Marrëdhënie

June 13, 2016 | 8:47

Anila Godo: Miqësinë e mban në këmbë sinqeriteti

Në profesionin e saj, receta vulos një diagnozë, ndërsa medikamentet shërojnë pacientët e sëmurë. Një përditshmëri që luhatet mes korridoreve të zhurmshme të pavijoneve spitalore, tensionit për një sëmundje a jetë të shpëtuar dhe humanizmit tërësisht profesional, si pjesë e pandarë e punës së mjekes… Por, në këtë intervistë, Anila Godo flet për miqësitë… Të vërtetat, ato të përjetshmet dhe pse jo, edhe për miqësitë e goditura nga tradhtia. Përvojë personale, modele marrëdhëniesh të ngjizura në situata dhe periudha kohore të caktuara, që e bëjnë mjeken pediatre të ndihet në çdo kohë e rrethuar nga miqtë, nga ata të vërtetët, që siç pohon ajo, ia bëjnë jetën edhe më të bukur!

Cili është përkufizimi juaj për miqësinë dhe a keni ju një mik/mike të ngushtë?

Ka të bëjë me perceptimin. Unë e shoh si shkëmbim të ndërsjellë ndjenjash, konsideratash, ambiciesh, emocionesh, bazuar në përafërsi karakteresh, kapacitetesh intelektuale, të kërkosh modelin që do të jesh, të gjesh cilësi të bukura e veçanti të karakterit që nuk ia njeh vetes apo që i njeh për mangësi të tuat… Miku i përkryer për mua është ai që më duket shumë i ngjashëm me veten, ndoshta dhe më i mirë. Nuk mund të flas vetëm për një mike apo mik të ngushtë. Kam shumë të tillë e për këtë ndjehem me shumë fat. Më ka ndodhur që me dikë të bëhem mik shpejt e me dikë tjetër miqësia të jetë krijuar pas njëfarë kohe. Dikush shfaqet më lehtë, dikush tjetër “të lodh” disi para se ta shohësh mirë përtej pamjes së tij të jashtme. Mua më ka ndodhur edhe ajo që mund të quhet “miqësi me shikim të parë”. Një pasdite në Tiranë, në 1991, njoha doktoreshë Ersilia Buonomo, mjeke e profesoreshë në Romë. Ndenjëm bashkë me kolegë të tjerë vetëm për rreth 15 minuta. E ndjeva shume mike që herën e dytë që e pashë në Romë, kur akoma nuk i dija mbiemrin. U bëmë mike përjetë. Duke qeshur, themi që miqësinë tonë e ka bekuar Zoti, pasi rastisi që u njohëm nëpërmjet një projekti të komunitetit “Sant Egidio”. Kështu më ka ndodhur edhe me miken time të shtrenjtë, doktoreshë Solange D’Angely, apo edhe ndonjë mik a mike tjetër. Sekreti është se këta janë njerëz të veçantë, të mrekullueshëm, e këtë ta transmetojnë që në çastet e para që i njeh. S’ka si të mos i duash fort, të duash t’u ngjash, të duash të jesh mikja e tyre. Kam shumë miq në ambientin mjekësor, disa që nga koha e fakultetit. Kam miq të periudhës së gjimnazit, fëmijërisë.

A e kuptoni dot veten pa miq pranë?

Miqësia për mua është një gjë shumë e çmuar, ndaj e kam ruajtur me kujdes dhe dashuri, siç bën çdo njeri me një thesar. Nuk e mendoj dot veten pa miqtë e mi. Jam shumë familjare. Përpiqem që këtë t’ua transmetoj edhe djemve të mi, faktin që familja është gjëja më e rëndë- sishme, strumbullari i një shoqërie të shëndetshme, të moralshme e të bukur. Por kjo nuk më pengon të kem një vend të madh në zemër për miqtë e mi të vërtetë, që pa dyshim ma bëjnë jetën më të bukur e më të lehtë.

Ekziston një miqësi e përjetshme?

Po, dhe e them me bindje. Kam miq që prej 40 vjetësh e asgjë nuk e ka cenuar miqësinë tonë. Shpresoj e besoj fort që kështu do ndodhë me shumicën e miqësive të mija. Do bëhen më të thella, më të bukura.

Miqtë janë pjesë e jetës sonë në të mirë e në të keq. Por, shumë eksperienca jetësore tregojnë që miqtë mund të tradhtojnë e të na braktisin në momentet kur kemi më shumë nevojë. Ka ndodhur kjo gjë me ju?

