.

4- Inteligjenca konjitive, etj.

Por në këtë formë, a mundet që një partner, të cilit nuk i përkasin këto forma të inteligjencës, ta ketë të thjeshtë kuptimin e tyre? Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje, pasi përgjigja në këtë rast do të ishte e thjeshtë. Kjo pyetje do reflektim dhe ngushtim të konceptit në një marrëdhënie çifti. Nëse një mashkull do të ketë një femër inteligjente, (duke e lidhur me çfarë u tha më sipër), por kur vet ai nuk i plotëson ato, atëherë forma e inteligjencës femërore (e parë nga ai), do të kthehej në një formë jo inteligjente brenda një raporti çifti.

Duke ndjekur në vazhdimësi logjikën i takon femrës inteligjente, që në disa raste të kthehet në një femër jo inteligjente për t’iu përshtatur formës së inteligjencës të mashkullit krah saj. Në këtë rast të dy përkufizimet, femër inteligjente dhe femër jo inteligjente do gjendeshin aq afër njëri-tjetrit sa do ishte i vështirë dallimi midis tyre. Në fakt për një mashkull që nuk arrin dot konceptet e inteligjencës së femrës së vet, nuk ka se si ta përkufizojë atë inteligjente. Në të tilla raste ai do e konsideronte si rebele, e pakuptueshme, egoiste etj, dhe e kundërta nëse do kishte në krah një femër jo inteligjente.

Duke qenë se merret kjo formë trajtese e femrës inteligjente, raporti zvogëlohet duke i marrë oksigjenin të dy partnerëve. Nëse inteligjenca nuk është reciproke në raportin e çiftit, ajo kthehet në jo inteligjencë, duke gërryer vetveten dhe konsumuar atë. E parë në këtë mënyrë, femra inteligjente nuk është një femër e cila numëron inteligjencat e veta, por në vazhdimësi të logjikës së ndjekur më sipër partneri do ndihej mirë dhe do e konsideronte inteligjente atë femër që përshtat inteligjencën e vet me partnerin e më pas së bashku me të ngrihet në nivelin real të inteligjencës së saj.

A mos vallë kjo formë do kufizonte femrën inteligjente në raportin e saj me vetveten? Ndoshta po, ndoshta jo. Nëse përgatitja dhe botëkuptimi do të paraqiteshin siç duhet, kjo formë do çonte në zhvillim mashkullin, duke e bërë atë më të plotë për femrën dhe vetveten. Nëse barrierat e inteligjencës do i qëndronin përballë partnerit mashkull, ai do dëshpërohej në qenien e vet brenda çiftit, duke minimizuar edhe vet egon, por njëkohësish duke minimizuar edhe qenien e femrës së tij. Kjo s’do i pëlqente aspak dhe do bënte raportin e çiftit të kalonte kriza të fuqishme.

Inteligjenca femërore është një dhuratë e çmuar për qenien e femrës, por për të fituar produktin maksimal të raportit në çift, femra inteligjente mbase do i duhej që vazhdimisht të ndërthurte inteligjencën me jo inteligjenten, deri në momentin e ngritjes në nivel intelektual edhe të partnerit të vet. Si përfundim, etiketimet në raportin e çiftit nuk është se kanë ndonjë rëndësi të madhe për vazhdimësinë e këtij raporti, apo për partnerët veç e veç.

Subjektiviteti i koncepteve femër inteligjente dhe femër jo inteligjente, do merrnin kuptimin objektiv vetëm kur përfitimi do të ishte krijimi i një partneriteti frytdhënës dhe paqësor, dhe njëkohësisht zhvillimi i vetes do vazhdonte në kërkim të një inteligjence gjithmonë e më të menduar.

Femra inteligjente nxit zhvillim të partneri të vet, ajo jo inteligjente e zhyt atë në maskilitet e jo objektivitet, vazhdimisht duke u bazuar në formën e të menduarit të mësipërm.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top