Dita e Falenderimeve është historia e një dite të ftohtë në fund të vjeshtës, në vitin 1621, kur rreth 50 kolonë anglezë, të quajtur pelegrinë, i kishin mbijetuar me vështirësi dimrit të parë në Botën e Re, ndërsa 50 të tjerë morën pjesë në një festë për të korrat me fqinjët e tyre, indianët e fisit Wampanoag.
Sot Shtetet e Bashkuara, sipas traditës festojnë këtë datë të shënuar për ta, e cila për herë të parë u kremtua në vitin 1621.
Sipas drejtuesve të muzeut të Plantacionit Plimoth, aty ku pelegrinët dhe indianët shënuan të korrat mbi 300 vjet më parë, historia e Falenderimeve është e mbushur me mite dhe teprime. Kathleen Curtin një historiane në Plantacionin Plimoth thotë se, “rreth 90 burra vendas u mblodhën dhe hëngrën me Pelegrinët për tre ditë me radhë. Pelegrinët ishin separatistë fetarë, një degë që ishte shkëputur nga një sekt strikt i quajtur puritanë, që paraqiten si një grup i ngurtë dhe jo shumë i prirur për festa. Ata ishin njerëz shumë besimtarë në kohëra shumë fetare. Megjithatë ata vinin nga Anglia e vjetër dhe e bujshme. Ishte pjesë e jetës së tyre që të pinin, hanin dhe të festonin. Nuk diskutohet që ata nuk ishin krejtësisht njerëz që nuk dinin ç’ishte gëzimi.
Në dokumentat e pakta të vitit 1621 thuhet se në tryezë ishin shtruar shpezë. Por Kathleen Curtin thotë se ka mundësi që të ishin rosa dhe pata dhe padyshim që nuk ishin gjela deti të shëndoshë, që familjet amerikane mbushin dhe pjekin sot. As ilustrimet e tavolinave të gjata të ditës së parë të falenderimeve plot me bukë, kek me kunguj dhe salcë boronicash.
Linda Coombs, nëndrejtore e Programit për Indigjenët Wampanoag në Plantacionin Plimoth, i hedh poshtë disa nga rrëfenjat nga koha e të korrave në vitin 1621. Ajo thotë se, Wampanoagët gjuajtën pesë drerë për festën. Por ndryshe nga ç’thuhet në legjendë, ata nuk sollën kokoshka. “Sipas mitit të krijuar, indianët i mirëpritën anglezët në tokën e tyre, hëngrën gjel deti dhe që atëherë jetuan së bashku në harmoni dhe se bëhej fjalë për festën e parë të Falenderimeve, e para e pasuar nga shumë të tjera më pas. Ideja është që vendasit e pranuan kolonizimin me dëshirë gjë që nuk është e vërtetë”.
Aleanca mes Pelegrinëve dhe Wampanoagëve zgjatën vetëm 50 vjet para se traktatet e shkelura të sillnin si rezultat, luftimet dhe gjakderdhjen.
Ka edhe një imazh tjetër të Festës së Falenderimeve që është shumë larg realitetit. Nëpër skica, burrat shfaqen me kostume pelegrinësh: pallto luksoze, këpucë me shkëlqim dhe kapele me rripa me tokëza. Në shekullin e 17-të vetëm të pasurit visheshin me aq ceremoni. Pelegrinët e varfër visheshin me pallto me lëkurë dreri. Pas vitit të vështirë që kishin kaluar, ata me siguri ishin mirënjohës edhe për ato veshje dhe që kishin shpëtuar gjallë.
Për shumë njerëz, kjo ditë është ndoshta e vetmja kohë ku familjet mblidhen së bashku. Shumë amerikanë bëjnë udhëtime të gjata për të qenë pranë familjeve të tyre. Ata organizojnë darka të mëdha, gjë që është pjesa kryesore e festimeve.
Para se të fillojnë të hanë, gjithsecili thotë disa fjalë dhe shprehen se për çfarë ndjehen mirënjohës.
Gjeli i detit për darkë është një nga traditat e Ditës së Falenderimeve.
Ushqime të tjera tradicionale për këtë festë janë patatet, një lloj salce me boronica të kuqe dhe një ëmbëlsirë me kungull.
Shumë amerikanë ndihmojnë gjithashtu të tjerët që nuk kanë mundësi të festojnë. Në gjithë Shtetet e Bashkuara, mijëra organizata fetare dhe bamirëse japin ushqime për të moshuarit, të pastrehët dhe të varfrit.
Burimi: VOA
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.