Duhet kurajë për të bërë gjëra të mëdha, por dhe jo pak ambicie dhe devotshmëri në qëllimet që i vë vetes. Frytet janë një kalvar i gjatë stërmundimesh dhe testimesh, vënie në provë të vetes dhe aftësive që ke për t’i arritur suksesshëm në fund ato. Për doktoreshë Amarildën, apo Amin siç e njohin pacientët e saj, rrugëtimi 10-vjeçar profesional në stomatologji, ishte një nga ëndrrat e bëra realitet. Sot, në një përvjetor të rëndësishëm të karrierës së saj si profesioniste, por edhe si grua, bashkëshorte e nënë, ndjen sadisfaksion për misionin e arritur suksesshëm. Ashtu e dashur, mikpritëse, na priti në klinikën e saj në qytetin e Elbasanit.
Ndonëse me ngarkesë pacientësh në orët që e vizituam, sepse pacienti është mbret e nuk duhet të presë, na ftoi të ndanim së bashku emocionet e 10-vjetorit të ngritjes së klinikës dentare. Për Amin, pasioni ishte ndërtuar që në fëmijëri, një ëndërr e madhe e edukuar nga prindërit e saj. “Ka shumë vështirësi, sfida, por edhe shumë kënaqësi nga puna me pacientët, të cilët më kanë besuar. U jam përkushtuar me shumë dashamirësi e përkujdesje, dhe këtë gjë e shoh edhe në vitet pasardhëse”.
Dr. Amarilda Cërriku ka përfunduar studimet për stomatologji, ndërsa ka kryer specializime dhe vijon të jetë e përditësuar në shumë shërbime të tjera, për të qenë avangarde me teknologjinë dhe shkencën e stomatologjisë. Ajo është ndjekëse e rregullt e konferencave dhe seminareve të mbajtura si në Shqipëri, ashtu dhe në vendet e Evropës. Bashkëpunon me mjekë vendas dhe të huaj, si dhe është një nga klinikat dentare në Elbasan që e ka tejet të zgjeruar turizmin dentar. “Gjithçka kam arritur, investimi akademik dhe bashkëpunimet më kanë bërë të ndjehem triumfuese”, pohon Ami.
Adrenalina e saj në kurthin e ambicieve dhe energjisë së shpenzuar me orë të gjata gjendet pikërisht te klinika dentare. “Çdo ditë zgjohem me shumë adrenalinë, është pjesë e shumë e rëndësishme. Sapo vë hapin e parë në klinikë, për mua përfundon pjesa familjare. Këtu është diçka komplet ndryshe, është pasioni i vërtetë. Ndjej kënaqësi dhe përkushtim ndaj problematikave që njerëzit kanë. I dëgjoj dhe i këshilloj me shumë përkujdesje”.
Sa i takon problematikave orale, doktoreshë Ami thotë se ka një ndërgjegjësim për pjesën e kavitetit oral. “Kam një komunikim të vazhdueshëm me pacientët e mi, fëmijët e tyre për kujdesin që duhet të tregojnë. Madje zgjedh ditët e diela në mënyrë që të kem një pjesëmarrje të madhe për t’iu prezantuar fazat e rëndësishme të dhëmbëve, për të parandaluar sëmundjet më të rënda”.
Në klinikën e dr. Amarildës kryhen një sërë shërbimesh, që nga ekstraksionet, mbushjet, mbushje estetike me faseta, vendosje dhëmbësh zirkon, vendosje dhëmbësh porcelan, proteza totale dhe parciale, zëvendësim i dhëmbëve të munguar, për të vijuar me implantologjinë dhe ortodoncinë për korrigjimin e nofullave dhe dhëmbëve, zbardhim dhëmbësh etj. Turizmi dentar është zhvilluar vitet e fundit me pacientë nga Anglia, Italia, Greqia, Franca dhe Gjermania.
Dr. Amarilda Cërriku është stomatologe specialiste që di të menaxhojë dhe t’u heqë frikën pacientëve, të cilët e frekuentojnë për herë të parë. Është shumë e dhënë pas teknikave moderne të stomatologjisë estetike, duke sjellë në klinikën e saj në Elbasan shërbime të certifikuara profesionale. Një investim serioz në fushën e stomatologjisë estetike, që dr. Amarilda e praktikon me nivele të larta kujdesi dhe higjiene.
Doktoreshë Ami së fundmi ka kryer edhe një specializim në Itali për pjesën e implantologjisë dhe ortodoncisë, profil që e investonte më herët me mjekë vendas dhe të huaj. Rezultatet konkrete dhe befasuese kanë bërë që doktoreshë Ami të marrë falënderime nga pacientë të ndryshëm. Sa i takon ortodoncisë, përveç aparaturave mobile, të lëvizshme, që aplikohen në mosha të vogla, për të ndihmuar zgjerimin e nofullës, daljen e dhëmbëve permanent dhe ristrukturimin e nofullës, njëkohësisht janë dhe fikset për më të rriturit. Trendi më i fundit janë materialet transparente dhe invisalign, tejet komode.
Kirurgjia është pika e dobët për Amin. Një shërbim sa i rëndësishëm, po aq emocionues për mjeken që prej 10 vitesh e sheh si adrenalinën e ditëve të saj. “Është shumë e bukur, është sfidë, sepse ka raste të lehta, por edhe të komplikuara, ku duhet të sfidosh veten. Por me kirurgjinë merr edhe kënaqësinë, rezultatet e mira nga pacienti dhe falënderimin si shpërblim emocional. Kjo më rrit motivimin për vazhdimësinë në profesion”.
Doktoreshë Ami e ka plotësuar formimin e saj akademik me kurse dhe konferenca ndërkombëtare, me profesorë të shquar si: Diego Salvi, Leonardo Targetti, Artiro Fortini, Fabio Giuntoli, Enrico Marchetti, pranë qendrës së formimit profesional, ekselente europiane Dental Leader Corsi, Edmond Mema. Materialet dentare që Dr. Amarilda Cërriku përdor janë produkt i Institutit me emër dentar Leone në Itali.
Një ditë për doktoreshë Amin, ashtu si për çdo vajzë të re, nuk mund të nisë pa muzikën e preferuar teksa shkon në detyrë. Gjithaq një foto përshëndetëse në rrjetet sociale sapo prek dyert në klinikë. Ami është gjithashtu nënë. Ajo ka djalin 3 vjet e gjysmë, për të cilin thotë se e ka në gjurmët e saj. “Sa nis dita, djali çohet dhe më thotë: Mami zgjohu shpejt, ik te puna se të presin pacientët. Mua më ço te kopshti. Apo kur më vjen në punë për të më takuar. Shfaq interes teksa unë punoj duke më thënë: Mami, ka ngrënë çokollata ndaj i janë prishur dhëmbët! Njëkohësisht kam dhe mbesën që është shumë e dhënë dhe di shumë procese të punës time. Kjo ndodh ndoshta sepse unë edhe në familje nuk e ndaj punën. Një mbështetje të fortë kam bashkëshortin dhe prindërit, sidomos në rastet kur punojmë deri vonë”.
Një ndjekëse e vullnetshme e dijeve profesionale, doktoreshë Ami këtë 10-vjetor ia dedikon prindërve dhe vëllait të saj, që i japin gjithmonë kurajë, vullnet dhe dëshirë për ta dashuruar punën dhe e bëjnë që të ecë me hapa të mëdha në jetë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.