Dëshmi

February 4, 2019 | 12:44

Alesia Xhemalaj: Arti, pasuria e një kombi që fal lumturi!

Arti është streha prej nga ku kushdo mund të shohë në role të ndryshme veten e të reflektojë nën gjurmët e tij. Për aktoren e re Alesia Xhemalaj, arti është pasuria kombëtare e një vendi, i cili na ndihmon të kuptojmë veten dhe jetën që ne bëjmë.

“Ne lindim nga dashuria dhe është ‘detyra’ jonë të falim dashuri gjatë etapave të jetës” pohon Alesia, ndërsa nënvizon se për të qenë një mjeshtre e lumturisë i është dashur të bëjë një punë shumë të mirë me veten, duke i folur dhe dëgjuar atë në momentin e duhur.

Në jetë meritojmë të respektohemi, të vlerësohemi, të duhemi. Një shpirt i lirë është ai që ia përsërit këto fjalë vetes. Sa jua pasuron jetën kjo gjë?

Të gjithë janë në kërkim të dashurisë, respektit, të vlerësimit, por shumëkush nga ne harron se gjithçka fillon nga “unë”. Respekti ndaj vetvetes ose ndryshe respekt i duhur ndaj vetes si qenie njerëzore. Të respektosh veten bëhet më e plotë po të shtosh edhe: vlerat e vetes, pranimin e vetes dhe besimin në vetvete. Në këtë mënyrë, energjia që do të përcjellësh tek të tjerët do të jetë absolutisht pozitive. Sigurisht, nuk mjafton kaq, sepse në jetë duhet të japësh dhe të marrësh.

Lumturia fillon nga gjërat e vogla, nga gjestet e së përditshmes, nga gatishmëria që tregojmë për t’ju gjendur pranë personave të dashur. Këto gjëra janë të rrënjosura tek ne që në gjenezë. Ne lindim nga dashuria dhe është “detyra” jonë të falim dashuri gjatë etapave të jetës. Nuk është aspak e thjeshtë, e di, sepse jeta ka kthesa të çuditshme, por nëse përpiqesh fort, nuk ka pasuri më të madhe për shpirtin.

Sa ju ndihmon të gjeni dritën, pas një stuhie?

E para gjë që duhet t’i themi vetes me zë të lartë është se, gjithmonë ka dritë pas një stuhie! Na ndodh shpesh të mbyllemi brenda vetes duke analizuar se si mund të shkonin ndryshe gjërat, apo se si mund t’i parandalonim apo jo. Çdo gjë ndodh për një arsye. Pikërisht në këtë moment duhet të dal në pah forca jonë e brendshme. Në të përditshmen tonë është gjithmonë dikush që ka nevojë për ne, është gjithmonë dikush që s’na lë asnjëherë në baltë. Përherë e kam gjetur forcën tek personat që besojnë tek unë. Ata janë mbështetja ime më e madhe për të vazhduar përpara. Çdo provë është bërë për t’u kaluar dhe çdo njeri duhet ta kalojë me triumf.

E përcaktoni veten mjeshtre të lumturisë?

Le të themi që kam bërë një punë shumë të mirë me veten për të qenë “mjeshtre e lumturisë”. Nuk e di se sa ia kam dal. Nuk është aspak e thjeshtë, por as e vështirë nuk është. Mjafton që në momentin e duhur t’i flasësh vetes dhe ta dëgjosh. E nëse e bën këtë, gjërat sigurisht do të shkojnë më mirë dhe ata që janë rreth teje do të marrin nga kjo energji.

Si ia siguroni vetes këto situata, kur në ajrin shqiptar ka shumë tymnaja që i pengojnë ndjesi të tilla?

Profesioni im është arma më e fortë! Kushdo që merret me art ka një detyrë shumë të madhe, t’i flasë të tjerëve me anë të punës së vet, t’i bëjë të reflektojnë, t’i bëjë që pasi të kenë parë një shfaqje teatri të mendojnë më ndryshe mbi veten dhe të tjerët, pasi kanë parë një ekspozitë, të kujtohen që jeta ka ngjyra edhe brenda kësaj tymnaje që jetojmë, pasi kanë parë një balet të kujtohen se ata janë solistët e jetës së tyre.

Nuk duhet t’i humbim shpresat dhe kur përpara nesh ka njerëz që duan të na shembin themelet tona dhe të ndërtojnë gradaçela boshe! Këta njerëz e dinë shumë mirë se arti është arma më e fortë e një kombi.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top