Në fokus

December 14, 2020 | 8:15

Analiza e shpirtit të turmave sipas Frojdit dhe Lë Bon

Marrë nga libri “Psikologjia e turmave”, Sigmund Frojd

Ndoshta, në vend që ta nisim me një përcaktim, do të ishte më mirë të fillonim duke iu referuar botës së dukurive, duke nxjerrë së andejmë disa fakte nga më të dukshmet e me karakteristiket që mund të shërbejnë si pikënisje për studimin tonë. Ne do të vijmë si te njëri ashtu edhe te tjetri duke cituar një pasazh nga libri i Lë Bonit “Psikologjia e turmave” që është bërë tepër i famshëm.

1

Le ta kemi të qartë edhe një herë përse është fjala: në qoftë se psikologjia që lidhet me predispozitat, me dëshirat instinktive, motivet dhe synimet e një njeriu të veçantë deri te veprimet dhe lidhjet me të afërmit e tij, ka arritur të grumbullojë morinë e problemeve të saj e të nxjerrë në dritë këtë tërësi lidhjesh, befas asaj i duhet të përballojë një problem të ri e të pazgjidhur që i shfaqet papritmas. Ajo duhet ta shpjegojë këtë fakt të rëndësishëm që ky individ, që për të bëhet i kuptueshëm, ndien, mendon dhe vepron nën efektin e një kushti të caktuar në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që pritej, dhe ky kusht përfaqëson hyrjen në radhët e një shumice njerëzish që ka marrë emrin e një “turme psikologjike”.

Po ç’është një “turmë”, nga e fiton ajo aftësinë për të ndikuar në mënyrë përcaktuese në jetën psikike të një individi të veçantë dhe ku qëndron ndikimi psikik që ajo i imponon këtij individi?

Detyra e një psikologjie teorike të turmave është t’u përgjigjet këtyre tri pyetjeve. Me sa duket, mënyra më e mirë për ta përmbushur këtë detyrë është të nisemi nga pyetja e tretë: Pikërisht vrojtimi i reagimit individual të ndryshuar ia jep psikologjisë së turmave lëndën e nevojshme; çdo përpjekje për ta shpjeguar atë duhet ta paraprijë përshkrimi i asaj që është për t’u shpjeguar.

Këtu po ia lë fjalën Lë Bonit. Ai thoshte: “Fakti më domethënës që paraqet një turmë psikologjike është ky: cilëtdo qofshin individët që e përbëjnë turmën, sado të dukshme apo të padukshme qofshin mënyrat e tyre të jetesës, shqetësimet, karakteret apo inteligjenca e tyre, i vetmi fakt që i shndërron ato në turmë, i pajis me një lloj shpirti kolektiv. Ky shpirt i bën të ndiejnë, të mendojnë e të veprojnë në mënyrë tepër të ndryshme nga ç’do ndiente, mendonte e vepronte çdonjëri prej tyre më vete. Disa ide e ndjenja arrijnë të mbijetojnë e shndërrohen në veprime vetëm te individët në turmë. Turma psikologjike është një qenie e përkohshme, e përbërë nga elementë heterogjenë për një çast të caktuar njësoj si qelizat e një trupi të gjallë që duke u bashkuar, formojnë një qenie të re me tipare krejt të ndryshme nga ato që ka secila nga këto qeliza.”

Konstatohet me lehtësi që individi në turmë ndryshon nga individi i veçuar, por zbulimi i shkaqeve të këtij ndryshimi bëhet më me lehtësi. Prapa shkaqeve që lidhen me veprimet tona, pa dyshim, ndodhen shkaqet e fshehta, që ne ende nuk i dimë, por pas këtyre shkaqeve të fshehta ka të tjera edhe më të fshehta, të injoruara nga ne. Shumica e veprimeve tona të përditshme janë pasojë e motive të fshehura që konstatojnë.

