Mirëqenie

February 15, 2018 | 10:34

Ankthi i ndryshimit të stinës

Edhe pse pranvera është stina e rilindjes, natyra rizgjohet, ngjyrat e qiellit dhe të bimëve marrin sfumatura që shumë njerëz i bën të ndihen të lumtur, ka për fat të keq, edhe shumë njerëz të tjerë që në këtë periudhë vuajnë një shqetësim afektiv stinor, i cili quhet ndryshe edhe depresioni pranveror. Sipas disa studimeve ka jashtëzakonisht shumë njerëz që në periudhën mes muajit prill dhe maj janë të irrituar, të lodhur, vuajnë nga pagjumësia dhe ankthi.

Sa ndikon drita për mirëqenien e përditshme? Ndikon në gjithnjë e më shumë njerëz: quhet SAD (Sindroma e Shqetësimin Afektiv, Sindrome Affective Disorder) ose shqetësimi afektiv stinor, e cila sipas studimeve përfaqëson një formë të vërtetë depresioni që lidhet me ndryshimin e stinës. Ky shqetësim, që prek më shumë femrat se sa meshkujt (8 me 1). Është një përvojë mjaft e përhapur ndër njerëzit që vuajnë nga shqetësimet e ankthit, që shqetësimet, fizike e psikike, përkeqësohen kur vjen stina e bukur e pranverës. Po cilët janë njerëzit më të rrezikuar? Cilat janë shenjat? Si t’ia bëni për të evituar që kjo gjendje të bëhet kronike e të shndërrohet në një sëmundje të vërtetë?

 

Ndryshimi

Kalimi nga dimri në pranverë është për shumë njerëz një shock, duke qenë se organizmi ynë duhet të përshtatet papritmas me ndryshime: temperaturat shpesh janë të paqëndrueshme, shtohen orët e dritës dhe moti është herë me shi e herë me diell.

Veç kësaj, kalimi nga ora diellore, rrit prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, dy hormone që shpesh ndikojnë në pagjumësi dhe luhatje të humorit. Nëse organizmi sforcohet për t’u përshtatur, mund të zhvillohet një formë e depresionit pranveror, që në psikiatri quhet shqetësim afektiv stinor (sezonal). Në pranverë ndryshojnë dy parametra thelbësorë: ndriçimi dhe temperatura, që ndikojnë drejtpërdrejt mbi biokiminë cerebrale dhe në aktivizimin psikofiziologjik të të gjithë njerëzve.

Përveç shkaktarëve të natyrës fizike/organike ka edhe një arsye tjetër të natyrës psikologjike që përkeqëson ankthin në ndryshimin e stinës: një njeri në ankth ka tendencën të kërkojë vazhdimisht një ekuilibër, që e lejon atë sa më shumë të jetë e mundur, të jetë i pashqetësuar dhe i qetë, ekuilibër që zakonisht arrihet duke mënjanuar sa më shumë risitë, ndryshimet, stimujt që kërkojnë përshtatje.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, vihet në vështirësi ekuilibri i një njeriu në ankth, i cili duhet të përshtatet vazhdimisht me kushte që ndryshojnë dhe gjendet përballë stimujve të bezdisshëm fizikë, që mund të shkaktojnë tek ai reagime ankthi.

 

Shenjat

Njerëzit që vuajnë nga kjo formë çrregullimi humori janë në shumicën e rasteve të prirur të preken nga gjendjet e ankthit, kanë vuajtur më parë nga depresioni ose kanë një predispozitë gjenetiko-familjare.

Shenjat kryesore të depresionit pranveror janë ankthi, pagjumësia, humor i luhatshëm, trishtim, lodhje, rënie në peshë dhe mungesë oreksi, rënie e dëshirës seksuale.
Të gjithë mund të kemi përjetuar një apo më shumë nga këto fenomene në mënyrë sporadike, por është e rëndësishme të bëni diçka nëse këto shqetësime zgjasin për disa javë.

 

Ç’ndodh në trupin tonë?

Nga këndvështrimi fiziologjik, shtimi i orëve të dritës dhe intensiteti i saj sjell një prodhim më të madh të kortizolit (hormoni i stresit). Ky variacion mund të provokojë pasoja negative tek të gjithë njerëzit, duke shkaktuar nervozizëm, pagjumësi, mungesë urie dhe ndryshime të humorit, por provokon pasoja negative tek ata njerëz që vuajnë një shqetësim ankthi apo depresioni.

 

Si t’i përballojmë ndryshimet e stinës?

Në rast depresioni apo ankthi është e rëndësishme t’i drejtoheni mjekut për të marrë kurën më të përshtatshme; ndonjëherë është e nevojshme të merrni ilaçe, por në pjesën më të madhe të rasteve janë të mjaftueshme kura natyrale apo një terapi këshillimi. Nëse shenjat e ankthit apo depresionit janë të lehta, një dietë ushqimore me bazë vitaminash e kripërash minerale dhe integratorë si magnez, hekur dhe Vitaminë C, ndihmojnë riekuilibrimin e organizmit. Veç kësaj, si për shumë forma të tjera të ankthit-depresionit, sporti dhe teknikat e meditimit dhe frymëmarrjes së vetëdijshme kanë efekte pozitive në humor.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top