Mirëqenie

February 19, 2019 | 12:20

Amar Dent / Kujdesi për foshnjet që në shtatzëni, formohet sistemi dhëmbor i qumështit

Një ngasje drejt mjekësisë e kish zanafillën që herët. Gjithçka e orientonte drejt profesionit që vonë do të merrte drejtimin final. Gjithçka fokusohet tek një kulturë orale përtej imazhit thjesht estetik. Buzëqeshja e bukur dhe dhëmbët e kuruar ia tërhiqnin vëmendjen për më në brendësi të fushës. Ortodontria e kanalizoi Amelën drejt një specializimi vendimtar. Ky ishte pakti përfundimtar me veten. 

Vendosi ta ndjekë ëndrrën e njëkohësisht të ardhmen, pas së cilës gjeti dhe njeriun e zemrës, me të cilin bëjnë bashkë sot të njëjtën udhë. “Amar Dent” është klinika e tyre dentare. Një kabinet i mirëkonceptuar, ku nuk mungon që nga steriliteti e deri te aparaturat e teknologjisë së fundit. Një klinikë shembull edhe për nga arkitektura, me dekor të pastër, ku vetja të duket sikur je në pafundësinë e kristaltë joniane.

Amela, si u gjendët në këtë fushë dhe çfarë e bën pasionin të kthehet në një realitet të prekshëm?

Jam mjeke stomatologe e specializuar për Ortodonci. Si pa kuptuar po bëhen 6 vite që e ushtrojmë këtë profesion, dhe një vit që unë dhe bashkëshorti im, Ardit Marku, mjek stomatolog gjithashtu, kemi hapur klinikën “Amar Dent”. Klinikën e kemi si fëmijën tonë të parë, që kujdesemi çdo moment që të rritet më së miri, duke sjellë risitë dhe teknologjitë më të fundit. Si u gjenda në këtë fushë? Hm, po e nis nga fëmijëria, që gjithmonë e kam pasur qejf të bëhesha doktoreshë të bëja gjilpëra. 

Me kalimin e viteve, ajo dëshirë u kthye në pasion dhe kur erdhi koha e vendosjes, për mjekësinë ma prishën pak mendjen prindërit me pretekstin që është shumë e gjatë për femra. E kështu devijova brenda kësaj fushe, këtë herë me fokus te dhëmbët, si kohëzgjatje dhe më e “shkurtër”, 5 vite fakultet e 3 specializim. Dentistria për dikë që e do kthehet në art dhe pasion për të krijuar buzëqeshje gjithmonë e më të bukura. Nuk ka ndjesi më të bukur kur pacientët të thonë: Faleminderit më shpëtove nga dhimbjet! Apo kur: Më riktheve dëshirën për të buzëqeshur! Është një punë që e merr kënaqësinë në moment, një ndjesi e bukur kur pacienti qetësohet nga dhimbjet, nuk e ndien më frikën, dhe akoma më shumë kur i shtohet buzëqeshja.

Nga përvoja juaj, cilat janë rrisqet ku njerëzit bien pré e nuk dinë nga t’ia fillojnë?

A ka problematika? Nuk mungojnë, dhe janë të shumta. Duhen akoma shumë vite që pacientët të kontrollohen dhe të bëjnë higjienizimin e dhëmbëve çdo 6 muaj te dentisti. Stina e verës është e hallakatur do e përkufizoja unë, ku njerëzit udhëtojnë më shumë, dhe shpeshherë abuzojnë si me ushqimet ashtu dhe me higjienën orale. Tek ushqimet preferojnë të ëmblat më me shumicë edhe ushqimet e thata e të shpejta që nuk janë aspak të shëndetshme, si për dhëmbët ashtu edhe për shëndetin e përgjithshëm.

Gjithashtu, duke qenë me pushime, shpesh neglizhojnë pastrimin e dhëmbëve dhe flosimin (përdorimin e fillit dentar) pas çdo vakti, që është shumë e rëndësishme për parandalimin e prishjes së dhëmbëve.

Ka një specifikë sa i takon stinës kur ne duhet të tregojmë një vëmendje ndryshe nga stinët e tjera?

Nuk do specifikoja një stinë në veçanti, pasi çdo ditë duhet të kujdesemi mirë për dhëmbët në pastrimin e tyre dhe ushqyerje të shëndetshme, të pasura në kripëra minerale, proteina, vitamina, yndyrna dhe sa më pak karbohidrate. Dhe e ritheksoj, kontrollet periodike dhe pastrimet profesionale tek dentisti çdo 6 muaj. Si për shëndetin e dhëmbëve edhe për shëndetin e përgjithshëm, mirë është që pijet mos të jenë të ftohta, por të jenë pak a shumë në temperaturën e ambientit. Kujdes duhet të tregojmë edhe ndaj ushqimeve të forta, sidomos kokoshkave, që janë shumë të predispozuara të inflamojnë mishrat e dhëmbëve.

