Në fokus

July 2, 2016 | 11:09

Ambicia

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Ambicia ka përkufizime të ndryshme, të cilat bazohen nga mënyra se si e përdorin njerëzit dhe rrethanat në të cilat janë, duke kaluar nga polet negative në pozitive. Një njeri ambicioz mund të jetë i motivuar të arrijë qëllimet e tij në jetë, por mund edhe të përdorë arrogancën, keqdashjen, intrigat, ligësinë, për të arritur atje ku dëshiron të shkojë dhe mendon se do të jetë i “Lumtur”. Ambicia shikohet si një mënyrë për të vënë të tjerët përpara ose për të siguruar pushtet dhe para. Ndërsa ambicia mund të tregojë personalitetin e dikujt, i cili “ngrihet” duke shkelur të tjerët, ajo nuk duhet të jetë e tillë. Ambicia mund të jetë një forcë pozitive për shoqërinë dhe individin kur qëllimet e tij janë në përputhje me atë që është më e mira për shoqërinë dhe kur veprimet për të arritur qëllimet janë bashkëpunuese për një të mirë të përgjithshme dhe jo konkurruese për përfitime individuale. Ambicia është e lidhur me suksesin. Njerëzit të cilët janë të suksesshëm paguhen më mirë, kanë status lideri, drejtuesi apo menaxheri. Ndërsa studimet onfirmojnë se puna e vështirë do të çojë në suksesin tënd material, studime të tjera nxjerrin se lidhja e ambicies me përmbushjen e jetës nuk është garanci, e përcaktuar se ambicia ka një efekt shumë më të dobët në kënaqësinë e jetës dhe në fakt një ndikim negativ në jetëgjatësi. Për njerëzit ambiciozë që arrijnë karrierë të suksesshme, nuk duhet përkthyer se kanë një jetë të çmuar, të lumtur apo të shëndetshme. Kemi parë njerëz të suksesshëm të cilët nuk jetojnë dot pa stres dhe punë sepse nuk dinë të bëjnë gjë tjetër dhe të shijojnë gjërat më të thjeshta të jetës. Kemi parë njerëz me status të lartë në politikë dhe profesion të cilët nuk dinë të shprehin emocione sepse janë përqendruar tek ambicia duke harruar të shijojnë jetën si gjithë njerëzit e tjerë. Statusi bën që ti të kesh të ardhura më të mira, të hash më mirë, të jetosh në zona më të sigurta, por në fund të fundit, nuk të bën më të lumtur nga ai bariu në mal që jeton në natyrë dhe ka sfidat e veta, të cilat një biznesmen i fuqishëm me shumë para nuk do dinte t’i zgjidhte pa paguar. Dëshironi të martoheni, të keni fëmijë, t’i edukoni në shkollat më të mira, t’i lini pasuri e kështu pafund? Atëherë do paguani koston për ambicien tuaj: do punoni fort, do rrini netë pa gjumë, do lini pa bërë ca shpenzime për veten tuaj, herë të tjera do t’ju vijë keq që do hiqni dorë nga gjërat që të donit. Ky është çmimi i ambicies për të qenë prind i suksesshëm, i cili i sheh genet e veta të ecin përpara. Sa prindër e kalojnë masën dhe bëhen posesivë të pashmangshëm sepse kanë frikë se investimi i tyre do të shkojë “dëm”? Sa e sa të tjerë nuk e pranojnë dot që fëmijët e tyre nuk arritën kurrë aty ku “ata” deshën; se fëmijët e tyre nuk u bënë të suksesshëm se nuk dëgjuan prindërit? Pretendojnë se mendojnë për të mirën e fëmijëve, pa i pyetur asnjëherë se çfarë duan këta fëmijë realisht! Sa e sa nëna (pa përjashtuar edhe baballarët) nuk i lënë të shkëputën fëmijët e tyre edhe pasi janë martuar, sepse karrierës së tyre, ambicies për posedim, do t’i binte vlera? Në këndvështrimin  tim personal, karriera më e vështirë për të qenë i suksesshëm është prindërimi. Njerëzit e