Tani e shohim njëri-tjetrin me tuta e me pizhame, por edhe kjo më pëlqen. Për askënd nga ne nuk ka qenë pamja arsyeja pse jemi bashkë. Të dy jemi të kujdesshëm dhe estetikë si jashtë shtëpisë, ashtu edhe brenda saj. Kjo është kulturë dhe respekt për veten. Gjithmonë i kam kushtuar rëndësi kësaj pjese, por tani akoma edhe më shumë…
Ka vetëm disa muaj që ndan të njëjtën fole me njeriun e zemrës, hapësirë të projektuar sipas shijeve përkatëse. Dy mënyra jetese të ndërthurura nga modele të ndryshme, për të cilat thotë se i duhet të përshtatet. E megjithatë, ajo çfarë i ka ofruar kjo bashkëjetesë është një mundësi edhe më shumë për të “zbuluar” njëri-tjetrin dhe, pse jo, të pranojë pa kthim një realitet të ri. Në fakt, kur i duhet të flasë për bashkëjetesën me Erin Telitin, sytë e saj rrezatojnë dashuri dhe njëkohësisht impenjim në funksion të ndjenjës që ka për të. Tregon se përpiqet ta menaxhojë sa më mirë rolin e saj si partnere dhe familjare. Këtë e sheh si detyrë të rëndësishme nisur nga respekti për veten dhe shokun e saj. Prezantuesja e emisionit të pasdites në “Vizion Plus”, Anila Çela, në stadin e ri, atë të një zonje shtëpie, rrëfen se fillimet e të jetuarit nën një çati me njeriun e zemrës kanë qenë kapërcim i një hapi “të detyruar”. “Fillimi nuk është edhe shumë i lehtë, sepse secili është mësuar me mënyrën e tij të jetesës dhe më pas gjithçka duhet të përshtatet. Asnjë nga ne nuk ishte mësuar më parë të kujdesej për detyrimet e shtëpisë, të bënte pazar e të tilla gjëra. Them se faza e parë, ajo eksperimentale, rezultoi e suksesshme. Realisht nuk e kisha vënë re anën e tij familjare dhe përkujdesëse, pasi koha më e gjatë që kishim ndarë bashkë ka qenë gjatë pushimeve verore. Megjithatë ai bën pazarin, pagesat e faturave… është pak rrëmujaxhi me rrobat, por këtë pjesë nuk ia vë re, nisur nga fakti që unë jam rritur në familje me pesë persona, ku dy prej tyre, meshkuj, ishin të tillë”. Situatat për të cilat i është dashur të tregojë vëmendje janë aq pak raste për Anilën, sa nuk përbën ndonjë problem për të. Sipas saj, edhe pse me pak eksperiencë “nuk ia vlen ta nisësh ditën me debat për pjatat, për t’i çuar ato të palarat në lavapjatë, apo për të sistemuar gjërat personale. Ka fjalë më të bukura për t’u thënë në mëngjes”. E nisur nga investimi i ri në familjen e saj të sapokrijuar, për drejtuesen televizive një moment kyç që duhet vlerësuar tej hapësirave personale është kujdesi estetik i dy palëve dhe, pse jo, një paraqitje e jashtme që vlen të kurohet në funksion të lidhjes. “Në fillimet e njohjes përpiqemi të jemi sa më mirë në paraqitjen tonë të jashtme. Të vishemi, krihemi dhe të jemi plotësisht në formë në takimet tona speciale. Që në momentin e zhvendosjes së gardërobës fillon ndryshimi. Fillon të përzgjedhësh se çfarë do të marrësh me vete e çfarë jo. Tani e shohim njëri-tjetrin me tuta e me pizhame, por edhe kjo më pëlqen. Për askënd nga ne nuk ka qenë pamja arsyeja pse jemi bashkë. Por të dy jemi të kujdesshëm dhe estetikë si jashtë shtëpisë, ashtu edhe brenda saj. Kjo është kulturë dhe respekt për veten, respekt që nëse e tregoj jashtë shtëpisë, atëherë e bëj për të tjerët e jo për veten. Gjithmonë i kam kushtuar rëndësi kësaj pjese, por tani akoma edhe më shumë”.
Psikologji Dhjetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.