Ndodh që miku të mos jetë ai që presim në një moment apo ngjarje të veçantë. Diçka të thyhet, të dhemb zemra. Të them të vërtetën nuk e kam provuar tradhtinë e ndonjë miku. Është fjalë e rëndë, ose kur ka qenë tradhti, me kohë kam kuptuar se nuk bëhej fjalë për një mik në kuptimin e vërtetë të fjalës, por për një shok të zakonshëm. Miku është shumë më shumë. Por më ka ndodhur që të lëndohem. Nga natyra jam dashamirëse e paqësore. Përgjithësisht, në raste të tilla përpiqem të gjej një justifikim të pranueshëm për fjalën a sjelljen jo të përshtatshme të mikut. Kam prirjen t’i zbus dhe jo t’i nxij situatat e papëlqyeshme. Ndoshta dhe ekzagjeroj me tolerancën e zemërgjerësinë, po nuk më duket të më ketë ngjarë keq nga kjo. Kur miqësia është e fortë dhe e vërtetë, gjërat kapërcehen me kohën. Kështu më ndodhi njëherë me një miken time. I tregova se më ishte propozuar një post, zv/dekane e fakultetit. Ajo më tha që ia kish pritur mendja, se sipas disa zërave më qe propozuar ky post që para zgjedhjes së dekanit, në këmbim të votës pro tij. Kjo ishte shumë larg të vërtetës së votës sime dhe e papranueshme për moralin e karakterin tim, pasi këto pazare më janë dukur gjithnjë të neveritshme e u kam qëndruar fare larg. Ia thashë mikes sime këto e në të njëjtën kohë shumë e lënduar i pohova që çuditërisht, në një çast, ajo më zbriti nga piedestali i miqësisë, “nuk të dua më, nuk je më mikja ime. Munde të besosh që unë mund të jem e tillë”? Ajo më kërkoi ndjesë menjëherë, por i thashë që do gënjeja nëse do thosha që e falja. “Le t’ia lëmë kohës”, i thashë. Besoj se u ndamë të përlotura. Koha bëri atë që duhej të bënte për një miqësi të vërtetë. E fshiu tërësisht atë ngjarje të shëmtuar për të dyja. Sot jemi mike të vërteta, përgjithmonë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me miqësinë? Jepni më shumë sesa merrni, apo e kundërta? Çfarë pres nga miqtë?

T’i kem pranë, t’i ndjej afër edhe kur fizikisht e kanë të pamundur të jenë. Të ndaj me ta të lumturën e të hidhurën, të më lejojnë e të më kërkojnë të jem mbështetja e tyre, kur të jenë ata në vështirësi. Dikush edhe më ka thënë që unë i dua miqtë më shumë nga sa më duan. Ndoshta… mundet. Unë di që i dua shumë. Por themse në një miqësi të bukur është e pakuptimtë, e pamundur, madje e shëmtuar të përpiqesh të matësh sa jep e sa merr. Duam, se ndjejmë të na duan, ndryshe një ekuilibër i thyer do ta mbante artificialisht në këmbë një miqësi, e gjërat do shkonin medoemos drejt prishjes. Them se duhet të dish të kuptosh mikun, ndjenjat e emocionet e tij. Jo të gjithë shprehemi njëlloj, dikush qan me lot nëpër faqe, dikush qan nga brenda.

Çfarë e ushqen miqësinë e vërtetë për ta bërë të zgjasë në kohë?

Vetëm sinqeriteti. T’i thuash mikut të vërtetë çfarë mendon lidhur me një problem a sjellje të tijën, edhe me koston që kjo mund të mos i pëlqejë. Nëse është mik i vërtetë, do ta vlerësojë më pas, me mendje të qetë. Që të rrojë miqësia gjërat duhen thënë, pa mbajtur rezerva, pa ndrojtje. Për shembull, nëse ke një qejfmbetje nga miku yt, duhet patjetër t’ia thuash, të kërkosh të sqarosh të vërtetën; nëse mbart me vete në heshtje dyshimin, nuk e konsideron mik të vërtetë. Mund të ndodhin keqkuptime dhe ka rrezik të dëmtosh një miqësi që në fakt duhet ruajtur.

Ndërsa, të lësh mënjanë krenarinë dhe mendjemadhësinë mundëson jo vetëm shmangien e moskuptimeve, por ndikon edhe në rritjen e simpatisë dhe bashkëpunimit. Ndani të njëjtin mendim edhe ju?

Absolutisht po. Ia njoh vetes këtë cilësi të mirë në marrëdhëniet e mija me miqtë, larg çdo krenarie të kotë. Nuk ndihem e turpëruar, nuk e kam të vështirë të pranoj e ta shpreh me fjalë ndjesën, kur kuptoj se pa dashur kam bërë ose kam thënë diçka që nuk shkon. Kjo, pa dyshim, të shton miqtë e të forcon miqësitë e vjetra.

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top