Marrëdhënie

March 26, 2016 | 10:00

Ambra Meda: Zemra ime i nxë të gjithë!

Nga: Anisa Xhani

Një ditë u zgjua pa këngë në zemrën e saj, por nuk pati frikë. Fati deshi që Ambra Meda nga një vajzë e thjeshtë të kthehet në frymëzim, duke triumfuar ndaj një sëmundjeje tumorale, falë guximit, kurajës dhe mbështetjes. “Gjenerali nuk mund të fitojë luftën pa ushtrinë e tij ndaj dhe mua ushtria ime e fortë dhe e dashur më bëri të fitoja nga ana psikologjike!”, thotë Ambra. Ajo e kuptoi që njeriu e ka të pamundur të drejtojë erën, por ama mund të rregullojë velën, siç ajo bëri dhe sot gëzon shëndet të plotë.

Ambra t’juthemi “heroinë” nuk ju hiperbolizojmë aspak. Sa e nevojshme ka qenë prania e njerëzve, gjestet e tyre (të dashurisë, mirësjelljes) për t’u ndjerë mirë?

Çdo njeri ka nevojë për dashuri, përkëdhelje, përkujdesje, mirësi… sidomos në momentet kur ti ndihesh ndryshe nga të tjerët dhe pa shpresë. Ana psikologjike zë 80% në një sëmundje tumorale, por nëse ti nuk je e lumtur dhe nuk rrethohesh nga njerëz që të duan dhe të zgjasin dorën nuk mund t’ia dalësh e vetme. Kur dëgjoja që njëra kontribuonte me lekët e sanduiçit dhe ai fëmija që ishte në shkollë, edhe ai pensionisti që mund të ishte i braktisur, edhe ajo nëna që më ka parë si fëmijën e saj, edhe ato këngëtare që kanë dhuruar emocione me zërin e tyre brilant, edhe ato 1,2,3,4,21… njerëz që janë lutur për mua, edhe ato 245666… të tjerë që komentonin kudo në rrjetet sociale, më bënin të ndihesha heroinë edhe pa e fituar luftën. Gjenerali nuk mund të fitojë luftën pa ushtrinë e tij ndaj dhe mua ushtria ime e fortë dhe e dashur me bëri të fitoja nga ana psikologjike!

Sa shërbejnë ato për rritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit?

Ndihesh e vlerësuar, e bekuar dhe më e fortë. Rrjedhimisht, duke qenë e lumtur dhe duke kthyer kokën mbrapa, e pashë që tashmë ke shumë miq që janë me ty dhe të shohin triumfuese. Fiton dhe ti besimin se dita-ditës do të bëhesh më mirë. E nëse diku, dikur nuk ndihesh mirë, ke me mijëra njerëz që do të bëjnë të ndihesh e veçantë sepse tashmë nga ajo vajza normale me një jetë monotone, ti kthehesh në shembull dhe frymëzim.

Po në spektaklin ku morët pjesë, sa ju ndihmoi prania e njerëzve në sallë dhe si u ndjetë nga mbështetja e tyre e zëshme dhe me pankarta?

“Ambra’s team” ishin motivim për të dhënë maksimumin në çdo performancë, pavarësisht emocioneve drithëruese. Mes tyre ishin të afërm, shoqëria, por e çuditshme ishte që kishte njerëz që unë nuk i njihja fare dhe kishin një dëshirë të paparë për të më ndjekur live. Në fund të ditës kujtoja ato duartrokitje dhe pavarësisht fitores apo pikëve jo maksimale, ndihesha e plotësuar dhe e lumtur!

Gjithë kjo mbështetje … po nga ana juaj ka pasur gjeste (dashurie, mbështetjeje)në drejtim të të tjerëve?

Zemra ime i nxë të gjithë ata që janë pranë meje, qoftë edhe me një sms. Unë ndoshta nuk mund t’i takoj të gjithë ata që më shkruajnë, por mundohem gjithmonë t’i vlerësoj shumë për çdo fjalë të sinqertë dhe t’u përcjell dashuri maksimale virtualisht, pasi askush nuk ka kohë të humbur të të falë aq shumë fjalë të ndjera dhe mirësi. Kur ndodh të më shkruajnë ata që ndihen keq moralisht, dua t’ju fal gjithë lumturinë e botës dhe të ndihen plot…Siç jam ndjerë unë.

Mesazhi juaj?

Çdo njeri është perfekt së bashku me papërsosmërinë që ka. Çdo njeri ka vlerë pavarësisht vuajtjeve e pengesave. Secili prej nesh ka nevojë për pak ngrohtësi, sikur dhe për një fjalë të mirë. Ndaj falni që të merrni. Një gjest sado i vogël bën diferencën dhe jep shpresë. Jemi njerëz dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. S’ka më keq se të ndihesh vetëm në një cep e i përhumbur pa mbështetje. Një jetë kemi, le të mundohemi çdo ditë të jemi versioni më i mirë i vetvetes dhe të bashkohemi për të bërë fuqinë!

Botuar në revistën Psikologjia, nr 1o5

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top