Marrëdhënie

June 14, 2016 | 8:25

Anita Tartari: Zhgënjimet në miqësi leksione jete

Një ndjenjë e fortë përtej së cilës tejkalon veten, jep gjithçka dhe nuk kursen asgjë. Shpenzon orë e orë pa fund, njohuri dhe kohë fizike në emër të asaj që e quan një lidhje të pashlyeshme në jetë. Një marrëdhënie që, në gjithfarë situatash, mund ta bëjë të “rrezikojë” dhe egon për hir të raportit tepër të veçantë që ka zënë vend në zemrën e saj. Pianistja me emër, Anita Tartari, e rrëfen me shumë emocion konceptin që ajo ka për miqtë e saj të vërtetë. Tregon se ka shumë të tillë, një pjesë e mirë brenda profesionit. Miqësinë e quan një marrëdhënie shumë të fortë, të thellë, të ndjerë, të brishtë, pa kurrfarë interesi, që do të lëndonte palët e përfshira. “Miqësia për mua është shumë e shtrenjtë, sepse është një marrëdhënie që nuk lind dosido apo papritmas. Është një investim që bën njeriu. Jep gjithë forcat, energjitë, ndjenjat e tua, dashurinë e mençurinë tënde që të mund të marrësh të njëjtën përgjigje. Mund të bësh miqësi për 2 muaj, i krijon mundësinë që të shprehet për çfarë ka nevojë nga ty ose çfarë ka në mes që e lidh me ty, ose të lejon edhe ty të shprehesh, ndonëse mund të rrish edhe 2 vjet pa bërë miq nëse vërtet nuk je e bindur dhe nuk të intereson kjo gjë”. Brenda artit që ajo ushtron prej disa dekadash, natyrisht që dhe klasifikimi i miqve të vërtetë ka ardhur nga kjo udhë. Muzika, sipas Tartarit, është gjuha më e bukur dhe më e drejtpërdrejtë për të fituar miq të mirë. “Varet si e percepton miqësinë, si e shikon. Mund të rrish 2-3 orë në kafe dhe mund të mos e kesh shumë mik. Miqësitë e lidhura profesionalisht më kanë bërë që edhe pas 20 vitesh pa u parë, t’i konsideroj si miqtë e mi më të mirë. Kam miqësi të ngushtë me një violinist shqiptar që jeton në Francë, një djalë shumë i talentuar. Ndonëse jemi takuar vetëm gjatë 4 koncerteve me të, ruajmë një marrëdhënie tepër të shëndoshë. Sikundër me shumë pianistë dhe ish-studentë të mi që bëhen shpesh nismëtarë takimesh, letërkëmbimesh, ftesash elektronike apo bisedash telefonike në distancë”. Sigurisht, për një artiste nuk ka vetëm miq brenda fushës. Ndonëse të paktë, ata i përkasin jetës së përditshme, një marrëdhënieje tepër të ngushtë të konsoliduar prej vitesh. “Për momentin mikeshat e mia më të mira janë mamatë e fëmijëve të cilëve u mësoj piano, sepse duke qenë se shpenzoj kohë të madhe si mësuese, kam krijuar një lidhje të fortë me to. Unë kam edhe një grua që gjithë jetën më ka ndihmuar për punët e shtëpisë, për të rritur fëmijët dhe me të ndaj shumë biseda miqësore e familjare. Njeriu bën zgjedhje sipas mënyrës se si i vjen jeta. Ndoshta nuk jam tipi që rrëfehem shumë… jam pak e mbyllur”. Ajo rrëfen se miqësinë e njeh deri në cakun ku diskutohen probleme sociale, të profesionit apo të marrëdhënies që i bashkon. E quan të tepërt që për intimitete më të veçanta të hapet me miqtë. “Duhet të jem shumë e sinqertë në këtë pikë. Problemet apo gjërat intime nuk i nxjerr nga pragu i shtëpisë. Kam një rreth familjar timin të cilit ia besoj”.

Por, sikundër çdokush në jetë, ka qenë ‘viktimë’ e një miqësie. Edhe për pianisten Anita Tartari zhgënjime të tilla kanë qenë më se evidente dhe, pse jo, leksion i jetës së përditshme për t’u përftuar. “Kanë qenë miq, që tani mendoj se nuk kanë qenë miq. Nuk mund të prishet një miqësi për një fjalë goje, apo një hatërmbetje. Baza e një miqësie të vërtetë, për mua është sinqeriteti. Mund të mos rrish orë të tëra me një mik, mund të mos i bësh ndere, por të paktën sinqeriteti duhet të jetë. Tek unë kanë ndodhur zhgënjime miqsh brenda profesionit, një raport pak i sipërfaqshëm do ta konsideroja. Në miqësitë e thella nuk ndodh kurrë ndarja. Jam treguar pak e ashpër, që do të thotë i kam injoruar. Kam krijuar menjëherë shkëputje, nuk mund ta vazhdoja më atë marrëdhënie, ndryshe do ta kisha vuajtur shumë. Një shprehje thotë: “Mos ec para meje se nuk të ndjek dot, mos ec pas meje se nuk të tërheq dot, ec me mua paralel që të jesh miku im më i mirë”. Në një marrëdhënie miqësore patjetër që duhet të ketë të tilla detaje, por gjatë rrugës natyrisht ka dhe seleksionime. Pianistja dhe pedagogia Tartari në pritshmëritë e kësaj lidhjeje tregon se i është dashur më shumë të japë sesa të marrë. Kjo gjë, sipas saj, ka shkuar në funksion të një perceptimi ndryshe nga ana e saj të miqësisë. “Unë e kam mbaruar shumë e re shkollën dhe kam bërë koncerte me instrumentistë pafund, nisur thjesht nga dëshira për të ndihmuar në emër të artit e profesionit, pa asnjë detyrim. E quaj sakrificë të padëshiruar, jo sepse më është detyruar, por një investim i imi. Kam lënë edhe familjen pas dore, argëtimin tim, vetëm për të ndihmuar të tjerët në piano, në koncerte”.

“Mirëmbrëma zysha ime. Në 23 janar fluturoj për Tiranë, sepse në 28 kam koncert me RTSH-në. Do takohemi shumë shpejt. Me mall Dhurata Lazo”. Dhurata, një ish-studente e pianistes Anita Tartari, e larguar prej rreth 20 vitesh jashtë, fton në recitalin e saj në Tiranë pedagogen që është dhe mikja e saj. Një marrëdhënie e lidhur fort, sikur të frekuentohej çdo ditë. “Më kujton gjithmonë. Kjo është më shumë se mirënjohje”, rrëfen pianistja, teksa emocionohet kur një tjetër ish-studente e fton në koncertin ku është pjesëmarrëse, për ta pasur ndër publikun e përzgjedhur të asaj mbrëmjeje.

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top