Marrëdhënie

May 11, 2016 | 7:27

Amik Kasoruho: Babai…Një qenie speciale

1Ndoshta është tema që më bëri të mendohem më gjatë nga çfarë kam shkruar në jetën time. Sepse baba mund të bëhesh kollaj, por duhet të jesh qenie shumë speciale për të bërë prindin, e kjo sentencë më zgjoi ngurrim në këtë bashkëbisedim. Sa herë kujtoj rolin tim si prind, kujtoj shtrëngimin e dorës së tim eti, ndoshta nga të paktët dhe të fundit që kam provuar dhe që e ruaj si të jetë thesar. Frika se mos e humbas ndjeshmërinë e atij shtrëngimi, më bën të jem i kujdesshëm në marrëdhënien e dorës sime me atë të fëmijëve të mi. A është kujdes, a është dashuri, a është kurajë nuk di ta them, por besoj se është prova më e vështirë për një njeri që bëhet prind. Një provë që zgjat gjatë gjithë jetës. Nuk mund të vlerësohet babai në dy vitet e para të jetës së fëmijës. Roli i babait është si ai trungu mbajtës ku mbështetet një filiz i ri peme. Edhe lidhja e këtij fidani me trungun duhet bërë butë, pasi lëkura e njomë e fidanit dërrmohet nga shtrëngimi, qoftë edhe në të mirë. Kështu mendoj se është fillimi i një detyre prindërore që vazhdon gjatë gjithë jetës. Kujtoj që e humba babanë kur isha 20 vjeç. Kur fillon mosha e vështirë e çdo njeriu, kur babai duhet dhe është një model i pazëvendësueshëm, nuk e pata. Jo gjithmonë fotografitë e pakta dhe kujtimet e moshës së hershme, apo rrëfimet e herëpashershme të nënës, mund ta mbushnin boshllëkun që u krijua. E kujtoja të qeshur dhe përpiqesha t’u buzëqeshja detajeve të bukura të jetës. E kujtoja si më shpinte në librarinë e Lumo Skëndos për të më blerë libër e asnjëherë nuk harrova se libri ishte një shpërblim i mirë i gjestit të tij si prind, pasi më ndihmoi të kisha kurajën për të provuar edhe unë të isha prind i mirë si ai, për të përballuar sfidat dhe për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të vështira të tim biri. Por, kujtoj se im atë asnjëherë nuk më këshilloi si të jetoja. Thjesht ai jetoi. Dhe unë e vështroja, apo vëzhgoja babanë. Ishte leksioni më i dashur që nuk do doja të mbaronte kurrë. U përpoqa shumë ta imitoja. Të gjitha gjestet dhe fjalët e tij duket sikur janë edhe brenda meje. Nuk di ta them se si e përjetojnë fëmijët e mi rolin tim si prind, pasi është njëlloj e vështirë të vlerësosh punën tënde në lidhje me fëmijët e tu, po aq sa të shikosh ndryshimin e tipareve të fytyrës tënde pa pasqyrë. Kur shikoj se im bir me një krenari të heshtur, pa bujë, ka një vend të veçantë në bibliotekë për gjithë librat e përkthyer apo të shkruar prej meje, kur blen çdo gazetë ku ka një shkrim timin, mendoj me krenari se kam bërë diçka nga detyra e madhe e prindit, se im bir po rreket të më thotë “faleminderit!”, në mënyrën e tij. Kur nipi im, Roy, vë kokën në hijen time dhe rri me orë të tëra pa folur, me një pamje adhuruese për praninë time, besoj se im bir ka ditur të flasë me djalin e tij, përmes figurës së prindit të mirë. Një gjë nuk do doja t’u lija “trashëgim” fëmijëve të mi, mallkimin e përjashtimit apo pamundësisë për t’u shkolluar e marrë një diplomë universitare. E përjetova unë përjashtimin nga gjithë shkollat e Shqipërisë, e përjetuan edhe fëmijët e mi që nuk patën mundësi për të shkuar në universitet, edhe pse kishin rezultate të shkëlqyera. Nuk është rasti për shfajësime para tyre, por ka qenë një ndër çastet më të vështira kur përgjigjen e kam përtypur me dhëmbë e nuk e kam thënë, kur fëmijët e mi më kanë pyetur: Përse nuk na e japin të drejtën për të studiuar? A thua kam dështuar si prind? E mendoj shpesh këtë pyetje, përgjigjen e gjej te qindra fate dhe raste të ngjashme, që kishin një emërues të përbashkët – diktaturën. Pjesa që shpëtonte nga ajo dhunë, që besoj se nuk mund të zhbëhet, është kultura që trashëgohet nga familja dhe dëshira për të pasur në radhë të parë fëmijë të mirë. Këtu besova se mund të shpëtoja diçka e t’ua jepja fëmijëve të mi. Sa e kam arritur, nuk e di. Gjithmonë kujtoj një thënie të Padre Pios: “Shpesh duam të bëhemi engjëj të mirë dhe lëmë pas dore dëshirën për të qenë njerëz të mirë”. Im atë u bë engjëll i mirë për mua, kam shpresuar dhe jam përpjekur të jem njeri i mirë. Uroj që vajza dhe djali im të jenë prindër më të mirë nga ç’jam unë dhe nëna e tyre.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top