Cilat janë situatat më të sikletshme me klientin ku përveç punës, ju duhet t’i mbushni mendjen në aspektin psikologjik për një ecuri pa dhimbje?

Kur pacientët e vënë vetë diagnozën. Këto janë situata të sikletshme pasi përpos punës, duhet edhe bindja për të kundërtën që ata kanë në kokë. Pacientët me përvoja me dhimbje të mëdha, që vijnë me frikë të madhe, janë situatë tjetër problem. Frika është diçka që na ka mbetur që në kohët më përpara, pasi sot procedurat dentare të themi të vërtetën, falë teknologjisë së avancuar në këtë fushë janë bërë totalisht pa dhimbje. Ndërsa për fëmijët që po rriten, mendoj që kemi ne rolin kryesor, pasi nuk duhet ta mësojmë fëmijën me frikën nga mjeku, “haje ushqimin se do i them doktoreshës të bëjë gjilpërën e madhe”, “sillu mirë se vjen doktoresha të bën gjilpërën”, sepse në këtë mënyrë fëmija sa të shohë bluza të bardha frikësohet. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm mos të përcjellim ndjenjën e frikës nga mjeku.

Çfarë këshilloni sipas grupmoshave për një mirëqenie pa andralla?

Do e filloja që në jetën intrauterine ose të shtatzënisë, ku zhvillohet një pjesë e mirë e sistemit dhëmbor të qumështit. Prandaj është e rëndësishme ushqyerja e mirë e nënës, mos rrezatimi nga rreze të dëmshme, mos konsumimi i alkoolit e duhanit. Pas lindjes, shumë e rëndësishme është ushqyerja me gji, pasi zhvillon muskulaturën e për rrjedhojë zhvillimin normal të nofullave. Pas 6-mujorit të parë, fillimi i ushqimeve të tjera me lugë dhe shumë e rëndësishme, mos lënia e biberonit gjatë natës, që shkakton prishjen e dhëmbëve.

Pastrimi me garzë pambuku pas çdo vakti i dhëmbëve të bebes dhe pas njëvjeçarit të parë fillojnë konsultat me dentistin. Ushqyerja e shëndetshme më vonë dhe edukimi i fëmijës nga prindërit për pastrimin e dhëmbëve pas çdo vakti është më kryesorja për parandalimin e prishjes së dhëmbëve. Vizitat periodike shumë të rekomanduara në grupmoshat 6 deri në 11 vjeç për të evidentuar ndonjë problem të nofullave që është i pranishëm, pasi pas kësaj moshe problemet mund të mos zgjidhen më me aparate, por vetëm përmes kirurgjisë.

Mijëvjeçari i ri ka nxjerrë në pah deformime e keqformime sa i takon nofullave, daljes me vonesë të dhëmbëve. Në të tilla situata çfarë është mirë të dimë dhe të veprojmë si prindër?

Më fute në fushën time të Ortodoncisë. Shumë e vërtetë që mijëvjeçari i ri ka nxjerrë në pah keqformime të nofullave dhe mosrrjeshtimin normal të dhëmbëve. Është shumë e rëndësishme si fillim që nëna ta dijë se ushqyerja me gji është hapi i parë kyç që mos të kemi keqformime më vonë. Fillimi i ushqyerjes me lugë pas 6-mujorit të parë dhe me rritjen e fëmijës, jo çdo gjë me thikë e pirun, por t’ia japim fëmijës mollën apo frutin ashtu siç është, kështu aktivizohen muskujt dhe zhvillojnë formimin normal të nofullave.

Të jenë të kujdesshëm të evindentojnë vese të ndryshme të fëmijës, si p.sh: thithja e gishtit etj., dhe t’i drejtohen patjetër mjekut ortodont për ndihmë, që të eliminohet vesi pa krijuar probleme të mëdha. Të jenë të kujdesshëm për trajtimin e dhëmbëve të qumështit të fëmijës dhe jo të hiqen ato para kohe, pasi shkaktojnë deformime më vonë. Dhe po e mbyll duke ritheksuar që, vizitat në Shqipëri akoma vazhdojnë të jenë falas te dentisti, kontrolloni fëmijët periodikisht çdo 6 muaj pasi, të parandalosh është më mirë se të trajtosh!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top