Marrëdhënie

May 12, 2016 | 8:42

Alda Bida: Raporti në çift… në dorën e gruas

“Nëse nuk do të ekzistonte romantika mashkullore, gratë do të ishin në stres të vazhdueshëm. Nga ana tjetër, mendoj se faktin e ekzistencës së mashkullit romantik e kanë femrat më shumë në dorë… Ata (meshkujt) shfaqen shpesh ashtu siç ne i duam… Sado i pavëmendshëm të jetë një mashkull, kur femra është e qartë në preferencat e saj gjithnjë merr atë që preferon…”

A ekziston mashkulli romantik?

Nuk ka meshkuj që thurin vargje, por ka meshkuj që të surprizojnë me një lule në një moment krejt të veçantë… (Gjatë udhëtimit për në jug, Petri gjithnjë e gjen një lule për të më falur emocion… që unë ta kujtoj edhe përqafimin e veçantë të atij momenti). Nuk ka meshkuj që të këndojnë poshtë ballkonit, por ka meshkuj që dinë të të ledhatojnë tek të ftojnë në një kërcim… apo që të marrin papritur dhe të çojnë në një vend ku deti dhe qielli janë të vetmit që ti sheh… ti hutohesh e humbet në një përqafim diku në mes të natyrës… Mua më ka ndodhur… sigurisht jo çdo ditë, por di të them se atëherë kur dua të jem e pushtuar nga romantika krah atij që dua, gjithnjë e kam pasur… Nëse nuk do te ekzistonte romantika mashkullore, gratë do të ishin në stres të vazhdueshëm. Nga ana tjetër, mendoj se faktin e ekzistencës së mashkullit romantik e kanë femrat më shumë në dorë… Ata (meshkujt) shfaqen shpesh ashtu siç ne i duam…

Keni ndryshuar, apo thjesht e keni pranuar burrin dhe mënyrën e tij të dhënies së dashurisë dhe vëmendjes?

Mendoj se kam marrë dashuri, sepse kam ditur të jap. Nëse vetëm kërkon dhe nuk di të japësh, atëherë egoizmi të bën të mendosh se ti je lodhur kot, se nuk të dashuron apo nuk të vlerëson aq sa meriton e sa do të doje… Romantika e një lidhjeje nuk mund të jetë gjithë jetën, por shkëmbimi i energjive për mendimin tim është patjetër. E nëse di të japësh energji pozitive, patjetër që edhe do të marrësh… Një përkëdhelje tek sheh një film, një dhuratë në një moment kur nuk e pret, madje edhe një tufe lule tek udhëton me makinë, të thonë se ka ende dashuri… ka ende romantikë… Nuk mendoj se duhet ta kërkosh vëmendjen, atë o e ke, o nuk e ke…

Shumë gra ankohen për paaftësinë mashkullore për ta shprehur dashurinë… për të bërë dhuratën e duhur, për shembull, që është një mënyrë e shprehjes së dashurisë…

Unë mendoj se një femër di t’i tregojë preferencat e saj… për shembull, ndaj parfumit që i pëlqen, ndaj bizhuterive… markës së këpucëve, apo edhe për veshjen… Sado i pavëmendshëm të jetë një mashkull, kur femra është e qartë në preferencat e saj gjithnjë merr atë që preferon. Ka burra, të cilët janë të sëmurë pas detajeve, ashtu siç ka meshkuj që i anashkalojnë detajet e dhuratat. Dhe jo se nuk duan t’i bëjnë, por sepse nuk duan të gabojnë… Kam marrë dhurata nga shokë, nga miq, nga të afërm (meshkuj), të cilët çuditërisht nuk kanë gabuar në zgjedhje. Më kanë dhuruar lulet e preferuara, parfumin e parapëlqyer… madje dikush që më ka njohur më shumë, edhe shallin me karficën e duhur. Mendoj se nëse meshkujve u jep mundësinë të të njohin, pa u fshehur, ata dinë të të vlerësojnë. Madje edhe të bëjnë dhurata surprizuese…

E megjithatë burrat dhe gratë janë të ndryshëm: Sa kohë ju është dashur në fillim të kuptoni ndryshueshmërinë?

Mendoj se kam qenë më e përgatitur për ndryshueshmërinë, sesa për ngjashmërinë, që në fillim…

Çfarë do të thoni për konceptin, sipas të cilit burrat janë të disponueshëm përgjysmë?

Nëse një burrë është i plotë, nuk mund të jetë i disponueshëm përgjysmë. Kjo gjithnjë varet se me çfarë këndvështrimi e sheh partnerin. Nëse partneri është vetëm për në shtrat, atëherë sigurisht që është gjysmëdisponibël. Por nëse partnerin e sheh si mik, si të dashur, si bashkëshort e si një njeri me të cilin ndan emocione jo vetëm seksuale, pa diskutim që disponibiliteti i tij është i plotë… Nuk di se kujt mund t’i përkasë gjysma tjetër, por unë mendoj se gruaja duhet të dijë ta përfshijë të gjithin, e nëse nuk mundet, nuk ka pse t’ia vërë fajin mashkullit…

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top