Tek një turmë, çdo ndjenjë, çdo veprim është ngjitës, që do të thotë se individi flijon me mjaft lehtësi interesimin vetjak për interesimin kolektiv. Pikërisht kjo është aftësi e kundërt me natyrën e tij e për të cilën ai arrin të bëhet i aftë vetëm kur bën pjesë në turmë”.

vlasov-sulajPikërisht mbi këtë pohim të fundit do të mbështesin më vonë një hipotezë të rëndësishme. “Një shkak i tretë dhe shumë më i rëndësishëm parashtron tek individi në turmë veçori specifike tepër të kundërta me ato të individit të izoluar. Këtu e kam fjalën për aftësinë për t’u sugjestionuar, në lidhje me të cilën ngjitja që përmendëm më sipër nuk është gjë tjetër veçse një pasojë. Sot e dimë që një individ mund të vihet në një gjendje të tillë që duke humbur personalitetin e tij të vetëdijshëm, ai u bindet të gjitha sugjestionimeve të personit veprues që e bën ta humbasë atë, duke bërë veprime krejt të kundërta me karakterin dhe zakonet e tij. Por vrojtimet e kujdesshme provojnë se individi i zhytur prej kohësh në gjirin e një turme që zien, bie shumë shpejt si rrjedhim i erërave që çlirohen prej tij apo për një shkak tjetër çfarëdo që ne e injorojmë – në një gjendje të veçantë që i ngjan shumë gjendjes së dehjes së të hipnotizuarit në duart e hipnotizuesit.”

Personaliteti i vetëdijshëm zhduket, vullneti dhe arsyetimi fashiten. Atëherë ndjenjat dhe mendimet orientohen në drejtimin e përcaktuar nga hipnotizuesi. Kjo është pak a shumë gjendja e individit që bën pjesë në një turmë. Ai nuk është më i vetëdijshëm për veprimet e tij. Tek ai, si tek i hipnotizuari, në një kohë që disa veti zhduken, të tjera mund të çohen deri në gjendjen e një ekzaltimi të skajshëm. Ndikimi i një sugjestionimi do ta çojë atë me një vrull të paparë drejt përmbushjes së disa veprimeve të caktuara. Te turmat ndeshet një vrull edhe më i fuqishëm se tek individi i hipnotizuar, sepse sugjestionimi duke qenë i njëjtë për të gjithë individët, ekzagjerohet duke u bërë i ndërsjellë.”

“Pra, shpërbërja e personalitetit të vetëdijshëm, mbizotërimi personalitetit të pavetëdijshëm, orientimi në rrugën e sugjestionimit e të ngjitjes të ndjenjave dhe ideve në të njëjtin drejtim, prirja për të shndërruar menjëherë në veprime idetë e sugjeruara janë cilësitë kryesore të individit në turmë. Ai nuk përfaqëson më vetveten, por një automat që nuk është në gjendje ta komandojë më vullnetin e vet”.

Ja edhe një pikëpamje e rëndësishme që analizon individin në turmë. “

Për të vetmin fakt që bën pjesë në turmë njeriu zbret shumë shkallë në shkallaren e qytetërimit. I izoluar, në qoftë se do ta zëmë se ka e qenë individ i kulturuar, në turmë ai nuk është veçse një qenie instiktive, rrjedhimisht një barbar. Ai ka spontanitetin, dhunën, ashpërsinë e lashtë e me to entuziazmin dhe heroizmin e qenieve primitive.” Ai zbret shumë poshtë nga pikëpamja intelektuale duke u përthithur si individ nga turma.

Tani ta lëmë njeriun e veçuar dhe të kthehemi te përshkrimi i shpirtit të turmave siç na e jep Le Boni. Nuk ka as edhe një element ku zbulimi i origjinës dhe klasifikimi të paraqesin vështirësi për psikoanalizën. Le Boni na e tregon vetë rrugën duke paraqitur ngjashmërinë që ekziston në jetën psikike të njerëzve primitivë e të fëmijëve.

vlasov-sulaj1Turma është impulsive, e lëvizshme, e irrituar. Ajo udhëhiqet pothuajse vetëm nga e pavetëdijshmja. Impulset, të cilave u nënshtrohet turma sipas rrethanave, mund të jenë të buta ose të egra, heroike ose të dobëta, por në çdo rast ato komandohen në mënyrë të tillë që interesi personal e madje edhe interesi i vetëmbajtjes të zhduken para tyre.

