Grupi mediatik, News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Radio News24 premton risi për vitin 2024 nën një drejtim të ri.
Këtë të mërkurë presidenti i “Hysenbelliu group” z.Irfan Hysenbelliu prezantoi para stafit të medias drejtorin e ri të Përgjithshëm, të cilit i është besuar drejtimi i mediave më të rëndësishme në tregun mediatik shqiptar. Kjo detyrë i është besuar Aleksandër Çipës, një figurë me përvojë të gjatë në televizion dhe në gazetari dhe themelues i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri.
Teksa bëri prezantimin para bordit dhe gazetarëve, Z.Irfan Hysenbelliu premtoi risi për vitin e ri. Ai vlerësoi bashkëpunimin për gati 2 dekada me Robert Rakipllarin, gjatë drejtimit të tij të grupit mediatik. “Me Robert Rakipllarin kemi patur një bashkëpunim të sinqertë për 18 vjet. Përvoja që krijoi në drejtimin e grupit mediatik do t’i shërbejë në suksesin e mëtejshëm të tij”, tha z.Hysenbelliu dhe e uroi për rrugën e tij drejt eksperiencave të reja.
Z.Hysenbelliu theksoi se Aleksandër Çipa është një njohës i mirë i medias dhe ka përvojë të gjatë në gazetari, përvojë që do ta përcjellë me sukses në punën e tij në krye të medias së grupit.
“Kam besim se përvoja e tij do të shërbejë që grupi ynë mediatik të mbetet i pari në tregun e informacionit dhe televizionin News24 të jetë si gjithmonë, televizioni i të gjithë shqiptarëve dhe i pari për lajmin e minutës së fundit dhe të saktë.”, tha Z.Hysenbelliu.
Balkanweb
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.