Lifestyle

June 26, 2016 | 12:10

Alma Saraçi natyrale

Ajo e kapi ritmin e kohës, arriti t’ia dalë dhe ta bëjë ëndrrën realitet. Ishte vetëm 17 vjeçe kur la pas vendin e saj. Nga Shqipëria e Jugut të Ballkanit kishte mbërritur në Qytetin e Engjëjve, për audicione teatrale edhe përpara kamerave të Hollivudit. Sot jetës i ka dhënë dimensionin e kërkuar. Një përfaqësuese e artit shqiptar e gjithaq një model udhërrëfyes për këdo zgjedh të investojë për veten nën moton “po nuk rrezikove, nuk bëhesh askush”. I ka hyrë me pasion rrugës së vështirë të filmit. “Kinemaja amerikane nuk është shaka, por një punë rraskapitëse”, thotë Alma Saraçi me një sërë rolesh në qendrën e kinematografisë botërore, tanimë dhe producente. Në planet e saj ka për qëllim të bëjë një film edhe në Shqipëri. Të qenit femër e pashme e ndihmon në një proces krijues dhe përfaqësues sa i takon profesionit, ndërsa, siç pohon ajo vetë, “pas talentit vjen bukuria”. Imazhit të saj duhet thënë se në përditshmëri nuk i kushton mjaft kujdes. Kjo, pasi grimi nuk i pëlqen shumë. “Vetëm në qoftë se jam duke shkuar për një aktivitet, për xhirime apo për të bërë një set fotografish, thotë Alma. – Gjatë ditës jam pa grim. Më pëlqen ta lë fytyrën të pastër. Për t’i dhënë asaj pushim, plus që kjo e ndihmon lëkurën time të rigjenerohet pas ditëve të xhirimeve ku më është dashur ta ngarkoj mjaft për këto arsye. Grimi për një rol ka me të vërtetë rëndësi, ose mungesa e tij. Gjendet tek ato detaje të vogla që ju mund të zbuloni shumë duke mos thënë shumë”. Kujdes për lëkurën ka filluar të tregojë në moshën 20-vjeçare. Regjimin e ka ruajtur sipas metodave të saj, pa rendur çmendur pas qendrave estetike. Preferon kushtet e shtëpisë, “me përjashtim prerjen e flokëve dhe lyerjen e tyre. Kam besim të plotë të kurohem nga duart e artistit të shkëlqyer për flokët, Julio Romano”. Bashkë me imazhin, kjo është ajo pjesë e rëndësishme, pa të cilën nuk do të kishte shkëlqim dhe pamje të re në dukjet e saj. Sekreti? “Për flokët zakonisht përdor shampo natyrale, pa kimikate dhe që shkon me të gjitha produktet e mia. Gjithçka pa përbërës artificialë. Me flokët e mi të rinj, në ngjyrë të kuqe, nuk kam përdorur kimikate. Balsami i dëmton ato”. Ka mbërritur në SHBA nga Elbasani. Diplomuar në shkollën e mesme Rutgers University, Nju Xhersi, ku studioi një sërë degësh që kishin të bënin me biologjinë, letërsinë franceze, filozofinë etj. Mandej vendos t’i përkushtohet artit. Ka kaluar kohë në Siatëll, duke punuar në teatrot vendëse për të kaluar më tej në Los Anxhelos. Ka çelur kompaninë e saj teatrore që në kolegj. Është njohëse e gjuhës shqipe, franceze, italiane dhe spanjolle. Në këtë moment është duke zhvilluar një seri televizive për internetin, ndërsa vijon turet nëpër festivale me prezantimin e dy filmave të saj të fundit që ka kompletuar: “Broken Gardenias” dhe “Reflections of Maya Rose”. “Broken Gardenias” do të jetë gjithashtu në Gjenevë, Bolonjë dhe Paris këtë vjeshtë-dimër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top