Kurorëzimi i dashurisë së tyre bëri bujë të madhe në media. Gjithaq ishte një nga dasmat më të veçanta të kremtuara në verë. Këngëtarja Anjeza Shahini i tha “PO” martesës me njeriun që i rrëmbeu zemrën, diplomatin anglez Paul Edward Conolly, më 7 shtator në Toskana. Ceremonia, e cila u mbajt e fshehur nga çifti, (për pak ditë), u zbulua mandej nga vetë këngëtarja përmes fotografive të postuara në rrjetin social të saj. Gjithçka fokusonte momente të paharrueshme. Ajo me fustan të bardhë, si një princeshë, me një grim të lehtë e të paqtë për nder të figurës së të atit të ndjerë, shoqëruar në krahun e zemrës nga njeriu që zgjodhi të kalojë jetën. Përrallore, një dasmë e organizuar në një ambient fisnik, në një vend romantik të Italisë, aty ku kishte marrë udhë lidhja e tyre brenda pak muajve. Por, emocionet vijojnë ende sot. Anjeza e quan veten me fat që zgjodhi një bashkëshort si Paul, i cili edhe pse i kombësisë së huaj, e plotëson në qenësinë e saj. Ndërkaq shumë plane të reja pritet të gjejnë udhën e tyre, pse jo surpriza që do ta plotësojnë jetën e çiftit të ri.
Intervistoi:Orjona Tresa
Si jeni njohur ju me Paul? Çfarë ju tërhoqi tek ai?
Paul e kam njohur në Tiranë, një fundjavë të janarit 2011. Isha e ftuar të këndoja ne një ndër club-et e njohura të bllokut, dhe Paul, i cili ishte mik i pronarëve të ambientit, erdhi atë natë, edhe pse në fakt kisha mbaruar së kënduari, shkëmbyem pak bisedë, por e gjitha në kontekstin e humorit. Në momentin e parë të njohjes, te Paul më ka tërhequr fiziku dhe humori i tij.
Si është bashkëjetesa me një person që nuk i përket kombësisë tuaj?
Nuk e kam parë asnjëherë si hendek bashkëjetesën me një person që nuk i përket kombësisë time. Nëse nuk përputhesh me një person, sado i kombësisë së njëjtë, mund të duket i huaj. Nuk është ideale, që nuk flas në gjuhën time me të, por ne të dy kuptohemi edhe kur nuk flasim fare.
Si erdhi vendimi për të qenë përjetë bashkë?
E konsiderojmë veten me fat, që vendimin për t’u kurorëzuar, e kemi marrë natyrshëm. E ndjemë që ishte momenti i duhur dhe në fakt, nuk jam surprizuar që Paul më propozoi, por me mënyrën që zgjodhi për të më propozuar (në një ambient romantik të hotel Danielit, Venezia, dt. 4 mars 2015).
Keni mundur t’i njihni t’i zbërtheni pak a shumë të kundërtat a të përbashkëtat e njëri-tjetrit?
Besoj se kemi njohur shumë nga njëri-tjetri, madje vetvetiu të kundërtat i kemi kthyer në të përbashkëta, por megjithatë, mendoj se është bukur që në një çift të ketë gjithmonë diçka për të njohur apo zbërthyer, ne e lëmë veten të surprizohemi.
Psikologët thonë se të ngjashmit janë ata që shtrojnë rrugën e duhur të jetëgjatësisë së marrëdhënies në çift. Sa pajtoheni me këtë?
Me siguri, psikologët kanë arsyet e tyre profesionale që kanë arritur në këtë konkluzion, dhe në fakt pajtohem. Ne shqiptarët kemi edhe një shprehje popullore që i përngjan kësaj teorie të psikologëve. “Tenxherja gjen kapakun”.
Si është martesa, e kishe menduar më parë, kishe një model të ndërtuar në kokë? Sa ndikim ka modeli i familjes dhe sa mirënjohëse i je asaj?
Martesën e kam parë gjithmonë si një konkludim të një marrëdhënieje, e cila sapo fillon të marrë përgjegjësi, e shton ose pakëson dashurinë në çift. Koha e tregon më saktë, por sigurisht martesat e nxituara kanë rezultuar pak më të rrezikuara se ato të pjekura. Dashuri, mirëkuptim dhe sakrificë është modeli që familja ime më ka transmetuar, dhe mendoj që ky është modeli që dëshiroj të ndjek me krenari.
A ka ndonjë plan të bukur në vazhdimësinë e lidhjes tuaj për t’i dhënë plotësimin apo kornizën e duhur bashkëjetesës? Ndonjë surprizë që mund ta zbulojmë?
Plani ynë më i afërt është zhvendosja ime në Angli, ku do të jetojmë bashkë, do të punoj atje, edhe pse aktualisht nuk kam asnjë plan të caktuar se në cilin profil. Kam qenë dhe jam gjithmonë e hapur ndaj përvojave të reja, ndaj mezi pres të eksploroj, qoftë në muzikë apo pse jo, edhe në fusha të tjera.
Si jeni ju në familje, që do të thotë kujdesi dhe vëmendja ndaj detyrimeve të shtëpisë, i keni të ndara detyrat apo të gjitha duart duhet të lëvizin në shtëpi?
Jam rritur si më e vogla në shtëpi dhe rrallë më vinte radha të merrja përgjegjësi për sa i përket detyrimeve në të. Megjithatë duke qenë se mamaja jonë ka qenë gjithmonë kërkuese në rregullin dhe pastërtinë, mendoj se kam përfituar të njëjtat habitate. Me Paul kemi gjetur gjuhën e përbashkët edhe në këtë drejtim, pasi të dy kemi jetuar edhe të pavarur larg familjeve. Kjo na ka mësuar të përkujdesemi për gjërat tona. Na pëlqen ta mbajmë pastër ambientin ku rrimë dhe të dy gatuajmë. Por sigurisht, ka edhe momente kur ndihemi përtacë dhe preferojmë të mos bëjmë asgjë, por të shohim filma.
Sa të vëmendshëm jeni ndaj gjërave të vogla që bëjnë mirë në një marrëdhënie në çift?
Mendoj që jemi mjaftueshëm të vëmendshëm ndaj gjërave të vogla, pasi jo gjithmonë ka të mëdha. Mjaftojnë ndonjëherë disa detaje që e përmbushin një ditë për ta bërë të bukur, dhe në fakt, të dy jemi gjithmonë gati ta mundim rutinën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.