vlerësojnë shumë lirinë, mbi gjithçka tjetër në shoqërinë tonë. Kur kanë para për të shpenzuar, kanë njëfarë niveli lirie, kanë mundësi zgjedhjeje dhe alternative. Kur kanë para mund të ndjejnë pushtetin ndaj të tjerëve, të ndjejnë se vlejnë. Por për t’i bërë këto para duhet paguar kostoja. Sa shumë e vërejmë në ditët e sotme se si njerëzit e kanë lidhur punën, të ardhurat me pushtetin dhe politikën. Sa shumë po e vëmë re tek të rinjtë që ambicien për pushtet nuk e shohin si sfidë të bukur të jetës, rruga drejt së cilës të mëson shumë, por edhe të jep kënaqësi. Ambicia për pushtet ka çuar në luftëra mbarë botën, por edhe këtu hyjnë tipa të ndryshëm ambiciozësh. Janë ata që duan vetëm të plotësojnë impulset e tyre të kënaqësisë, të marrin hak për komplekset e tyre të inferioritetit, ta plotësojnë egon e tyre të sëmurë përmes poshtërimit të të tjerëve; por në dallim, ka edhe njerëz të tjerë të cilët e shohin si sfidën e tyre personale, e përjetojnë si rritje të potencialit të tyre të brendshëm duke punuar me njerëzit dhe për njerëzit. Ka tipa ambiciozësh që vuajnë nga kompleksi i heroit, i cili do të ndihmojë gjithkënd edhe kur nuk ia kërkojnë. Ky “hero” është i mirë për të tjerët por vuan për vete se ndodh që të zhgënjehet. Fama është e bukur, e dëshirueshme prej shumë njerëzve. Fama është forca më e fuqishme e shoqërisë sonë, të famshëm janë ata që e “kanë” atë, janë elita super e kulturës sonë. Shumica e njerëzve ngatërrojnë famën me suksesin dhe VIP-at. Të jesh i famshëm duhet të kesh arritur diçka në fushën tënde, nuk mjafton të hysh vetëm në Big Brother që të bëhesh i famshëm. Njerëzit kanë arritur në ekstrem për t’u bërë të famshëm: kanë vrarë, janë shndërruar në vrasës serialë vetëm që të bëhen të famshëm, të tërheqin vëmendjen e njerëzimit, të mediave, të policisë, të psikologëve e gjithë “dynjasë” për të arritur atë që duan. Ambicia në këtë rast ka kaluar shumë, përtej asaj normales të cilën e kemi ndoshta të gjithë brenda nesh, sepse të gjithë duam të jemi të famshëm dhe të tërheqim vëmendje, secili në mënyrën e vet. Ambicia për famë i ka kthyer njerëzit ndonjëherë edhe në qesharakë sepse ata do të paguajnë më të gjitha mënyrat çmimin për t’u bërë të famshëm. Ne të gjithë e kuptojmë famën kur e “shohim”, por nuk e njohim ekzaktësisht se çfarë është. Dimë vetëm se si pjesa tjetër është pak më e mirë ose pak më “interesante” se ne dhe do donim të vidhnim disa prej strategjive ose teknikave të tyre. Ambicie për famë kanë artistët në skenë, dinë ta performojnë rolin e tyre dhe për më tepër e njohin audiencën e tyre. Fama nuk është pasuria! Ka shumë njerëz që kanë pasuri por nuk e posedojnë pushtetin që u jep fama, ndonëse shumë prej tyre e kanë kuptuar se rruga për t’u bërë i pasur ndoshta hapet prej famës. Në disa pika, të gjitha llojet e ambicieve kanë çmimin e vet. Kur çmimi i paguar tejkalon meritat e këtij çmimi, atëherë ambicia kthehet në arrogancë dhe njeriu e ka humbur lirinë e vet dhe del i humbur. Ambicia është diçka që nuk gjendet në shumicën e njerëzve. Ajo që shumica kanë është epshi për të qenë të pasur. Ambicia e bukur është ajo që sjell sukses nëpërmjet punës, ndërsa lloji tjetër është tipike ajo që shohim te politikanët dhe fatkeqësisht te shumica e përkrahësve të tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top