Një njeri në katër vuan nga alergjitë. Dhe, sipas ekspertëve, problemi sa vjen e shtohet. “Faji mund të jetë ndryshimi i stilit të jetesës, i cili po dobëson aftësinë e sistemit imunitar për t’u përgjigjur”, shpjegon Antonella Muraro, përgjegjëse e qendrës për studimin e kurës së alergjive në spitalin universitar të Padovës. “Për shembull, zakoni i keq që kanë njerëzit për të konsumuar pak fruta dhe perime të freskëta (të pasura me antioksidantë), ndotja e ambientit, jeta sedentare, rënia e vitaminës D në gjak si pasojë e ekspozimit të pakët ndaj diellit, janë disa nga arsyet pse njerëzit vuajnë nga alergjitë”. Mirëpo sot është më e lehtë t’i mposhtim alergjitë falë zbulimeve të fundit shkencore, të cilat na lejojnë të vëmë në praktikë strategji të ndryshme, rast pas rasti.
Fëmija juaj pulit shpesh sytë, “tërheq” hundët vazhdimisht dhe është i bezdisur? Bëjini menjëherë analizat, pasi mund të jenë shenjat e para të një alergjie: një fëmijë nga 5 deri në 6 vjeç vuan shpesh nga ky problem. “Nëse testet alergjike janë pozitive, me një kurë me bazë antistaminikë dhe ilaçet me bazë kortizoni për hundët, simptomat do të fashiten, – thotë profesoreshë Muraro. – Mund të filloni dhe me imunoterapinë, domethënë me vaksinën. Në ditët e sotme kanë dalë nëpër farmaci vaksinat kokërr në vend të atyre që injektohen. Në shtatë raste nga dhjetë shqetësimet përmirësohen që në vitin e dytë të trajtimit”.
Bëni çdo pesë vjet testet alergjike
Alergjitë transformohen përgjatë kohës dhe mund të ndodhë që ilaçet nuk funksionojnë më si më parë. Për këtë është e nevojshme një “rivizion”, i cili parandalon shfaqjen e astmës, që më vonë kurohet më me vështirësi. Ndaj shkoni te specialistët për të rishikuar kurën që duhet të ndiqni. Kujtohuni gjithmonë t’i lani sytë shumë herë në ditë, në mënyrë që të eliminoni substancat alergjike. Smogu mund ta modifikojë strukturën e polenit dhe mund të rrisë prodhimin e tij edhe në periudha anormale dhe, për pasojë, shtohen shqetësimet alergjike. Për më tepër, ajri i ndotur ndikon te bronket, duke i bërë të ndjeshme ndaj polenit. Shqetësimet alergjike mund të shfaqen edhe në lëkurë, pasi irritojnë qelizat e lëkurës, duke u dhënë kështu udhë ekzemave. Duhet të pini të paktën dy litra ujë në ditë, për ta ndihmuar organizmin të eliminojë papastërtitë. Pastrojeni lëkurën në mëngjes dhe në mbrëmje me produkte me bazë uji mineral: heq papastërtitë e smogut dhe rrit mbrojtjen lokale. Ajri i zonave rurale është shumë i mirë për ata që vuajnë nga alergjitë. Por është mirë të dimë disa sekrete në këto raste të veçanta. Para së gjithash, tregoni kujdes të mos shkelni territore me gjethe të thata: mund të vini në lëvizje poret e mykut që, duke u shpërndarë në ajër, mund të shkaktojnë sulme alergjike. Në ditët me erë të fortë, nëse ju duhet të dilni me patjetër, merrni një dozë ilaçesh antialergjike, në mënyrë që të evitoni polenin e luleve.
Femrat vuajnë më shumë
Cila është arsyeja që femrat vuajnë më shumë se meshkujt nga alergjitë? Me shumë gjasa janë hormonale. Në krye të listës së gjërave që na shkaktojnë alergji është nikeli. Jo rastësisht kemi hipersensibilitet ndaj këtij metali, duke qenë se është i pranishëm në shumë bizhuteri, në kozmetikë apo në detergjentet për pastrimin e shtëpisë. Për fat të keq, tani për tani, nuk ekzistojnë vaksina dhe është shumë thelbësore që të tregojmë kujdes ndaj gjërave që përdorim. Blini vetëm produkte që në etiketën e tyre shkruajnë “nickel tested”: përqendrimi i këtij metali është nën vlerën 0.00001%. Dhe zgjidhni tenxhere dhe enë kuzhine inoksi ose dhe hekuri që janë pa nikel. Alergjitë e rrugëve të frymëmarrjes “godasin” kryesisht meshkujt. Me shumë gjasa, sepse i kanë bronket më të ndjeshme se sa të femrave. Nëse partneri juaj vuan, ndihmojeni që ta kalojë krizën. Për pastrimin e shtëpisë përdorni një fshesë me korrent me filtër Hepa: eliminon me efikasitet pluhurin dhe largon merimangat. Ndërkohë që gatuani, ndizni aspiratorin, përndryshe avujt e gatimit mund t’i irritojnë bronket. Nëse pas vakteve vuani shpesh nga diarreja apo mbusheni me puçrra, mund të jeni alergjike ndaj ndonjë ushqimi. Lajmi i mirë është se mund të shëroheni duke ndjekur të ashtuquajturën dieta e eliminimit. Praktikisht, për një periudhë kohe që varion nga dy deri në gjashtë muaj evitohen ushqimet që japin probleme. Është shumë e rëndësishme t’i drejtoheni një specialisti. “Mos ndërmerrni asnjë hap vetë, – thekson profesoresha Muraro, pasi ekziston zakoni i keq që kanë njerëzit për të eliminuar ushqimet në mënyrën e gabuar, duke rrezikuar kështu vlerat ushqimore”. Edhe nëse jeni alergjikë vetëm nga pjalmi duhet të bëni kujdes ndaj disa ushqimeve, sepse mund të verifikohen të ashtuquajturat reaksione të kryqëzuara. Substancat e pranishme në pjalm, në fakt, gjenden edhe në përbërjen e disa ushqimeve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.