Turma është tepër e sugjestionueshme dhe e padjallëzuar, ajo beson me lehtësi dhe është e zhveshur nga shpirti kritik, e pamundura nuk ekziston për të. Ajo mendon me figura, të cilat i shfaqen njëra pas tjetrës nëpërmjet asociacioneve, ashtu sikurse i shfaqen njeriut të veçuar kur i jep liri imagjinatës, për pasojë asnjë instancë e arsyeshme nuk e njeh përshtatjen me realitetin. Ndjenjat e turmës janë gjithmonë tepër të thjeshta dhe tepër të ekzagjeruara. Pra, turma nuk njeh as dyshim e as pasiguri. Ajo shkon menjëherë në ekstrem, dyshimi ia lë sakaq vendin së paparashikueshmes, fillimi i një antipatie kthehet menjëherë në urrejtje të egër.

E çuar në këtë mënyrë në të gjitha drejtimet në ekstrem, turma nxitet njësoj nëpërmjet ngacmimeve të skajshme. Kush do të veprojë mbi të, nuk ka nevojë të peshojë logjikën e argumenteve të tij. Mjafton të paraqesë tablotë më të fuqishme, duke ekzagjeruar e përsëritur vazhdimisht të njëjtën gjë.

Për të gjykuar me saktësi për moralin e turmave, duhet patur parasysh fakti se në një grumbullim individësh në turmë të gjitha veçoritë individuale zhduken dhe që instinktet e egra brutale, shkatërruese, mbeturina të viteve të barbarisë që flenë te gjithsecili prej tyre, rizgjohen duke i dhënë liri kënaqjes së instinkteve. Por nën ndikimin e sugjestionit, turmat u hapin rrugë pa kufi adhurimit dhe përkushtimit ndaj një ideali. Ndërsa tek individi i veçantë interesi vetjak është gati i vetmi motiv, tek turmat kjo gjë ndodh shumë rrallë. Pra, këtu kemi një moralizim të individit nga turma. Ndërsa veprimtaria intelektuale e turmës ndodhet gjithmonë shumë më poshtë asaj të njeriut të veçuar, sjellja e tij etike në vend që të zbresë shumë poshtë, mund të ngjitet shumë më lart nga ky nivel.

 

Veç kësaj, turma i nënshtrohet forcës vërtet magjike të fjalëve që mund të nxisin në shpimin e turmave stuhitë më të tmerrshme si edhe që mund t’i qetësojnë ato. ” Arsyeja dhe argumentet nuk mund të luftojnë kundër disa fjalëve e disa formulave. Ato shqiptohen me ngashërim para turmave; e sakaq fytyrat bëhen të respektueshme dhe kokat përulen. Shumë njerëz i quajnë forca të natyrës, fuqi të mbinatyrshme.”. Këtu mjafton të kujtohet tabuja e emrave te njerëzit primitivë, fuqitë magjike që hidheshin për ta në emrat dhe fjalët.

 

Dhe për të përfunduar: turmat nuk e kanë njohur kurrë etjen për të vërtetën. Ato kërkojnë iluzione, të cilat nuk mund t’i kundërshtojnë. Vetë mungesa e realizmit, arealja ndikon mbi to gati njësoj si realja. Ato kanë një prirje të dukshme për të mos bërë asnjë dallim midis të dyjave.

Ky mbizotërim i jetës fantazmagorike të iluzioneve të mbështetura nga dëshira e papërmbushur na ka treguar se është përcaktues në psikologjinë e neurotikëve. Kemi gjetur se te neurotikët nuk vepron realiteti objektiv i përgjithshëm, por realiteti psikik. Një simptomë histerike mbështetet mbi një fantazmë dhe jo mbi përsëritjen e një përvoje të përjetuar realisht, një vetëdije obsesionale e fajësisë mbi ekzistencën e një qëllimi të keq që nuk ka arritur kurrë të realizohet. Dhe vërtet, ashtu si te ëndrra e te hipnoza, në veprimtarinë psikike të turmave prova e realitetit zhduket para intensitetit të motiveve të dëshirës të shkaktuara në mënyrë objektive.

Ajo që Le Boni u thotë udhëheqësve të turmave është më pak e plotë dhe nuk lejon që të vihen në diskutim ligjet në fjalë. Sipas tij, sapo bashkohen një numër qeniesh të gjalla, qoftë këtu kur është fjala për një kope kafshësh apo një tufë njerëzish, ato vendosen instinktivisht nën autoritetin e një shefi. Turma është një kope e bindur që nuk mund të jetojë kurrë pa zotëri. Ajo ka etje për t’u bindur se duhet t’i nënshtrohet dikujt, të cilin e përfytyron si zotin e saj.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top