A ekziston mashkulli romantik?
Një përrallë e bukur na ndjek ne vajzave që në çastin që nisim të mendojmë dhe ëndërrojmë për ATË, mashkullin që do të donim. Por shpesh, thuajse gjithmonë, përralla mbetet e ngecur diku në kurthin e një loje të qashtër. Duke sjellë në kujtesë takimin e parë me Zhyljenin, kujtoj se imazhi që unë kisha përballë nuk ishte ai i përrallës që endej në ëndrrat e mia. Para meje ishte një djalë i pashëm me një siguri rrëzëllitëse mashkullore, i cili po përballej në heshtje me imazhin e ëndrrës sime. Si ta kuptoja se ishte AI? Në fakt, nuk m’u desh shumë kohë. Di të them se jam ndjerë mirë kur kuptova se isha e veshur me vëmendje, që asnjëherë për asnjë çast dhe asnjë arsye nuk më ka munguar. Ndër vite jam ndier e kuptuar, pa qenë e nevojshme të shpjegohem. E ç’mund të them, di vetëm se personazhin e përrallës s’kam pasur ngasje ta thërras ndonjëherë.
Cilat janë pakënaqësitë e fillimit që vinin për shkak të ndryshueshmërisë? Sa kohë ju është dashur t’i njihni, kuptoni dhe pranoni më në fund?
Të ndryshëm, ne jemi skajshmërisht të kundërt në temperament nga njëri–tjetri. Por kjo s’ka të bëjnë me pakënaqësinë. Për mua kanë qenë dhe janë një labirint ku më tërheq përzierja e kureshtjes me frikën e së panjohurës. Ka një kohë brenda secilit prej nesh, ku trazimi në kërkim të KUPTIMIT na ndjek edhe sot, akoma nuk e kemi murosur përpjekjen.
A është e vërtetë që një burrë është i disponueshëm për gjysmë? Ofron mbështetjen, sigurinë, por jo përkëdheljet dhe komplimentet në çdo çast… Si ndryshojnë në kohë prioritetet mes këtyre dy grupimeve nga kohë në kohë – konkretisht për rastin tuaj?
Nuk ndjej se e kam humbur vëmendjen e shokut tim të jetës, përkundrazi e kam të tepruar sa jo rrallë më bën që diku të ndërroj një bluzë, një bizhu… Unë gjithmonë e kam kërkuar komplimentin dhe përkëdheljet janë të parat në listën e marrëdhënies sime. Zhyljeni tashmë e di se ato janë palca e ditëve të mia. Sa herë që një vesh zgjatet drejt tij, dihet që duhet të dëgjojë një kompliment të ri. Koha nuk është bërë akoma armikja ime deri më tani. Ne rendim dhe nxitojmë me një forcë të çuditshme në çdo ditë-natë tonën, timen. Ditë-netët e mia herë të gëzuara e herë të zymta, herë ankthioze e herë thjesht ditët e mia, gjithmonë kanë shokun e jetës sime që ka rënë në kurthin e vëmendjes ndaj tyre. S’di t’ju them si ndodh. Di që ndodh.
A keni vendosur kode dashurore tipike femërore?
Çdonjëri prej nesh ka kodet e veta të ndjenjave, të cilat i kemi transmetuar dhe lënë të kuptohen ashtu, fare natyrshëm, pa kurrfarë hezitimi. Gjithsesi, çfarë ne duam të ndjejmë dhe të shijojmë ka rrjedhur pa stepje dhe yshtje në marrëdhënien tonë.
A janë të paaftë burrat për t’i kuptuar gratë deri në fund?
Mendoj se ky është një ekuacion që ka dy zgjidhje. Fakti që ne nuk kuptohemi deri në asht, është një lodër me të cilën kahershëm gjithë njerëzimi vret kohën e vet. Ndërkaq, edhe ne mendoj nuk i kuptojmë burrat aq sa ata do të kishin dashur. Ndaj nuk mund të flas për paaftësi nga ana e burrave, por si proces i universit Njeri.
Thuhet se një burrë e di që “e do” një grua, kurse gruaja e di “pse e do” burrin e saj…
Sigurisht, unë e di pse duhet të ndaj gjithçka kam me një burrë, qysh në çastin kur kuptova se arsyeja ishte dehur, kur më kishin pushtuar ethet e marrëzisë, kur qetësia më ishte prishur, kur gëzimi dhe vuajtja ishin shumë pranë.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.